Berisha i përsërit Ramës tri oferta të vjetra për të dalë nga kriza
Eljona Ballhysa
Demokratët duket se nuk kanë oferta të reja për t’u propozuar socialistëve për t’i dhënë fund grevës së urisë. Kryeministri Berisha ka përsëritur tri ofertat e vjetra gjatë fjalës së mbajtur në mbledhjen e djeshme të Grupit Parlamentar të PD-së. Ai i bëri thirrje Ramës që të shqyrtojë propozimin e Byrosë Parlamentare të Këshillit të Europës që t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për hapjen e kutive. Sipas Berishës, socialistët mund t’i drejtohen Komisionit të Venecias, ose mund të marrin pjesë në komisionin parlamentar hetimor për zgjedhjet. Ai tha se çdo provë për manipulimin e zgjedhjeve të administrohet nga një grup prokurorësh, të cilët mund të hapin dhe kutitë e votimit. Berisha theksoi edhe njëherë se ai vetë nuk mund të pranojë të bëjë edhe gjykatësin, edhe prokurorin dhe se nuk do të shkelë mbi vendimet e gjykatave. Berisha, në fund të fjalës së tij, i bëri thirrje Ramës që të pranojë shërbimin shëndetësor zyrtar për grevistët.
Ofertat
“Ajo çfarë dua të theksoj është se i bëj thirrje zotit Rama për tri çështje kryesore. E para, të vlerësojë propozimin e Këshillit të Europës, të Byrosë së Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, si një propozim tërësisht mbi palët, si një propozim tërësisht në të mirën e vendit, por edhe të Partisë Socialiste dhe të palëve, ku i kërkohet zotit Rama t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese dhe në rast se kjo e fundit e gjykon, t’i drejtohet Strasburgut. I bëj thirrje gjithashtu se, në rast se nuk i pëlqen ky variant, të vijnë në komisionin parlamentar. Të fillojë menjëherë punë komisioni. Do të ketë kryetarin e komisionit, do të ketë shumicën në çdo votim të komisionit. Me këtë mekanizëm të hetojmë çdo gjë, të bëjmë transparencën për çdo gjë, në përputhje me ligjet e vendit, të cilat mundësojnë deklasifikimin e çdo dokumenti”, - është shprehur Berisha. Ai tha se në këtë proces mund të përfshihen dhe prokurorët për të hetuar manipulimin e zgjedhjeve. “Një pjesë të çështjeve që dalin direkt ta ndjekin anëtarët e komisionit, pjesën tjetër, që dalin me fakte, prokuroria e vendit. Sepse një gjë është e sigurt: mund të kërkosh çdo gjë nga unë, por unë gjykatës e prokuror nuk mund të bëhem”, - është shprehur kryeministri.
Thirrja
Në fund të fjalës së tij Berisha i bëri thirrje Ramës që t’i lejojë autoritetet shëndetësore që të kujdesen për shëndetin e grevistëve. “Në historinë e njerëzimit nuk ka ekzistuar kurrë një situatë e tillë, ku një parti politike mbyll dyert, privon nga kujdesi shëndetësor njerëzit që ka ngujuar në grevë urie. Kjo përbën një shkelje të të gjitha akteve kombëtare dhe ndërkombëtare të qëndrimit ndaj të ngujuarve, të qëndrimit ndaj grevistëve, të qëndrimit ndaj cilitdo që ka nevojë për kujdes shëndetësor. U them atyre tre-katër mjekëve militantë, apo infermierëve, se po bëjnë një shkelje shumë të rëndë duke shërbyer si një perde e zezë midis sistemit shëndetësor, që është i detyruar me Kushtetutë të garantojë të gjitha shërbimet ndaj grevistëve”, - është shprehur Berisha. Ai tha se mjekët, pavarësisht bindjeve politike që kanë, janë të detyruar t’u shërbejnë të gjithëve njëlloj. “I them zotit Rama se detyra e mjekut është detyrë e vështirë, e cila kërkon para së gjithash dhe mbi të gjitha gjakftohtësi, objektivitet, kërkon që ai të trajtojë njëlloj si shtetarin më të lartë, ashtu dhe të burgosurin më të rëndë. Mjeku ka një kod, ka një betim, nuk e zgjidh dot me militantë, nuk e bind dot se ata militantë që ke vendosur aty mund ta bëjnë me korrektesë detyrën e tyre, në një kohë kur janë fanatikë partiakë”, - është shprehur Berisha.
11 Maj 2010