Takimi i fshehtë, Pinari hesht për mikun e Shkëlzenit
Pas letrës së Geri Kokalarit, ku përmendet emri i Rrahman Selmanllarit, një grup prokurorësh morën në pyetje ish-drejtorin e MEICO-s
TIRANË- Dyshimet për pjesëmarrjen e biznesmenit Rrahman Selmanllari në takimin e fshehtë me Efraim Diverolin në Tiranë, kanë çuar një grup prokurorësh në qelinë e ish-drejtorit të MEICO-s, Ylli Pinari. Letra e Geri Kokalarit, drejtuar kryeprokurores Ina Rama, ku përmendet emri i Rafit, mik i djalit të kryeministritsi personi i pestë në këtë takim të fshehtë për trafikun e armëve, ka ngjallur interesimin e grupit të hetimit të tragjedisë së Gërdecit. Burime të prokurorisë bëjnë të ditur se ish-drejtori i MEICO-sështë pyetur për këtë takim, për të cilin Kokalari thotë se Diveroli është kërcënuar prej Selmanllarit, duke deklaruar aty se kishte lidhje të ngushta me djalin e kryeministrit, Shkëlzen Berishën. Por njëri prej protagonistëve të këtij takimi, Ylli Pinari, vazhdon të heshtë për bashkëpunëtorët e tij në aferën e armëve. Ai ka refuzuar t’iu përgjigjet pyetjeve të prokurorëve, ndërsa ka mbajtur qëndrim mohues për Selmanllarin.
Takimi i fshehtë mes Efraim Diverolit, presidentit të AEY-së, që blinte fishekët në Shqipëri, përfaqësuesit të tij në Tiranë, Aleks Podrizki, Ylli Pinarit, Mihal Delijorgjit dhe një personi të pestë, i prezantuar si i dërguari i Shkëlzen Berishës, është denoncuar për prokurorinë nga biznesmeni Kosta Trebicka. Pak ditë para vdekjes misterioze të Trebickës, aktivisti i njohur shqiptar në SHBA, Geri Kokalari, i bënte me dije kryeprokurores Ina Rama se personi që ka marrë pjesë në takimin e përgjuar të trafikut të armëve ka qenë Rrahman Selmanllari.Në atë takim, ku 22-vjeçarit Diveroli i është bërë presion për çmimin e fishekëve, është përmendur emri i djalit të kryeministrit, ndërkohë që Prokuroria e Përgjithshme ende nuk e ka identifikuar këtë person.
Takimi i fshehtë me Efraim Diverolin në Tiranë do të zbardhte një sërë pikëpyetjeshpër grupin e hetimit, pasi fill pas kësaj ngjarjeje, presidenti 22-vjeçar i AEY-së do t’i thoshtë Trebickës: “ka shkuar shumë lart, tek kryeministri dhe djali i tij. Unë nuk mund të luftoj këtë mafie. Është bërë shumë e madhe. Kafshët sapo dolën jashtë kontrollit”. Zbardhja e këtij takimi duket se ka qenë dhe objekt hetimi i organit të akuzës, të cilët fill pas publikimit të letrës kanë marrë në pyetje një nga personat e përfolur në këtë takim, Ylli Pinarin. Burime të grupit të hetimit thonë se ish -drejtori i MEICO-s, mbi të cilin rëndon akuza për “vrasje në rrethana cilësuese, të më shumë se 2 personave dhe rrezikshmërinë e dhjetëra personave të tjerë, vepër penale e kryer në bashkëpunim”,nuk ka pranuar të flasë për këtë takim. Megjithëse është marrë në pyetje, Pinari nuk ka rrëfyar asgjë për takimin e shumëpërfolur apo edhe për personin e pestë që sipas Kokalarit ka kërcënuar edhe një prej drejtuesve të firmës, Diverolin. Në letrën e tij, Kokalari shkruan se Efraim Diveroli dhe Alex Podrizki mund të identifikojnë biznesmenin edhe pse gjatë bisedës është prezantuar vetëm si i dërguar i djalit të kryeministrit.
MOHIMI
Reagimi i Selmanllarit për takimin me Diverolin
TIRANË- Emri i Rrahman Selmanllarit doli në skenë pas arrestimit në Itali të nipit të tij, të cilit iu gjend drogë në makinën e ambasadës shqiptare. I njohur në kryeqytet për miqësinë e tij me djalin e kryeministrit, Selmanllari i njohur si “Rafi” u lakua për pjesëmarrjen në takimin e fshehtë për armët.Fill pas këtij lajmi, Geri Kokalari tha se “Rafi” ka qenë prezent në pazaret mes Efraim Diverolit, president i kompanisë AEY, drejtorit të MIECO-s, Ylli Pinarit dhe Mihal Delijorgjit. Një fakt i tillë është mohuar ngaRrahman Selmanllari, xhaxhai i të arrestuarit22-vjeçar në Milano. Rrahman Selmanllari ka folur edhe për akuzat e ngritura se ai është i përfshirë në trafik fishekësh.