E Diel, 1 Nëntor 2026

KQZ: Ndjekje penale për 50 komisionerë e numërues në Lezhë

10-08-2013 / Gazeta 55

Rrethanat se si u bë manipulimi në Lezhë do të hetohen

50 komisionerë dhe numërues të Komisioneve Zonale Zgjedhore numër 13 dhe 15, në Qarkun e Lezhës do të ndiqen penalisht nga prokuroria e rrethit pas shkeljeve të rënda që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve konstatoi në materialet zgjedhore të këtyre zonave. Bëhet fjalë për anëtarët e komisioneve dhe grupeve të numërimit që falsifikuan tabelat e rezultateve në më shumë se 10 qendra votimi.  Për anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve ky akt duhet të shërbejë si një rast i mirë për të ndëshkuar këdo që shkel kodin zgjedhor dhe deformon vullnetin e zgjedhësve.
Klement Zguri shkoi më tej kur foli për sistem korruptiv, që sipas tij nisi me komisionarët dhe numëruesit, e vijoi me vëzhguesit dhe përfaqësuesit e partive politike. I ashpër ishte edhe kur ju referua vendimit të Kolegjit për Qarkun e Lezhës. “Kolegji jep një lloj amnistie, numëron votat. Veprimi i tij ishte i kundraligjshëm nga një vendimi që u mor nga një strukturë tjetër. Pra, sistemi mbetet korruptim”, tha Zguri.  Përfaqësuesit ligjorë të Partisë Socialiste kërkuan që pjesë e aktit të ishin dhe komisionerët e 6 qendrave të votimit në Mamurras. Por çfarë parashikon Kodi penal, për raste të ngjashme. Në nenin 330 gërma “a” e tij Braktisja e detyrës apo refuzimi për të kryer detyrën nga personat e ngarkuar me administrimin e procesit të votimit dhe të numërimit, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me burgim nga gjashtë muaj gjer në dy vjet. Kur veprimet e mësipërme kryhen duke marrë me vete ose duke zhdukur materialet zgjedhore, ose kur kanë sjellë pasoja të rënda për procesin e votimit apo kanë çuar në pavlefshmërinë e zgjedhjeve, dënohet me burgim nga dy gjer në pesë vjet. Gjithashtu Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve miratoi dje edhe vendimin për regjistrimin e subjekteve politike që do të garojnë në zgjedhjet vendore që do të mbahen në datën 1 shtator në komunat Dardhas të Qarkut të Korçës si dhe në komunën Rrethinë në Qarkun e Shkodrës. Për zgjedhjet nga ku do të zgjidhen dy krerët e komunave do të marrin pjesë Partia Socialiste, Lëvizja Socialiste për Integrim, të cilat do të garojnë sëbashku si pjesë e koalicionit “Aleanca për Shqipërinë Europiane” si dhe Partia Demokratike e Shqipërisë. Gjithashtu KQZ miratoi dje edhe modelin e fletës së votimit e cila do të përdoret në zgjedhjet e pjesshme për Kryetar të Komunës Dardhas në Korçë dhe për kryetarin e Komunës Rrethina në Shkodër.
 
 

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›