Përplasje me armë në tavernë, një i plagosur
Korab Çejku, 26 vjeç, mori një plagë me armë zjarri, ndërsa policia shpalli të dyshuar si autor të krimit Martin Gjinajn
Dy persona janë arrestuar, për të njëjtën ngjarje me akuzën e moskallëzimit të krimit të ndodhur ndërsa ata ishin dëshmitarë
TIRANE- Një person ka mbetur i plagosur, pas një konflitkti me armë për motive banale në një tavernë nate në kryeqytet, ndërsa autori i krimit është shpallur në kërkim nga policia.
Ndërkaq, dy persona janë arrestuar nga policia me akuzën e moskallëzimit të krimit, plagosjes së ndodhur në ambientet e tavernës në rrugën e Durrësit në Laprakë.
Korab Çejku, 26 vjeç, banues në Tiranë, është qëlluar me pistoletë nga Martin Gjinaj 32 vjeç, në ambientet në një lokal nate në lagjen Laprakë të Tiranës.
Për këtë ngjarje, Gjinaj është shpallur në kërkim nga policia me akuzat e vrasjes së mbetur në tentativë dhe të armëmbajtjes pa leje.
Ndërkaq po për këtë ngjarje, policia ka ndaluar edhe Adriatik Qarri dhe Mimoza Sukaj, të cilët sipas policisë nuk kanë pranuar të japin sqarimet e tyre mbi ngjarjen ndonëse kishin dijeni të plotë mbi të sipas hetuesve. Ngjarja sipas burimeve të policisë ka ndodhur për motive, banale pasi sipas policisë, palët kanë qenë në gjendje të dehur.
Pas krimit, autori u largua nga vendi i ngjarjes, ndërsa i dëmtuari u dërgua për mjekim në spitalin ushtarak në gjendje të rëndë shëndetësore. Pas mjekimit të marrë, i dëmtuari sipas burimeve të policisë, ka kaluar rrezikun për jetën, ndërsa ka dhënë një deklarim mbi ngjarjen dhe konfliktin që kishte pasur me autorin e krimit.
Konflikti
Burimet zyrtare nga policia sqarojnë se i plagosuri ka qëndruar në tavernë deri në orët e para të mëngjesit të ditës së djeshme dhe në fund ka filluar një debat të ashpër me autorin e plagosjes i cili ndodhej si klient në tavernë.
Pas sherrit me fjalë, 32 - vjeçari e ka qëlluar me një armë tip pistoletë Korab Çejkun duke e plagosur rëndë dhe ky i fundit sipas policisë, ka qenë në gjendje të dehur.
Policia pas hetimit të kryer në vendin e ngjarjes, ka sekuestruar nën cilësinë e provës materiale katër gëzhoja si dhe prova të tjera. Lidhur me këtë ngjare policia e kryeqytetit ka vënë në pranga dy persona të akuzuar për mos kallëzim krimi.
Adriatik Qarri dhe Mimoza Sukaj janë arrestuar nga policia pasi sipas uniformave blu, këta dy shtetas përveç se nuk kanë treguar për plagosjen, nuk kanë dhënë dhe shpjegime të tjera lidhur me ngjarjen.
Të arrestuarit në momentin e plagosjes kanë qenë dëshmitarë të ngjarjes, për faktin se ata kanë qenë punonjës të tavernës.
Autori i kësaj ngjarjeje ka mundur që t'iu shpëtojë prangave të policisë, duke u larguar në drejtim të paditur. Policia ka shpallur në kërkim autorin e dyshuar të plagosjes, Martin Gjinaj, i cili akuzohet për veprat penale të vrasjes me dashje e mbetur në tentativë dhe të armëmbajtjes pa leje. Policia po heton ngjarjen për të zbardhur motivin e vërtetë të plagosjes së Korab Çejkut.