E Diel, 1 Nëntor 2026

Kartat, Berisha: Nuk ka krizë, ekspertët po punojnë

Kryeministri Berisha mohoi dje të ketë krizë për kartat. Akuzon sërish Edi Ramën.

TIRANË- Edhe pse të dhënat zyrtare të Ministrisë së Brendshme flasin për një situatë aspak pozitive të pajisjes me karta të qytetarëve pa pasaportë, (vetëm 191 mijë nga 730 mijë), Kryeministri Sali Berisha ka deklaruar dje, në konferencën për shtyp, se nuk ka krizë, dhe se kjo ekziston vetëm në mendjen e kryetarit të opozitës, Edi Rama.

Kreu i ekzekutivit ka deklaruar se negociatat janë në duart e ekspertëve, duke përjashtuar çdo mundësi që kartat të mund të shpërndahen falas para zgjedhjeve për personat që nuk disponojnë pasaportë. Ashtu si edhe herët e tjera, Berisha është ndalur gjatë me akuza ndaj kryetarit të opozitës, Edi Rama. "A e dini se ai është në mënyrë konstante në krizë.

Edi Rama është 'non stop' në krizë. Një njeri në fakultetet mendore normale nuk do të mund të bënte kurrë atë që bëri, që dha 19 leje nga 28 gjithsej, për vete dhe eftimin e tij. Bëni një pyetje se në cilin regjim në botë mund të ndodhte që kryetari i bashkisë, apo kryetari i komitetit ekzekutiv në diktaturë, të merrte vetë apo t'i jepte vëllait të tij 19 nga 28 leje të dhëna.

Vetëm një njeri që po përjeton një krizë të thellë morale, që e ka zeruar moralin dhe normën, mund t'i lejojë vetes të shpërfytyrohet në këtë mënyrë",- tha Berisha.

Ai shtoi se, "është e vërtetë që unë kam diskutuar me ambasadorët, është e vërtetë që ne jemi të hapur, përveç variantit që kemi shprehur dhe opozita është e mirëpritur të japë variantet e saj. Ekspertët po diskutojnë për të gjetur rrugët më të përshtatshme".

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›