E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: “Partia Socialiste do të rezistojë për të finalizuar qëllimin e saj”



Eneida Jacaj
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, bëri të ditur dje se opozita do t’i rezistojë çdo barriere për të çuar deri në fund qëllimin e një Shqipërie me standarde europiane. Kryetari i PS-së ndodhej në QSUT për të vizituar grevistët që ndërprenë grevën për shkak të përkeqësimit të gjendjes shëndetësore.
Deklarata
“Vuajtjet janë dëshmitë e gjalla të stërmundimit të së vërtetës në betejë me gënjeshtrën në pushtet, me gënjeshtrën në sistem të korruptuar vlerash, me gënjeshtrën në një mjedis ku dhuna, presioni, kërcënimi, shantazhi bëjnë gjithçka për të imponuar krijimin e imazheve të rreme të kundërvendosjes së njerëzve me njerëzit”, - u shpreh Rama, duke shtuar: “Unë, e përsëris nga lartësia e kësaj dhimbjeje njerëzore të një opozite që sot është shpirti i së vërtetës dhe revoltës ndaj këtij kalbëzimi të përditshëm të proceseve të qeverisjes, se ne do të rezistojmë duke duruar çdo dhimbje, fyerje, shpifje, sasi balte që do të hidhet ngado që ajo do të vijë”.
Sipas tij, opozita do të rezistojë për t’i dhënë Shqipërisë atë standard që meriton dhe për t’i garantuar këtij vendi një Shqipëri të sigurt, pa pasur frikë të thuash atë çfarë mendon. Duke cilësuar se opozita sot është shpirti i revoltës ndaj kalbëzimit të pushtetit, Rama theksoi gjithashtu krizën që ka pushtuar vendin. “Vendi është në krizë, një krizë që thellohet çdo ditë, që ka përgjegjës ata që janë në pushtet, të cilët duhet t’u japin llogari shqiptarëve për rrënimin e ekonomisë, varfërisë së tejskajshme, dështimet në qeverisjet e tyre të përsëritura”, - tha Rama.
Opozita
Partia Socialiste, gjatë 9 muajve ka qenë kurdoherë e gatshme për të dhënë kontributin e saj në zgjidhjen e krizës politike përmes dialogut. Transparenca e zgjedhjeve përmes hapjes së kutive është kushti kryesor i këtij dialogu. Partia më e madhe e opozitës ia ka bërë të qartë maxhorancës se fillimi i dialogut në tryezë duhet të fillojë që nga këto kuti. Por, me sa duket, kutitë për maxhorancën janë dhe do të mbeten “thembra e Akilit” që tremb mandatin e kësaj qeverie, edhe pse nga opozita nuk kërkohet përmbysja e rezultatit në tavolinë. Në fakt, edhe pse u pranua ngritja e një komisioni hetimor me objekt hetimin e zgjedhjeve të 28 qershorit, sërish kryeministri bëri lojën e radhës duke mos lejuar që opozita të ketë shumicën e saj në këtë komision. Greva e urisë në bulevardin para Kryeministrisë është lëvizja më e fundit e opozitës për të kushtëzuar kërkesën e saj për hapjen e kutive të votimit.

11 Maj 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›