E Diel, 1 Nëntor 2026

Analizat, Trebicka i pastër nga helmi, droga e alkooli

Mjekët Ligjorë dorëzojnë në Prokurorinë e Përgjithshme tre akt-ekspertimet kimike të Kosta Trebickës

TIRANË- Kosta Trebicka nuk ka qenë i helmuar, i droguar apo nën efektet e alkoolit, në momentin që humbi jetën në rrethana të mistershme në aksin rrugor Lekas-Voskopojë. Kjo është përgjigjja e analizave kimike, që ka mbërritur dje në Prokurorinë e Përgjithshme, së bashku me raportin përfundimtar të Mjekësisë Ligjore. Ekspertët mjeko-ligjorë raportuan pranë organeve të hetimit se Kosta Trebicka vdiq si pasojë e politraumës, nga goditjet në kokë e në gjoks. Burimet zyrtare pranë Prokurorisë së Përgjithshme konfirmuan për “Shekullin” se tre akt-ekspertimet e fundit të kryera nga Instituti i Mjekësisë Ligjore i janë dorëzuar grupit hetimor të ngritur për zbardhjen e “aksidentit” të biznesmenit Kosta Trebicka. “Ekspertët e Institutit të Mjekësisë Ligjore, me kërkesë të Prokurorisë së Korçës, kanë kryer tre akt-ekspertimet e fundit në lidhje me analizat bio-kimike të kryera në trupin e biznesmenit Kosta Trebicka. Në përfundim të analizave të gjakut dhe lëngjeve të marra nga organizmi i brendshëm i viktimës, ka rezultuar se Trebicka, nuk ka qenë i helmuar, as i droguar dhe as i alkoolizuar”,-thonë anëtarë të grupit hetimor.

Përfundimi i analizave kimike të çon në përfundimin që Trebicka nuk ka pasur asnjë shkak fizik apo shëndetësor, që të ulte aftësinë e tij në drejtimin e makinës. Po ashtu, ekspertët kanë përfunduar edhe akt-ekspertimin e gjendjes shëndetësore të viktimës, sipas së cilës rezulton se para vdekjes të mistershme, ai gëzonte shëndet të plotë. Ndërkaq, edhe akt-ekspertimi i gjurmëve papilare të gishtave të gjetura në makinë dhe gjakut të gjetur nën trupin e pajetë kanë rezultuar se janë të viktimës. Këto raporte vijnë menjëherë pas përfundimit të akt-ekspertimit përfundimtar, mbi shkaqet e vdekjes së Trebickës, që sipas ekspertëve mjeko-ligjorë,shkaku i vdekjes së Kosta Trebickës ka qenë shembja e kokës dhe e gjoksit, e shoqëruar me dëmtime të trurit dhe mushkërive nga mekanizmi i goditjes – përplasjes, karakteristike për aksidentet automobilistike. Sipas burimeve zyrtare pranë organit të akuzës mësohet se ekzaminimi i kufomës së shtetasit Kosta Trebicka është kryer në morgun e Spitalit rajonal të Korçës dhe më pas këto analiza janë përfunduar në laboratorin e Mjekësisë Ligjore në kryeqytet.

Nga analizat përfundimtare të kryera nga ekspertët mjeko-ligjorë dhe duke parë veçoritë e dëmtimeve të jashtme dhe atyre të brendshme në trupin e viktimës, është konstatuar se shkaku i vdekjes së Kosta Trebickës ka qenë “politrauma” e shoqëruar me “kontuzion” (shembje) të kokës dhe të gjoksit, të shoqëruar me dëmtimet e organeve përkatëse gjatë mekanizmit të goditje-përplasjes. Mësohet se ky grup i ekspertëve të Mjekësisë Ligjore, përveç nxjerrjes së këtyre konkluzioneve për shkakun e vdekjes së Trebickës, në dosjen e autopsisë kanë administruar edhe fotografitë e gjithë dëmtimeve të ekzaminuara, të cilat janë konstatuar gjatë kryerjes së analizave përfundimtare të kufomës.

ANALIZAT KIMIKE

Në përfundim të analizave të gjakut dhe lëngjeve të marra nga organizmi i brendshëm i viktimës, ka rezultuar se Trebicka, nuk ka qenë i helmuar, as i droguar dhe as i alkoolizuar.

GJURMËT E GISHTAVE

Akt-ekspertimi i gjurmëve papilare të gishtave, të gjetura në makinë dhe gjakut të gjetur nën trupin e pajetë, në mes të rrugës kanë rezultuar se janë të viktimës Kosta Trebicka

AUTOPSIA

Shkaku i vdekjes së Kosta Trebickës ka qenë “politrauma” e shoqëruar me “kontuzion” (shembje) të kokës dhe të gjoksit, të shoqëruar me dëmtimet e organeve përkatëse gjatë mekanizmit të goditje-përplasjes

Asnjë konkluzion pa mbërritur raporti i ekspertit amerikan Prokuroria e Përgjithshme, në pritje të raportit të Teter

TIRANË- Për Prokurorinë e Përgjithshme, kanë përfunduar të gjitha veprimet hetimore për zbardhjen e vdekjes së Kosta Trebickës, por ende nuk ka një konkluzion. Kjo pasi grupi hetimor është duke pritur vetëm akt-ekspertimin autoteknik të makinës, të përgatitur nga eksperti amerikan, Kevin Teter. Ky i fundit, pas mbledhjes së provave dhe këqyrjes së makinës është larguar drejt Virxhinias në SHBA, ndërkohë që raporti i tij pritet të mbërrijë në Prokurorinë e Përgjithshme, nëpërmjet Ambasadës Amerikane. Kevin Teter, i specializuar për ekspertiza teknike të makinave mbërriti në Shqipëri pak ditë pas vdekjes së Kosta Trebickës. Pasi këqyri vendin e ngjarjes, ai kontrolloi për orë të tëra makinën “Nisan Patrol”, të parkuar në drejtorinë e policisë së Korçës, makinë kjo në gjendje shumë të mirë, duke marrë parasysh versionin se ka kryer disa salto dhe përplasje me tokën. Sipas ekspertit amerikan, motori, sistemi i frenave dhe kushtet e tjera teknike të makinës ishin të mira, madje, makina është ndezur pa pikë problemi nga Teter, duke të lënë përshtypjen se nuk kishte pësuar kurrfarë problemi. Megjithatë, eksperti i Virxhinias nuk ka sjellë në Tiranë asnjë konkluzion për ngjarjen, duke lënë në pritje organin e akuzës. Kosta Trebicka, dëshmitari kyç i çështjes së Gërdecit, humbi jetën mesditën e 12 shtatorit, në aksin rrugor Lekas-Voskopojë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›