Kanceri në qafën e mitrë:Vaksina mund të futet në kalendar
Përfaqësuesit e Mistrisë së Shëndetësisë premtojnë futjen e vaksinës së kancerit të qafës së mitrës në kalendarin kombëtar të vaksinimit. Por kjo, sipas tyre, do të arrihet në 5 vitet e ardhshme. Deklarata u bë për një media nga drejtori i Shëndetit Publik pranë Ministrisë së Shëndetësisë, Gazmend Bejtja. “Vaksina është në treg. Ndodhet në depot farmaceutike. Është paksa e shtrenjtë. Është në planin tonë që kjo vaksinë të futet në kalendarin e vaksinimit, pra të mbulohet nga fondet e shtetit. Kjo të bëhet në rangun e 3-5 viteve të ardhshme, sepse ka një plan të caktuar për futjen e vaksinave të reja”, - tha Bejtja. Specialistët e shëndetësisë gjatë kësaj jave, e cila është quajtur dhe Java Evropiane e Kancerit të Qafës së Mitrës, u bëjnë apel qytetarëve të depistohen në moshë të hershme, ndërkohë që tregojnë dhe disa nga faktorët që çojnë drejt kësaj patologjie. “Fillimi i jetës seksuale në moshë të re presupozon që të kemi një prekje më të lartë nga ky virus. Pirja e duhanit, gjithashtu akuzohet si një shkaktar i këtij kanceri. Gjithashtu, stili i jetës, mënyra e të ushqyerit me shumë yndyrna, kur në fakt duhen ngrënë më shumë fruta dhe perime”, - tha Bejtja. Vendi ynë vazhdon të renditet në listën e shteteve që kanë një numër të lartë të rasteve të shfaqura në vit, 25 raste të reja për 100 mijë femra dhe rreth 140 vdekje në vit.