E Shtunë, 31 Tetor 2026

Analizë me Hasanin dhe Hysenin

Periskopi/ Po shkatërrohet profesioni i gazetarit nga disa tellallë të neveritshëm. Nuk mbrohen parimet profesionale dhe etike, por interesat e ulëta. Nuk luftohet për cilësi, por për shumësi dhe shurdhësi


Në atë vend ku gazetarët dhe politikanët i kanë punët shumë mirë, aty nuk ka demokraci të mirëfilltë. Gazetarët janë, duhet të jenë qytetarë që lirinë e shprehjes e përdorin në interes të opinionit publik. Një gazetar me pasion kurrë nuk mund të shkruajë një artikull të mirë pa synuar të ndryshojë realitetin e keq, mbytës. Gazetaria është diçka krejt tjetër në dallim nga rrëfimi i përrallave, nuk është procesverbal. Gazetarët duhet të jenë tregues të minutave të historisë! Si është puna në Kosovë? A ka liri mendimi në këtë vend? Në Kosovë edhe kur debatohet për këtë temë, zakonisht dominon muhabeti personal dhe jo analiza profesionale. Në përgjithësi diskutimet zhvillohen në stilin - i thashë unë Hasanit se më ka thënë Hyseni. Është neveritëse kur gazetarët me ton vrastar e keqpërdorin gjuhën kur gërthasin pa asnjë dobi për lexuesin.
Të kthehemi te pyetja: a ka liri mendimi në Kosovë? Në radhë të parë problemi qëndron në atë se në Kosovë ka shumë pak gazetarë që e përdorin fjalën e lirë, që kanë kurriz të durojnë presionet herë serioze, herë të përzemërta nga ana e pushtetit. Shumica e gazetarëve kanë zgjedhur rrugën tjetër: ata kanë pranuar të korruptohen! Për fat të keq rendi i gazetarëve që janë të gatshëm të korruptohen është tepër i gjatë. Madje jo pak prej tyre mendojnë se të jesh gazetar domethënë të lavdërosh vazhdimisht ose pushtetin ose opozitën, pa marrë parasysh se e vërteta mund të jetë krejt ndryshe. E kush nuk shkruan për realitetin, gënjen. Pra, në Kosovë jo pak gazetarë janë gënjeshtarë. Si shpërblim për
rrenat e tyre ata favorizohen dhe përfitojnë nga pushteti ose nga opozita. Këta gazetarë që pushteti i blen si qatip dhe që shiten për një qofte janë shkatërrues të profesionializmit në gazetari.
Sot në Kosovë pothuaj çdokush mendon se mund të bëhet gazetar, pothuaj çdokush e ngatërron profesionin e gazetarit me atë të tyxharit. Ky model nuk është i panjohur në Ballkan. Në Shqipëri në vitin e mbrapshtë 1997 një grusht gazetarësh i hodhën penat në greminë dhe filluan të derdhin benzinë në zjarr, i cili e përfshiu gati gjithë shtetin, duke
rrezikuar vetë ekzistencën e tij. Shumica e këtyre gazetarëve sot janë mbështetës të flaktë të Sali Berishës, i cili atëbotë faktikisht ishte detyruar të largohej nga pushteti. Sot këta pseudogazetarë janë të përkdhelurit e Berishës, janë militantët e tij, që bëjnë yrysh ndaj çdo kritiku të qeverisë. Ky model po kopjohet për çdo ditë në Kosovë, ku në jo pak media me sukses po korruptohet fjala e lirë dhe mendimi i pavarur. Meqë tregu medial në Kosovë është tmerrësisht i ngushtë në shumicën e mediave mbretëron një kanibalizëm i pashoq në rajon. Nuk mbrohen parimet profesionale dhe etike, por interesat e ulëta. Nuk luftohet për cilësi, por për shumësi dhe shurdhësi. Po injorohet e vërteta se gazetat dhe televizionet, radiot dhe agjencitë e lajmeve nuk janë thjeshtë firma që duhet të punojnë vetëm për dobinë e klaneve politike, familjare, mafioze, ekonomike etj. Në vendet demokratike mediat kanë mision iluminist - dhe këtij misioni ato i qëndrojnë besnike. Në fushën e gazetarisë në Kosovë sot shtrohet vetëm kjo pyetje: si të shpëtohet dinjiteti profesional dhe si të mbrohet fjala e lirë? Këtë menjëherë dhe me sinqeritet duhet ta bëjnë botuesit/pronarët e medieve. Sidomos të atyre mediave që nuk janë nën kontroll të pushtetit.
Mediat e tjera, siç është, për shembull, Radiotelevizioni i Kosovës, ku politikanët me një thirrje telefonike mund të bllokojnë emetimin e ndonjë raporti apo kronike kritike, tashmë e kanë shitur dinjitetin profesional. Janë të njohura edhe gazetat, ku pushtetarët përmes mesazheve telefonike (SMS) porosisin debate dhe lançojnë fushata.
Mbrojtja e profesionit të gazetarit duhet të bëhet në radhë të parë duke i trajtuar me respekt punëtorët publicistikë, gazetarët, reporterët, autorët e pavarur. Duke investuar në përgatitjen e tyre profesionale, duke iu dhënë kurajo në hulumtimet e tyre aspak të lehta në xhunglën kosovare, duke ua shpaguar punën në aspektin financiar. Me një fjalë: duke krijuar kushte sa më optimale për punë. Sepse një gazetar serioz nuk mund të blihet e shitet si mall në pazar. Të tillë nuk ka në pazar, atje ka kryesisht prostituta publicistike. Një gazetar nuk mund ta ndërtojë kredibilitetin e tij profesional për një ditë, as për një vit. Rrjedhimisht është në interes të botuesve, të opinionit dhe të publicistikës që të mbrohen ata gazetarë që ende besojnë se e vërteta nuk mund të korruptohet as nga politikanët
e (pu)shtetit as nga opozita. Nëse nuk ndodhë kjo, atëherë gazetat do të dominohen prej shkruesve dhe jo prej gazetarëve. Edhe ashtu përmbajtja e gazetave në Kosovë nuk është për t'u mburrur. Pothuaj kudo po dominon një stil protokollar i raportimit, gjuha e përdorur është kryesisht shterpe dhe shpeshherë me nocione tmerrësisht teknike, nuk
botohen reportazhe (disiplinën mbretërore të gazetarisë nuk e zotëron gati askush nga gazetarët në Kosovë!), por as portrete personazhesh interesante nga jeta e përditshme, nga politika, ekonomia etj. Kjo gjendje është krijuar edhe për shkak të neglizhencës së botuesve. Tani është çasti i fundit për një kthesë pozitive.

 

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›