Izolimi i Edi Ramës te “trekëmbëshi”, si paaftësi për të kuptuar rëndësinë e gjeopolitikës...dhe aleatin e madh, SHBA
Edi Rama ka premtuar se orientimi i politikës së jashtme të Shqipërisë, do ketë fokus rajonal. Pra, e thënë shkurt, gjeopolitika, apo politika e madhe globale ku vendi ynë deri më tani ka patur rolin e tij, s’bëjnë pjesë në axhendën e Ramës për katër vitet e ardhshme. Rama ka shmangur tërësisht raportet diplomatike me aleatin e madh të Shqiptarëve, Shtetet e Bashkuara të Amerikës – duke konsumuar kështu një precedent të politikës diplomatike shqiptare, këto 22 vite pluralizëm. Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë qenë një faktor domethënës në zhvillimet dhe progresin e Shqipërisë postpluraliste. Gjithkush, edhe qytetari më i thjeshtë e ndjen dhe e vlerëson mbështetjen e mikut të madh të shqiptarëve, ndërsa për Edi Ramën kjo është një sipërmarrje e vështirë. Normalisht gjeopolitika do këllqe. Gjeopolitika është për liderë të vërtetë dhe jo figurantë të politikës aksidentale. Ai nuk di rëndësinë e partneritetit me shtetin më të fuqishëm të botës, atë partneritet të cilin shqiptarët e kanë krah vetes edhe ditët më të vështirë të ekzistencës si shtet. Diaspora shqiptare në SHBA luan sot një rol të jashtëzakonshëm në selitë e Uashingtonit, për mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve jashtë kufijve shtetërore. Ka qenë në ndjekje të vazhdueshme të proceseve demokratizuese të Shqipërisë, e cila kulmoi me anëtarësimin në NATO në 2009-ën. Siç duket, qeveria e ardhshme nuk e ka më në plan këtë detaj faktit, por do të tentojë të zhbëjë të gjitha arritjet e shënuara deri tani. Sikurse do mbajë qëndrim distancues në raportet Tiranë-Uashington, duke u ngujuar thellë në politikën rajonale. Kjo, edhe si pamundësi dhe paaftësi për t’i bërë ballë politikës së madhe globale. Një tjetër element që e distancon Ramën nga politika e madhe globale dhe raportet me një vend mik, është edhe trashëgimia e tij. Ai është në rrugën e etërve të tij, në rrugën e Enver Hoxhës që solli izolimin e pas ’45-ës dhe shpalljen e miqve perëndimorë, armiq të popullit shqiptar, armiq të komunizmit. Normalisht, kryearmiku ishin Shtetet e Bashkuara të Amerikës, imperialistët që i cenonin interesat pushtetit kriminal komunist. Kësisoj, për Edi Ramën është ende e freskët kultura e edukatës familjare që i ka trashëguar i ati, si anëtar i Presidiumit të Kuvendit Popullor. Dhe nga këtu kuptohet se partneriteti strategjik me SHBA-të do të jetë një pikëpyetje e madhe për qeverinë e ardhshme, për rrethanat e lartpërmendura.