E Diel, 1 Nëntor 2026

Analiza/Ideatori i betonizimit të Tiranës del dhe flet me gjuhën e rrafshimit

10-08-2013 / Gazeta 55

Artan Lame njihet si një nga bashkëprojektuesit e betonizimit dhe shkatërrimit të hapësirave të gjelbra në kryeqytet për 11 vite, ndërsa prej disa ditësh shfrytëzon podiumet e ofruara nga PS gërthet me gjuhën e rrafshimit të çdo ndërtimi pa leje. Përpos detyrimit ligjor, për të vënë në vend një të drejtë ligjore, pra sheshimin e çdo ndërtimi pa leje, absurdi konsiston po t’i referohemi premtimeve elektorale të Edi Ramës, se me ardhjen e tij në pushtet do legalizojë çdo ndërtim pa leje. Sikurse, njeriu i Ramës shkon deri aty sa akuzon dhe bën përgjegjës pushtetin aktual, pa harrur se, njihen botërisht se kush janë njerëzit e betonit, ata që rrafshuan dhe kthyen në interesa e tyre financiare, mijëra hektarë hapësira publike. Por, Artan Lame veçse pranon mbi supe peshën e njeriut që projektoi shndërrimin e Tiranës në beton, del flet edhe me gjuhën e rrafshimit. Dje ai denoncoi atë që e quajti kërdi mbi zonat publike. Sipas tij, vazhdojnë të jepen vendime abuzive për ndërtime në zona të mbrojtura dhe parqe kombëtare. “Me gjithë paralajmërimet e bëra prej nesh, kërdia e territorit mbi zonat publike po vazhdon. Muajt e fundit ka një dyndje të vendimmarrjeve abuzive në zonat e mbrojtura dhe parqet kombëtare. Kështu po ndërhyhet me vendimmarrje në Parkun e Dajtit, në Zonën e Rrushkullit, në zonën e Mbrojtur të Vjosës, etj. Pikërisht këto ditë, me urgjencën e hajdutëve të ditës së fundit, po përgatitet tjetërsimi i një sipërfaqeje rreth 600 ha, që aktualisht i përket peizazhit të mbrojtur Vjosë-Nartë. Për këtë po veprohet me urgjencë nga Ministria e Mjedisit, për tjetërsimin e statusit të kësaj zone, për t’i hapur rrugë më pas ndërtimeve brenda saj.
Lame shtoi më tej se, “Sipas raporteve ndërkombëtare, Shqipëria ka detyrimin që deri në vitin 2020 duhet të arrijë rreth 17-18% të sipërfaqes totale në zona të mbrojtura. Aktualisht, qoftë edhe në letër, jemi shumë larg këtij niveli, ndërsa me këto veprime të papërgjegjshme, jo vetëm që kjo sipërfaqe nuk do te arrihet, por përkundrazi do të zvogëlohet edhe më tej. Nga ana tjetër, pjesë e këtij mekanizmi pervers po bëhet Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, e cila pasi në 8 vjet ja futi me gjumë, tani në dy javët e fundit të gushtit u kujtua të vërë drejtësinë në vend, duke shpërndarë qindrat e hektarëve si pa të keq”. “Ju bëjmë sërish thirrje gjithë këtyre pushtetmbajtësish kalimtarë, që të mos vazhdojnë me vendimmarrje të tilla abuzive, të cilat shtatori do t’i shohë të gjitha të kthyera mbrapsht”, përfundoi deklarata e tij. Kuptohet se qëndrimi i Ramës është një urdhër porosi i Edi Ramës për të fshehur dorën e krimit, pasi në të vërtetë njeriu që nxiti batërdinë është vetë kreu i PS me deklaratat e tij ireale në fushatën zgjedhore, për legalizimin e çdo ndërtimi pa leje. Kësisoj, këta që e lanë Tiranën për 11 vjet pa një plan urbanistik, duke lejuar zhvillim klientelist, gjejnë guximin dhe të akuzojnë pushtetin aktual për lejimin e ndërtimeve abuzive – në një kohë kur përgjegjës për këtë situatë janë ata dhe vetëm ata, Edi Rama &Co. 

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›