E Shtunë, 31 Tetor 2026

Spahiu: Në Kushtetutë nuk parashikohet shkarkimi im

Nënkryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Kreshnik Spahiu në një intervistë të dhënë dje për “Gazeta Shqiptare” fill pas miratimit të nisjes së procedurave për shkarkimin e tij e ka cilësuar anti-kushtetuese nismën e mazhorancës. Ai sqaron se për zgjidhjen e konfliktit të tij me Partinë Demokratike do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese. Spahiu në këtë intervistë sqaron gjithashtu të ardhmen e Aleancës Kuq e Zi, shndërrimin e saj në parti politike, burimin e financimit të saj si edhe projektin që ka kjo lëvizje për bashkimin e trojeve shqiptare.
Z.Spahiu, komisioni parlamentar i ligjeve miratoi kërkesën e një grupi deputetësh demokratë për ngritjen e një komisioni hetimor, qëllimi i të cilit tashmë është bërë i qartë: shkarkimi juaj nga posti i nënkryetarit të KLD. Përse e keni cilësuar anti-kushtetuese këtë nisëm?
Në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë në asnjë rast nuk parashikohet shkarkimi i Zëvendëskryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe as i anëtarëve të Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Nenet e Kushtetutës për të cilat Kuvendi ngre komision hetimor për shkarkimin e zyrtarëve të lartë janë të parashikuar: neni 62 (Avokati i Popullit), neni 73 (deputetët), 90/2 (Presidenti i Republikës), neni 128 (anëtari i Gjykatës Kushtetuese), neni 149 (Prokurori i Përgjithshëm) dhe neni 162 (Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit). Pra, në asnjë rast dhe në asnjë nen nuk flitet për zëvendëskryetarin e KLD apo anëtarin e KLD.
Në gjykimin tuaj, përse mazhoranca kërkon t’ju shkarkojë pikërisht 10 muaj para mbarimit të mandatit tuaj në KLD?
Një javë më parë paralajmërova largimin me dorëheqje nga detyra e Këshillit të Lartë të Drejtësisë në disa media por papritur qeveria dhe kryeministri nxitoi që të bënte shkarkimin për qëllime të tyre politike sepse duan të dëmtojnë të ardhmen time dhe të njërzve që më mbështesin.
Përse u “prishën” marrëdhëniet tuaja me kryeministrin Berisha, i cili para emërimit tuaj si anëtar i KLD-së ju cilësonte si “kreshniku i drejtësisë” dhe tani ju cilëson si një “sharlatan, aventurier e faqezi”? Keni ndryshuar ju apo kryeministri Berisha? Dhe si do t’i përgjigjeni fyerjeve të Berishës në adresën tuaj?
Mendoj se për këtë duhet pyetur Kryeministri Berisha sepse ai ka ndryshuar etiketimet ndaj meje. Për mua është krejt e parëndësishme se çfarë gjykimi ka për mua. Kur unë nuk kam përdorur dhe as nuk do përdor ndonjëherë fyerje dhe shpifje për njeri sepse rrjedh nga një familje brez pas brezi qytetare.
Si do zgjidhet konflikti që ka hapur kryeministri me ju?
Gjykata Kushtetuese është arbitri i cili duhet të thotë verdiktin në këtë kapërcim dhe atentat kushtetues dhe parlamentar të qeverisë e cila ka humbur dhjetra beteja ligjore në këtë gjykatë dhe është përgjegjëse për këtë gjë.
Përse u themelua pikërisht tani Aleanca Kuq e Zi?
Aleanca Kuq e Zi ka një vit që është themeluar si pasojë e një vakumi në shoqërinë shqiptare të kultivuar si pasojë e një servilizmi të paprinciptë për ruajtjen e pozitave të “sulltanëve” të politikës shqiptare duke bërë pazar me qarqet antishqiptare në Athinë dhe Beograd si mënyrë për të mbajtur dhe pasuruar në pushtet.
Keni paralajmëruar se Aleanca Kuq e Zi shumë shpejt do të shndërrohet në një forcë politike. Duke qenë se këtë deklaratë e keni bërë në një kohë që ushtroni funksionin e nënkryetarit të KLD-së si do t’i përgjigjeni akuzave se po përdorni një post publik në funksion të partisë që pritet të themelohet?
Jo kjo është një çështje e cila nuk duhet të ndodhë tani. Objektivi është për të bërë 1 milion anëtarë kuq e zi dhe në fund të ketë një referendum për të ardhmen e kësaj lëvizje. I kam kërkuar organizatorve të Aleancës Kuq e Zi që të mos nxitohen në këtë vendimarje por ta bëjnë sa më të maturuar.
Ku i gjen fondet Aleanca Kuq e Zi që ushtron veprimtarinë e saj deri në Amerikë dhe vende të tjera jashtë Shqipërisë? Mbi 120.000 aktivitë të profesioneve të ndryshme punojnë vullnetarisht jashtë orareve të angazhimeve dhe me kontributet e tyre.
Keni folur për bashkimin kombëtar të të gjitha trojeve shqiptare. Keni një projekt konkret?
Absolutisht dhe mendoj që prej Lidhjes shqiptare të Prizrenit ajo është axhenda më shkencore dhe akademike e cila do të aplikohet me faza. Ju ftoj të studioni kontratën kuq e zi “Shqipëria Bëhet” e cila do nënshkruhet nga 1 milion aktivistë për të kuptuar vizionin e Aleancës Kuq e Zi për një Shqipëri tjetër.
Në përvjetorin e 21 janarit a keni një koment, në cilësinë e nënkryetarit të KLD-së, për vonesën e hetimeve për zbardhjen e plotë të asaj ngjarjeje të rëndë?
Ndaj të njëjtim shqetësim që ka faktori ndërkombëtar, shoqëria shqiptare por edhe i përcjell inkurajim Prokurorisë shqiptare në zbardhjen e këtij krimi por fatkeqësisht nuk mund të kontriboj më shumë pasi as Prokuroria dhe as Gjykata e Lartë nuk janë pjesë e juridiksionit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë.
(Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›