E Shtunë, 31 Tetor 2026

Identiteti në kohën që jetojmë

Gazmend Kapllani/ kolumnist i gazetës “Ta Nea”

-Ne shqiptarët kemi neglizhuar një element postmodern që ka identiteti shqiptar. Domethënë, të qenit shqiptar nuk varet nga çfarë emri ke dhe çfarë feje ke. Dhe besoj se në epokën që jetojmë, nëse shqiptarët do të dinë ta shfrytëzojnë mirë këtë lloj elementi postmodern që kanë në identitetin e tyre, do të dalin të fituar. E dyta është që shqiptarët erdhën në një shoqëri që ka një konformizëm shumë të madh kulturor dhe nuk është mësuar me emra të huaj, një shoqëri e cila ishte mësuar nëpër shkolla se "virtyti më i madh yni është të qenit homogjen“, të qenit 99%-100% homogjenë, grekë ortodoksë. E treta, arsyeja duhet kërkuar edhe pak te vetvetja, jo gjithmonë tek të tjerët, sepse nuk i ndryshuan që të gjithë emrat, duhet kërkuar edhe te një krizë identiteti që kaluan shqiptarët. Shqiptarët nuk i ndryshuan emrat vetëm në Greqi, ka edhe në vende të tjera, por ndoshta më pak. Dhe e katërta, duhet të mësohemi një çikë se jemi individë dhe kemi të drejtë t'i ndërrojmë emrat ashtu siç duam dhe të vëmë çfarë emrash të duam. Problemi kryesor, dhe aty ku unë e lokalizoj problemin është që: nëse dikush ndërron emrin, sepse e bëjnë që ta përjetojë origjinën e tij si stigëm, atje është një lloj "dhune kulturore". Që andej e tutje, çdonjëri ka të drejtë të vërë çfarë emri të dojë. Ekzistojnë të gjitha arsyet. Unë të paktën kam lexuar për emigrantët grekë që shkonin në Ellis Island, se si u ndërronin emrat dhe mbiemrat, sepse nuk ua shqiptonin dot, dhe u thoshin do të merrni këtë emër dhe mbiemër, sepse këtë duam ne. Në njëfarë mënyre, emigracioni vetë, është të bësh kurban një pjesë të identitetit tënd, është vetë përkufizimi i emigracionit. E dyta, padyshim që ekzistonin arsye pragmatike: në Greqi funksionon jashtëzakonisht skema e nunit. Imagjinoni një emigrant, i cili është krejt i vetëm - në mënyrën se si erdhën emigrantët shqiptarë - i cili ndihet thuajse jetim në një vend ku është i paligjshëm të gjejë një lloj mbrojtësi, një lloj protektori tek nuni i tij, i cili do ta pagëzojë dhe do të bëhet nuni i tij. Pra ekziston edhe një lloj formule shoqërore, që nuk është vetëm dhunë, është edhe mbrojtje, sepse nuk janë bardhë e zi gjërat në emigracion.

Shkëputur nga DW


Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›