Karburantet vetëm rriten në tregun e pakicës, asnjë masë nga shteti
Ervin KOÇI
Çmimet e karburanteve kanë pësuar rritje prej dy muajsh, pas një stabiliteti që pati ky treg në fillim të këtij viti. Vetëm në ditët e fundit të kësaj jave, në pikat e karburanteve në vend çmimi i naftës dhe benzinës është rritur me 7-10 lekë për litër. Kështu tregu i brendshëm i karburanteve ka filluar që të reflektojë rritje, ndërkohë që në bursat ndërkombëtare, çmimet e arit të zi kanë pësuar rënie të ndjeshme. Sipas burimeve nga Shoqata e Hidrokarbureve, rritja e çmimeve të karburanteve në tregun vendas u bë pasi hynë në përdorim sasitë rezervë që në bursë ishin blerë me 82 USD për fuqi, si dhe nga rritja e taksave portuale. Sipas të dhënave të tregut, çmimet e karburanteve variojnë nga 140-150 lekë për litër për naftën sipas cilësisë, ndërsa benzina nga 145-155 lekë për litër, ku vetëm gjatë javës së fundit kanë këto produkte kanë pasur një rritje prej 3 lekësh për litër. Në fund të vitit që lamë pas, nafta tregtohej me pakicë me 125-130 lekë për litër, ndërsa benzina 130-136 lekë për litër. Një tjetër dukuri është se në disa pika karburantesh brenda kryeqytetit edhe çmimet e karburanteve janë të ndryshme, megjithatë duket se çmimi i karburanteve nuk do të frenohet, pasi tregtarët e justifikojnë edhe me faktin se vlera e dollarit po rritet dhe kjo do të ndikojë direkt në tregun shqiptar. Shtrenjtimi i karburanteve pritet të rrisë kostot në disa sektorë si transporti, industria e prodhimit etj., e për rrjedhojë do të kemi edhe rritje të inflacionit.
Bursat
Tregu i karburanteve në botë ka pësuar ulje të çmimeve, ndikuar kjo nga pasiguria e financave në disa vende të BE-së. Nga 80 dollarë për fuçi që ishte 5 ditë më parë, nafta dje në bursat ndërkombëtare u shit për 77 dollarë, pra një ulje drastike. Ndërkohë, dollari vijon rritjen, duke u kuotuar dje në raport me monedhën vendase me 107 lekë. Nëse forcimi i dollarit do të vijojë përballë euros atëherë edhe çmimi karburanteve do të arrijë të tjera nivele. Analistët janë të mendimit se, rigjallërimi i ekonomisë amerikane po bën të mundur një stimulim të kërkesës për naftë, për rrjedhojë forcim të çmimeve. Kjo do te thotë se mbaroi koha e çmimeve disi të ulëta të karburanteve.
Abuzimet
Përveç çmimit të kripur, tregu shqiptar i karburanteve është pre e abuzimeve edhe me cilësinë e mallit që shitet. Kjo është evidente për këdo që përdor një automjet. Po kaq e dukshme sa kjo është edhe fakti se për situatën ka vetëm një përgjegjës dhe ky është Inspektorati Qendror Teknik. Burime të ndryshme që konfirmohen edhe nga shifrat doganore, flasin për shumë subjekte të importimit të karburanteve të cilat pavarësisht se ligji ua ka ndaluar, vazhdojnë të importojnë naftë “D2”. Ky mall në dogana deklarohet si naftë e tipit “D1” dhe është IQT-ja ai që duhet të përcaktojë cilësinë e mallit që në hyrje. Fenomeni nuk mbyllet me kaq. Në shumë raste tregtarët e karburanteve edhe pse furnizohen me produkt nafte “D1” e përziejnë atë para se ta shesin me nënprodukte të tjera ndër të cilat me “virgine”. Ky produkt ul cilësinë dhe i shkakton dëme të konsiderueshme konsumatorëve.
BOX................................
Forcohet leku, drejt rënies monedha euro
Luhatjet në tregun valutor të kryeqytetit në javët e fundit kanë qenë të theksuara. Euro është monedha më e spikatur që po humb terren në raport me lekun, por edhe me monedhat e tjera. Paraditen e të shtunës një euro këmbehej në shitje me 136 lekë dhe në blerje 136.5 lekë. Ndërsa raporti i këmbimit dollar lekë ecën në kah të kundërt. Një dollar këmbehet me 106.7 lekë në blerje dhe 107.2 lekë në blerje. Të dhënat më të fundit të Bankës së Shqipërisë tregojnë se në tremujorin e parë të këtij viti, pozita e lekut në raport me monedhat kryesore euro dhe dollar në tregun e brendshëm tregon për nënçmim të tij në terma mesatarë vjetorë përkatësisht me 8.22 për qind dhe 1.62 për qind. Sipas BSH-së, kjo tendencë e ngadalësimit të ritmeve rënëse të lekut në raport me shportën e monedhave kryesore ka ardhur si pasojë e zbehjes së efektit sezonal, i cili karakterizon tremujorin e parë të çdo viti. Po ashtu edhe korrektimi i deficitit tregtar, si rrjedhojë e reduktimit të importeve dhe rritjes së eksporteve në dy muajt e parë të vitit, ka kontribuar në zbehjen e presioneve nënçmuese në tregun valutor të këmbimit.
11 Maj 2010