E Diel, 1 Nëntor 2026

Analiza vjetore, Naço: Viti 2011, i suksesshëm për METE

TIRANE - Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës Nasip Naço e cilësoi të suksesshëm vitin 2011 për institucionin që ai drejton. Duke prezantuar analizën vjetore për vitin që lamë pas, ministri Naço deklaroi se pavarësisht krizës globale, Shqipëria arriti të ruante stabilitetin ekonomik falë reformave të ndërmarra.

Ndër arritjet e METE-s, Naço renditi ndryshimet në kuadrin ligjor për sektorin e energjisë, pr/ligjet për energjinë e rinovueshme dhe ligjet për mbrojtjen e konsumatorëve në përputhje me standardet e Bashkimit Europian.

“Një nga arritjet kryesore në vitin 2011 ishte nisma për ndryshimet në kuadrin ligjor të sektorit energjetik. Kanë përfunduar dhe do te dërgohen në komisione disa pr/ligje të tjera që synojnë mbrojtjen e konsumatorëve dhe i japin një frymëmarrje të re tregut të energjisë.”- deklaroi ministri i METE-s.

Ndërkohë Naço vlerësoi si mjaft pozitiv procesin e hapjes së tregut me vendet e rajonit, përmes eliminimit të tarifave doganore, duke theksuar se kjo ka sjellë rritjen e eksporteve me 26%, krahasuar me vitin 2010.

Ministri Naço deklaroi se qeveria shqiptare pret që gjatë këtij viti të realizojë shitjen 100% të Alpetrol-it, aksioneve të mbetura në pronësi të shtetit të Albetelkom-it dhe Armo-s.

“METE ka nënshkruar 12 kontrata koncesioni me biznesin vendas dhe të huaj që parashikojnë ndërtimin e rreth 50 HEC-eve të mëdhenj dhe të vegjël. Projekti i gazsjellësit TAP do të realizohet së shpejti në Shqipëri, është në rrugën e duhur dhe vendi ynë do të përfitojë mbi 1 miliard dollarë investime.”-vijoi më tej ministri.

Në lidhje me prodhimin e naftës në vend, ministri Naço tha se investimet në këtë sektor kanë bërë të mundur që prodhimi i naftës bruto të rritet me 20%, ose 2 herë më shumë në krahasim me vitin 2005.
Sipas kreut të METE-s, prodhimi minerar në vend është 32% më tepër se në vitin 2010, ndërkohë që ka përfunduar paketa e re ligjore për dhënien e licencave minerare.

“METE e quan të suksesshëm vitin 2011 dhe synojmë të kemi një performancë akoma edhe më të suksesshme në vazhdim.”- përfundoi Naço.
(er.nu/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›