Greva greke, 100 milionë lekë defiçiti në Kakavijë
Kakavijë- Greva e doganierëve grekë përpos paralizimit të punës dhe lëvizjes normale të njerëzve dhe automjeteve ka sjellë pas edhe humbje të konsiderueshme parash.
Plot 100 milionë lekë llogaritet defiçiti në doganën e Kakavijës për shkak të grevës së doganierëve grekë. Shifra është bërë publike sot nga drejtues të doganës së Kakavijës, të cilët kanë bërë një bilanc të punës dhe asja që do të merrej po të punohej në kushte normale.
“Dëmi më i madh i shkaktuar nga kjo grevë është shkaktuar në aspektin ekonomik, pasi nuk ka pasur radhë të gjatë njerëzish që të jenë detyruar të qëndrojnë në pritje”- kanë bërë të ditur burimet nga kjo doganë.
Sipas tyre, pritet që puna të rifillojë nesër në mëngjes, në orën 07.00, por ende nuk ka një njoftim zyrtar nga pala greke për këtë gjë.
Sot, policia e Gjirokastrës ka ngritur postblloqe në rrugën nacionale Gjirokastër- Kakavijë, që sinjalizojnë emigrantët për grevën në anën greke të kufirit.
Radhë në doganën e KapshticësKapshticë- Pika e kalimit doganor të Kapshticës vazhdon të mbetet e bllokuar për shkak të grevës së nisur të doganierëve grekë. Sipas burimeve të policisë kufitare mësohet se aktualisht në anën tonë të kufirit janë në radhë 20 maune, në pritje për të hyrë në tokën greke.
“Maunet janë të mbushura me mallra të ndryshme, shumë prej të cilave, e kanë të pamundur të presin për një kohë të gjatë në radhë”- thonë të njëjtat burime.
Sipas tyre, edhe në anën greke të kufirit ka radhë, makina të shumta, maune të ngarkuara me mallra dhe njerëz, në pritje për t’u futur në tokën shqiptare.
Ndërkohë, që qarkullimi i njerëzve vazhdon të jetë pa probleme, si e vetmja mundësi lëvizjeve që kanë favorizuar doganierët grekë, në grevën e paralajmëruar që më parë.
Sipas njoftimit zyrtar të palës greke, greva do të zgjaste 48 orë, që do të thotë se lëvizja në doganë do të normalizohet nesër në mëngjes në orën 07.00. Por, burime pranë doganës bëjnë me dije, se nuk është ende e sigurt mbyllja e grevës. (A.Grabocka)