E Shtunë, 31 Tetor 2026

INSTAT, produktet ushqimore në prill kushtuan më lirë



Produktet ushqimore kanë kushtuar më lirë në muajin prill sesa një muaj më parë, në muajin mars. INSTAT në të dhënat e botuara për muajin bën me dije se indeksi i çmimeve të konsumit në muajin prill të 2009-s ishte më i ulët se në muajin mars. Sipas burimeve nga Instituti i Statistikave (INSTAT), indeksi i çmimeve në muajin prill të këtij viti ishte 103.9 për qind, kundrejt muajit dhjetor 2007 (dhjetor 07=100), duke shënuar një ulje prej 0.1 për qind në krahasim me muajin e mëparshëm. Ndryshimi vjetor në muajin prill ishte 1.9 për qind, ndërsa një vit më parë ky ndryshim ishte 4.4 për qind. Gjatë muajit prill indekset e çmimeve në një sërë grupesh pësuan ulje si në grupet dhe nëngrupet "Ushqime dhe pije joalkoolike” (ulje prej 0.2 për qind). Brenda këtij grupi ulja më e madhe prej 3 për qind u vërejt në nëngrupin “Zarzavate, përfshirë patatet”. Po ashtu, çmimet janë ulur edhe në disa nëngrupe të tjera të grupit të ushqimeve si "Bukë e drithëra” (1,3 për qind), “Peshk” (0.3 për qind), “Sheqer dhe reçelra” (0.3 për qind), “Vajra dhe yndyra” (0.8 për qind) etj. Ulje u vërejtën edhe në indeksin e grupit “Veshje dhe këpucë” (0.1 për qind), në grupin “Shëndeti” (0.3 për qind) etj. Në fakt shqiptarët, në pjesën e parë të këtij viti, kanë shpenzuar më pak në blerjen e produkteve ushqimore. Sipas të dhënave të Institutit Shqiptar të Statistikave (INSTAT), vlera e importit të grupit të prodhimeve “Ushqime, pije e duhan” për tre muajt e parë të këtij viti ishte 16.26 miliardë lekë ose 11.5% më pak se e njëjta periudhë e një viti më parë. Kjo rënie e madhe e vlerës së importit të tyre është reflektuar edhe në peshën e importeve. Krahasuar me tremujorin e parë të vitit të kaluar, pesha e ushqimeve, pijeve dhe duhanit ndaj totalit të importit ka rënë me 2 pikë përqindje. Arsyeja kryesore e rënies së vlerës së importeve është rënia e çmimit të një pjese të mirë produktesh ushqimore. Rënien më të madhe të çmimit duket ta kenë shënuar drithërat (kryesisht gruri), i cili zë një peshë të madhe në tregtinë e produkteve ushqimore. Sipas të dhënave të Ministrisë së Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, gjatë vitit të kaluar importi i drithërave dhe produkteve me bazë brumi zinte më shumë se 22% të totalit të vlerës së importit të produkteve ushqimore, të grurit dhe misrit përbënte gati 14% të totalit të vlerës së importit, ndërsa rreth 7% importet e nënprodukteve të tyre. Pesha e tyre ishte gati 3 herë më e lartë se ajo e importit zyrtar të cigares. Sipas të dhënave të Shoqatës Ndërkombëtare të Drithit, çmimi i grurit ka rënë më shumë se tri herë gjatë kësaj periudhe krahasuar me një vit më parë. Megjithatë, siç shpjegojnë edhe ekspertët e tregtisë, rëniet e çmimeve pas rritjes për një periudhë të caktuar nuk janë shoqëruar me rënie të vlerës së importit të produkteve ushqimore. Tregu shqiptar ka paraqitur një tendencë të rritjes së konsumit dhe për shkak të mungesës së plotësimit në masë të gjerë të saj nga prodhimi vendas, importi i produkteve ushqimore ka paraqitur tendencë në rritje. Por efekti i rënies së çmimeve të importit bashkë me rënien e kërkesës së brendshme për prodhime duket të kenë ndikuat që të “blejmë” më pak prodhime ushqimore. Disa prej importuesve kryesorë në vend, tregojnë se gjatë pjesës së parë të këtij viti kanë importuar më pak ushqime. Për shkak të rënies së kërkesës në vend, ata tregojnë se janë më të frenuar në realizimin e blerjeve jashtë.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›