E Shtunë, 31 Tetor 2026

Analizë për përmbytjet në rajonin e Shkodrës

Kam ndjekur me vëmendje dhe me shqetësim përmbytjet që ndodhën tash së fundi në rajonin e Shkodrës. Mbështetur në përvojën time 48-vjeçare në Shërbimin Hidrometeorologjik 1949-1963 dhe si përgjegjës grupi në projektimin e veprave të kullimit dhe të vaditjes në ISP Vepra Ujore 1963-1997, mendova të jepja disa mendime për ato që ndodhën në Shkodër dhe masat që duhen marrë për të rritur sigurinë ndaj eventeve të jashtëzakonshme si ato që ndodhën në Shkodër e Lezhë.
Gjatë periudhës kohore 1949-2009 kanë ndodhur përmbytje të shumta, por ato që përfshinë sipërfaqet më të mëdha, janë ato të nëntorit të vitit 1962 që përfshinë zonat fushore të veriut. Në atë periudhë kohe kam qenë përgjegjës i aktivitetit operativ në ish-Shërbimin e Hidrometeorologjisë dhe natyrisht i kam ndjekur nga afër këto ngjarje jo vetëm, por edhe si anëtar i komisioneve qeveritare të krijuara për këtë qëllim.
Në veri u përmbytën nga Drini dhe Buna fushat e Nënshkodrës, Trushit, Velipojës, Bushatit e Barbullushit, totalisht Zadrima, Lezha etj. Kur në jug u përmbytën nga Shkumbini e Semani totalisht Myzeqeja (Lushnjë-Fier) dhe fusha e Kavajës etj.
Në atë kohë. të përcaktoje se cili rend probalititeti i përkisnin reshjet që provokuan përmbytjet, ishte shumë e vështirë, sepse periudha e vrojtimeve të besueshme ishte 13 vjet dhe shumë e shkurtër për të ekstrapoluar kurbën e probabiliteteve në lidhje me mundësinë e përsëritjeve, me një përafërsi të pranueshme, rezultoi që reshtjet e nëntorit 1962 u klasifikuan të përsëritshme 2 herë në 100 vite dhe ato të janarit 1963, 1 herë më pak se 100 vjet.
Duke u mbështetur në ato që kanë dhënë emisionet televizive, nuk ka krahasim midis këtyre përmbytjeve me ato të janarit 1963. Në atë kohë nuk ekzistonte Kaskada e Drinit dhe një pjesë e prurjeve shkonte në degën e tij të Lezhës dhe gjatë plotave një pjesë e konsiderueshme e tyre përmbyste fushën e Zadrimës dhe të Nënshkodrës. Pra, ishte një situatë krejt tjetër, kështu që sipërfaqja e përmbytjeve në total ishte më e madhe, por lartësia e ujit ishte më e ulët. Veç kësaj, në atë kohë, Këneta e Kakarriqit nuk ishte e bonifikuar dhe argjinatura që sot mbyll ekspremin verior nuk ekzistonte, kështu që daljet e Bunës dhe të Drinit e gjenin shtegun e hapur dhe përmbytnin kënetën, duke formuar një vazo ekspansioni prej 2400 hektarësh, duke lehtësuar situatën në fushat e tjera.
Sa do të ketë qenë piku i plotës së Drinit në përmbytjet e fundit në metër kub për sekondë, nuk mund të llogaritet, sepse tri liqenet e kaskadës së Drinit nuk e lejojnë, deformojnë ecurinë e plotës, kurse volumi i saj mund të llogaritet nga shkarkimet. Shifrat që janë dhënë nga mediat, shpesh kanë qenë kontradiktore dhe duhet të rishikohen. Duke parë shtrirjen e përmbytjeve, lartësinë e ujit dhe kohëzgjatjen e kësaj situate, të shkaktuar nga reshjet e zgjatura, të shoqëruara me shkrirjen e dëborës dhe po të kemi parasysh që në pellgjet ujëmbledhës të liqenit dhe të Drinit në rajonet malore të Tropojës, të Nikaj-Mërturit, Malësisë së Madhe etj., reshjet mesatare vjetore sillen rreth 2500 mm dhe janë më të mëdhatë në republikë, madje në bazë të buletineve meteorologjikë ekzistuese, po jap për shembull reshjet 24-orëshe maksimale të regjistruara në vitin 1963 në stacionet pluviometrike të këtyre zonave, që janë nga më e ulëta në fshatin Vrith 200 mm dhe më e larta 420 mm në fshatin Bogë (sigurisht përfshirë dhe dëborën e shkrirë). Për sa i përket administrimit të plotë në të tri akset e kaskadës së Drinit, ka qenë shumë e mirë dhe është për t’u përshëndetur së bashku me mobilizimin e qeverisë për menaxhimin e shkëlqyer të situatës kritike që u krijua. Kritikat e opozitës janë pa bazë dhe si të tilla janë qesharake.
(2) Përveç dëmshpërblimit të popullatës që jeton në zonat e përmbytura, qëndron problemi i masave mbrojtëse kundrejt përmbytjeve të tjera të mundshme. Këto masa duan disa vite që të realizohen. Ndërkohë, liqenet e kaskadës duhet të mbushen deri në kuotat maksimale të lejuara, sepse nuk kemi burime energjitike të tjera për të kompensuar deficitin eventual të reshjeve, që reflektohet më pas në krizat energjitike, me pasoja të rënda ekonomike. Ky veprim është i detyrueshëm edhe për një fakt tjetër, sepse Buna është i vetmi emisar i plotave për në det dhe në fushat që përshkon nuk ka asnjë mundësi të krijohen zona ekspansioni të plotave, përveç bermave (brez toke midis shtratit dhe argjinaturave). Natyrshëm lind pyetja se si do të veprohet që plotat e mëdha të përcillen për në det pa probleme. Sipas mendimit tim, problemi është i komplikuar, por derisa të ndërtohen burimet e tjera energjitike, do të veprohet në dy drejtime: të ndërtohen argjinatura të reja në Bunë, në mënyrë që të krijohen berma në të dyja anët e lumit, sa më larg që të jetë e mundur nga brigjet (mbi 100 m), në mënyrë që të krijohet një zonë ekspansioni, e cila mund të përcjellë një volum uji jo më pak se 200 m3/ sek. Megjithëse kjo prurje është e vogël, e kombinuar me manovrimet në shkarkimet e kaskadës së Drinit, ndihmon sadopak pozitivisht. Kuptohet që argjinaturat ekzistuese duhet të zhvendosen në ato vende ku bermat janë të ngushta. Problem shumë delikat është përcaktimi i lartësisë së argjinaturave, sepse në rrjedhjen e Bunës ka një ndikim reciprok midis plotave të Drinit dhe të Bunës, të cilat nuk kombinojnë kurrë në një kohë, për shkak të kohës së “bashkardhjes”, krejtësisht të ndryshme midis këtyre dy plotave, të luhatjeve të liqenit dhe të shpërndarjes dhe intensitetit të reshjeve ne pellgjet ujëmbledhës të tyre.
Për t’i dalë përpara rreziqeve të përmbytjeve, është shumë e rëndësishme të kesh një informacion të plotë për intensitetin dhe shpërndarjen e reshjeve në pellgjet ujëmbledhëse përkatëse, shumë më përpara se të formohet plota. Kjo kërkon një riorganizim të stacioneve pluviometrike, të cilët kur ka reshje intensive dhe të zgjatura, të japin informacion telefonik për lartësinë e tyre çdo 2-3 orë. Telefoni celular është një mjet komunikimi komod dhe kompjuteri mjeti më i përshtatshëm për ndërtimin e shpejtë të izojeteve, të cilat të japin pamjen e shpërndarjes të reshjeve në një moment të dhënë shumë ose më parë se të vijë kulmi i plotës, duke krijuar mundësinë e marrjes të masave mbrojtëse.
Natyrshëm lind pyetja se cili institucion mund të merret më këtë detyrë. Ka qenë Instituti Hidrometeorologjik në varësi direkte nga Akademia e Shkencave, por ai pushoi së qeni efektiv që në fillimin e viteve ’80 , duke emëruar drejtorë partiakë dhe inkompetentë, u shkurtuan stacionet e vrojtimeve, u reduktua në minimum aktiviteti operativ, aparaturat dolën jashtë pune dhe nuk u zëvendësuan etj. dhe pushuan së botuari buletinet meteorologjike dhe hidrometrike. Tash kemi një vakum prej 20 vjetësh pa të dhëna hidrometeorologjike. Akademia e Shkencave mban përgjegjësi të plotë për këtë situatë, që ndikon negativisht në hartimin e projekteve që kanë nevojë për ato të dhëna. Për këtë problem kam shkruar një artikull në gazetën “Tema” në vitin 2006. Por goditjen e fundit vdekjeprurëse ia dha Ministria e Arsimit e Shkencave, duke ia bashkangjitur këtë institut të skeletizuar Universitetit të Tiranës.
Ka një postulat: “Asnjë vepër bonifikimi dhe sistemi e lumenjve dhe e përrenjve nuk ka jetë të gjatë, nëse nuk shoqërohet me masa që ndalojnë zbritjen e lëndës së ngurtë nga lartësitë në ultësirat”.
Fatkeqësisht, gjatë bonifikimeve dhe sistemimeve të lumenjve e përrenjve, detyra jonë në ISP Vepra Ujore ishte të ndërtonim një pritë para daljes së fushë të përroit ose lumit, kurse për më lart detyra iu ngarkua ndërmarrjeve pyjore, të cilët nuk mundën të përballonin këtë detyrë absurde për mundësitë materiale dhe financiare që kishin; edhe ato pak gjëra që mundën të bënin, ishin një pikë ujë në një kazan. Kjo ka qenë një politikë shumë e gabuar, pasojat e së cilës i vuajmë sot.
Shembullin më domethënës në rajonin e Shkodrës na e jep vetë Drini para ndërtimit të kaskadës dhe Kiri (sidomos ky i fundit ), të cilët kanë mbathur shtratin e lumit të Bunës me zall dhe kanë ulur aftësinë përcjellëse të tij. Kam bërë një fotografi në vitin 1952 gjatë një matjeje prurjeje në Bunë në Obot në momentin që një motobarkë po lundronte në drejtim të Shkodrës e ngarkuar me mall. Sot mund të lundrojnë vetëm barkat. Në atë kohë, shtrati i Bunës kishte një gjerësi gati uniforme, rreth 200 m dhe një thellësi mbi 2 m. Kurse sot, depozitimet e zallit kanë provokuar gërryerje të brigjeve, aq sa poshtë Darragjatit gjerësia e shtratit të Bunës është rritur nga rreth 200 m në rreth 800 m.
Pa zgjidhur këtë problem, punimet e tjera në shtratin e Bunës nuk do të kenë jetë të gjatë. Prandaj do të thosha, trajtimi i Kirit është më i rëndësishëm se HEC-i i Bushatit. Veç kësaj, ky lumë ka edhe shumë kushte shumë të mira shfrytëzimi hidroenergjitik. Pavarësisht nga ndërhyrjet që përmenda më sipër, thellimi i Bunës është i domosdoshëm pa prekur brigjet, të cilat duhet të mbrohen nga gërryerjet në pjesët konkave, në të cilat mbrojtja duhet të jetë detyrimisht gjatësore, për arsye se në kushtet e shtratit të Bunës nuk duhet të përdoret mbrojtja e brigjeve me penela.
(4) Në bazë të kronikave televizive dhe nga shtypi, del që rrjeti kullues duhet të rehabilitohet për të rritur aftësinë e largimit të ujërave nga fusha, kryesisht kolektorët. Sistemet kulluese, sistemimet e përrenjve dhe të lumenjve kanë qenë projektuar për të përballuar evente me probabilitet përsëritjeje 20 herë në 100 vjet për fushat e pabanuara me sipërfaqe relativisht të vogël dhe 10 herë në 100 vjet për fushat e mëdha. Për fushat e banuara, pavarësisht nga madhësia e sipërfaqes, duhet të siguroheshin për evente me probabilitet përsëritjeje 1 herë në 100 vjet e nëse kishte qendra blegtorale dhe industriale. Këto norma i sollën ekipet projektuese të Myzeqesë dhe ne i adoptuam me vendim qeverie. Sot këto norma nuk vlejnë dhe duhet të hartohen të tjera, në përputhje me kushtet tona. Në përmbytjet e viteve 1962-63 fshatrat nuk pësuan gjë, sepse eksperienca qindravjeçare i kishte mësuar fshatarët ku dhe si duhej të ndërtonin për t’iu shmangur përmbytjeve. Kurse sot, në të gjitha fushat janë ndërtuar banime vend e pavend, sidomos pas viteve 1996-97, mbasi emigrantët krijuan mundësinë financiare për të investuar në ndërtime banesash. Tani jemi përpara një fakti të kryer dhe jemi të detyruar të marrim masa mbrojtëse në të gjitha fushat.
(5) Përmbytjet e fushës së Lezhës u provokuan nga një baticë e jashtëzakonshme e shoqëruar me një dallgëzim shumë të fuqishëm që çanë argjinaturën bregdetare. Sipas një studimi të kryer në vitet ’50 nga një anije sovjetike e specializuar në studimet detare, oqeanografët e së cilës i dhanë Institutit Hidrometeorologjik një dokumentacion shumë të vlefshëm për bregun lindor të Adriatikut, rezultonte që bregdeti ynë verior kishte tendenca që të gërryhej nga deti. Në fakt, stabilimenti balnear i Patokut u shkatërrua nga gërryerja e bregdetit. Për të mënjanuar këtë dukuri, duhet të ndërtohen dallgëthyese, krahas forcimit të argjinaturave.

Fusha e Zadrimës (Shkodër e Lezhë) ka shumë probleme serioze që përbëjnë një kapitull me vete, për të cilat kam shkruar më parë në media. Problemin themelor e përbëjnë përrenjtë që vijnë nga shpatet malore në lindje të fushës, ku më i rrezikshmi është Përroi i Gjadrit. Ky përrua, me prurjen e ngurtë dhe plotat shkatërruese, përbën një kapitull më vete, ashtu siç ndodhi në nëntor të vitit 2003, me një plotë prej 1000 metrash kub në sekondë, e cila prishi shtëpi dhe toka në fshatin Vig dhe rrezikoi të kapërthente argjinaturën që e devijon për në Vaun e Dejës në kthesën në fshatin Naraç dhe mjerë Zadrima po të ndodhte. Edhe për këtë event kam shkruar një artikull në media.
Për fushën e Zadrimës kam bërë një studim kompleks të saj, përfshirë edhe Drinin e Lezhës deri në det dhe hartova një projekt-ide. Mbas aprovimit të saj, fillova të jepja projektet e zbatimit dhe filloi ndërtimi i veprave më 1998. Mbas dy vitesh, fondet përkatëse u transferuan nga dikasteri në objekte të tjera dhe punimet u ndërprenë.

*Inxhinier hidroteknik

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›