Arrestohet në Uruguai ish-bosi i piramidës Populli
TIRANË- Marrin fund vitet në arrati të ish-kreut të firmës piramidale “Populli”, Bashkim Driza. Vetëm një muaj pasi ish-bosi i firmës piramidale “Cenaj Co” iu dorëzua policisë shqiptare, një tjetër “arkitekt” i piramidave ka rënë në duart e policisë. 50-vjeçari Bashkim Driza kishte shkuar deri në Uruguai për t’i shpëtuar burgut, por edhe atje është diktuar nga Interpoli, megjithëse pas gjashtë vitesh kërkim. Arrestimin e tij e ka bërë të ditur zyrtarisht ditën e djeshme Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit. Driza është arrestuar tre ditë më parë në Uruguai, pas kërkesës së Interpol Tiranës, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, më datë 18 korrik të vitit 2002 e ka dënuar atë me 16 vjet burg për veprën penale të “mashtrimit në bashkëpunim”
Arrestimi
Bashkim Driza është shpallur në kërkim nga policia që prej vitit 1997, pak kohë pasi fondacioni i tij u shemb së bashku me kursimet e 304 240 shtetasve. Por trazirat e atij viti i dhanë shansin Drizës të braktiste burgun dhe të largohejnga Shqipëria, ndërsa informacionet e policisë tregonin se ai kishte shkuar për t’u strehuar në Amerikën Latine. Kështu, në korrik të vitit 2002 Gjykata e Tiranës vendosi të dënojë me 16 vite burgim ish-kreun e firmës piramidale “Populli”. Bashkim Driza u shpall në kërkim ndërkombëtar ndërsa Interpol-Tirana nisi të hetojë për të zbuluar vendndodhjen e ish-bosit. “Pas shpalljes në kërkim ndërkombëtar të Bashkim Drizës, është mbajtur korrespondencë e vazhdueshme me Interpol Santiagon e Kilit, Interpol Montevideon e Uruguait dhe Interpol Santo Domingon e Republikës Domenikane, pasi shtetasi Driza njihej nga ana e tyre, pasi ishte i pajisur me pasaportë uruguaiane dhe domenikane, si dhe kishte lëvizur nga Uruguai dhe Kili për në Republikën Domenikane dhe anasjelltas”,- bën me dije zëdhënësi i policisë së shtetit, Klodian Branko.
Ekstradimi
Më datë 22 shtator të këtij viti, policia e shtetit ka marrë një mesazh nëpërmjet së cilit është informuar nga Interpol Montevideo se Driza është arrestuar në Uruguai dhe aktualisht mbahet në kushtet e “arrestit shtëpiak”. Në këtë mesazh, policisë shqiptare i është kërkuar dërgimi i dokumenteve në rrugë diplomatike. Nga ana e Interpol Tiranës ky mesazh i është dërguar Ministrisë së Drejtësisë, për të bërë të mundur dërgimin e dokumentacionit në rrugë diplomatike pranë autoriteteve uruguaiane, për ndjekjen në vazhdimësi të procedurave me qëllim ekstradimin e 50-vjeçarit Bashkim Driza. Ky i fundit akuzohet se ka mashtruar 304 240 shtetas, në shumën 870 milionë lekëve. Ai në bashkëpunim me të tjerë persona, krijoi në vitin 1996 një fondacion të quajtur “Populli” nëpërmjet së cilit filloi të mblidhte para në formën e huamarrjes nga publiku. Ky i fundit u mashtrua nga premtimet e Drizës se do të hapte aktivitete të mëdha që do të kishin fitim të trefishtë. Por një vit më vonë, pikërisht në vitin 1997, firma “Populli” u fundos bashkë me paratë e qytetarëve.
VENDIMI
Driza u dënua me 16 vjet burg
TIRANË- Bashkim Driza ka lindur më 3 shkurt të viti 1958 në Fier, ndërsa banonte në Tiranë. Në vitin 1996 ai u bë ortak me disa drejtues firmash piramidale, ku qytetarët depozitonin para pas premtimit se çdo tre muaj do të merrnin dyfishin. Kështu Driza, në bashkëpunim me persona të tjerë, krijoi fondacionin e quajtur “Populli” me anë të të cilit mblodhi paratë e 304240 njerëzve. Firma e tij funksionoi vetëm një vit dhe më pas u shpall piramidë, ndërsa paratë nuk iu kthyen shumë personave. Driza u arrestua në vitin 1997, por i shpëtoi burgut për shkak të trazirave të ‘97. Për t’iu shmangur dënimit, Bashkim Driza u largua nga vendi për të gjetur strehim në vendet e Amerikës Latine. Por as atje ai nuk ka mundur t’i shpëtojë ndjekjes pasi sipas policisë, vetëm tre ditë më parë është arrestuar ndërsa drejtësia shqiptare ka nisur procedurat për ekstradimin e tij me qëllim vuajtjen e dënimit prej 16 vite burgim në burgjet shqiptare. K.K
Vendimet e “Piramidave”
Vehbi Alimuça
Në mars 2001 Gjykata e Shkallës së Parë në Tiranë e dënoi me pesë vjet burg, në dhjetor të po të njëjtit vit, Gjykata e Apelit jep 20 vjet burg
Shemsie Kadria
Në janar të vitit 2001, Gjykata e Shkallës së Parë e dënoi me 17 vjet burg, në qershor 2001 Gjykata e Apelit e lë në fuqi këtë dënim. Kadria është liruar nga burgu më shumë se një vit më parë
Fitim Gerxhalliu
Në janar të vitit 2001 Gjykata e Shkallës së Parë në Tiranë e ka dënuar me 20 vjet burg, në qershor të po atij viti, Gjykata e Apelit e dënoi me 11 vjet burg
Gani Kadria
Në janar të vitit 2001 Gjykata e Shkallës së Parë në Tiranë e ka dënuar me 20 vjet burg, Gjykata e Apelit, me 10 vjet burg
Maksude Kadena
Në shkurt 2001 Gjykata e Shkallës së Parë në Tiranë e ka dënuar me pesë vjet burg. “Sudja” ishte e para që kreu dënimin dhe më pas mori lirinë
Bashkim Driza
Në muajin korrik të vitit 2002, Gjykata e Shkallës së Parë në Tiranë e ka dënuar me 16 vjet burg
Arben Çepelja
Në muajin korrik të vitit 2002, Gjykata e Shkallës së Parë në Tiranë e ka dënuar me 12 vjet burg
Ferdinand Kamberi
Në muajin nëntor 2002, Gjykata e Shkallës së Parë në Tiranë e ka dënuar me 18 vjet burg
Mustafa Leka
Në vitin 2002 Gjykata e Shkallës së Parë në Tiranë e ka dënuar me 20 vjet burg
Lefter Cenaj
Në shkurt 2003, Gjykata e Shkallës së Parë në Tiranë e ka dënuar me 10 vjet burg
KËRKESA
Cenaj: Të më njihet burgu që bëra në Greqi
TIRANË- Lefter Cenaj, ish-bosi i firmës piramidale “Cenaj & Co” kërkon nga Gjykata e Tiranës t’i njihen në Shqipëri ditët e vuajtjes së burgut në Greqi. Sipas kërkesë padisë depozituar nga avokati mbrojtës i Cenajt kërkohet që t’i njihet vendimi i gjykatës greke, ku ai është dënuar me 5 vjet e 6 muaj burg, të cilin e ka mbajtur në shtetin helen. Sipas pretendimit të tij, dënimi i kryer në Greqi është për të njëjtën akuzë të cilën është dënuar në Shqipëri. Cenaj u arrestua nga policia greke më 28 shkurt të vitit 2002. Autoritetet e policisë lokale i bllokuan një llogari bankare prej 10 mijë USD, ndërsa është bërë publike se i janë zbuluar llogari dhe asete të tjera në emrin e tij. Cenaj u dënua nga drejtësia greke për akuzat e “evazionit fiskal” dhe “pastrimit të parave”, të cilat në atë vit nuk përfshiheshin në Kodin Penal të Republikës së Shqipërisë.