Rruga e Bechtel-it

Bechtel është korporatë e madhe amerikane dhe
ka përvojë të madhe në vende të ndryshme të botës, në projekte të ndryshme.
Duke qenë korporatë e madhe Bechtel ka lidhje të forta me qarqe të fuqishme
politike të shtetit amerikan
Nga Visar
Ymeri
Bechtel dhe Enka do të vazhdojnë së qëndruari
në kampin e tyre të punës në Fushë të Dukagjinit. Pa e përfunduar ende
autoudhën që e lidh Durrësin me Morinën ata e fituan edhe një kontratë tjetër
për ndërtim rruge te shqiptarët tash do ta vazhdojnë këtë rrugë deri në
Merdar. Kjo është pjesa e mbetur e asaj që është quajtur rruga e kombit, rrugë
që i afron shqiptarët dhe që ua lehtëson komunikimin. Natyrisht se ndërtimi i
rrugëve është vepër shumë e mirë. Aq më tepër që rruga që po ndërtohet është
rrugë e domosdoshme për të na afruar si komb (të paktën) në aspektin
infrastrukturor.
Por kjo bartë edhe kosto financiare. Se
ndërtimi i rrugëve kushton. Mirëpo sa do të na kushtojë? Këtu fillojnë
problemet. Zyrtarisht është deklaruar nga Ministria e Transportit dhe
Telekomunikacionit se çmimi përfundimtar si dhe gjatësia e saktë e rrugës do të
dihen pas negociatave që Ministria do ti bëjë me Bechtel dhe Enka. Jo
zyrtarisht janë folur shuma të ndryshme prej 600 milionëve deri në 800 milionë.
Vetë Fatmir Limaj deklaroi se pret që rruga të kushtojë diku 800 milionë euro
për 103 kilometra (pjesa vetëm deri në Besi). Problemi këtu qëndron se kostoja
finale nuk dihet ende. Dhe kjo mund të jetë 600 milionë euro apo 800 milionë
euro varësisht nga negociatat fillestare mirëpo edhe varësisht punës së
vazhdueshme ne terren. Praktika e Shqipërisë tregon se me kompani si Bechtel
kostoja përfundimtare merret vesh vetëm në fund të projektit. Pra vetëm pasi që
të jetë përfunduar puna ne do ta marrim vesh se sa para ia kemi borxh
Bechtelit. Dhe atëherë vështirë se mund të negociojmë. Për shkak se në atë kohë
çdo gjë ka marrë fund.
Bechtel është korporatë e madhe amerikane dhe
ka përvojë të madhe në vende të ndryshme të botës, në projekte të ndryshme.
Duke qenë korporatë e madhe Bechtel ka lidhje të forta me qarqe të fuqishme
politike të shtetit amerikan (njëri prej personave që ka punuar për Bechtel ka
qenë edhe George Shultz, sekretar shteti i Amerikës në kohën e Ronald Reagan).
Marrë parasysh fuqinë që e ka administrata amerikane dhe politikanët amerikan
globalisht, lehtë mund të thuhet se Bechtel i ka dyert e hapura për projekte
nëpër botë. Mirëpo jo vetëm kaq. Fuqia e tyre ekonomike dhe politike u jep
atyre edhe pozitë shumë të lakmueshme negociuese të kontratave. Kjo mund të
merr përmasa të tmerrshme kur Bechtel negocion me shtete të vogla si puna e
Kosovës, apo me politikanë të korruptuar e të qullët sikur puna e politikanëve
të Kosovës. Në situata të tilla Bechtel thjesht i fiton të gjitha. E kur në
anën e kontratës jemi ne, kjo nënkupton se ne rrezikojmë ti humbim të gjitha.
Kontrata standarde e Bechtel që e kanë përdorur globalisht ka qenë kontratë e llojit
kostoja plus komisioni, që nënkupton që pas kryerjes së punëve Bechteli e
faturon koston e përgjithshme të projektit mirëpo edhe komisionin që ajo e
kërkon për kryerjen e punës. Kjo lloj kontrate është e ndryshme nga ofertat
tjera të zakonshme në tenderët e prokurimit publik ku kompania paraprakisht
tregon koston e gjithëmbarshme të projektit ku ata e llogarisin edhe përfitimin
e vet. Në rastet e zakonshme agjencia prokuruese qysh në fillim e di se sa do
të kushtojë projekti i caktuar dhe është i mirëinformuar që të vendos nëse do
të vazhdojë me projektin apo jo. Mirëpo në rastin e Bechtel kjo gjë nuk dihet
në fillim, dhe meqenëse kostoja është blanko, kjo i lejon shumë hapësirë për
keqpërdorime korporatës po edhe politikanëve tanë.
Tash të shpresojmë se do të punojnë me nderë
është naivitet. Bechtel është korporatë dhe si e tillë, brengoset për vetëm një
gjë: maksimalizimin e profitit. Bechtel nuk është institucion dashamirës i cili
ka për qëllim ta shpërndajë të mirën nëpër botë, dhe ti ndihmojë ata që kanë
nevojë. Rrjedhimisht ata as në Shqipëri e as në Kosovë nuk kanë ardhur për të
na ndihmuar, por për interes ekonomik. E nëse atyre u lihet hapësirë që
maksimalizojnë profitin, ata nuk do të zgjedhin mjete për këtë.
Faqja në internet Corp Ëatch (ëëë.corpëatch.org)
të cilët bëjnë monitorimin e të bëmave të korporatave të ndryshme nëpër vend të
ndryshme të botës, artikullin e vet për Bechtel e fillojnë me këtë titull:
Profiting from destruction (Përfitimi nga shkatërrimi). Kjo sipas kësaj faqeje
është historia e Bechtel. Këta janë përfituesit e dytë më të mëdhenjë nga
rindërtimi i Irakut pas Haliburton. Gjatë kohës sa kishte qenë në pushtet Sadam
Hyseini administrata amerikane e Reagan kishte lobuar në mënyrë agresive të
autoritetet e Irakut për tia dhënë Bechtelit kontratën e ndërtimit të njërit
prej naftësjellësve të Irakut. Menjëherë pas rrëzimit të Sadam Hyseinit nga
pushteti ishte prapë Bechtel korporata që e fitoi kontratën e rindërtimit të
vendit të shkatërruar nga lufta. Bechtel po ashtu njihen për projektet e tyre
të privatizimit të resurseve të ujit nëpër vende të ndryshme të botës. Bolivia
është rasti më eklatant ku në kontratë Bechtel e kishte futur edhe kauzolën që
ua ndalonte boliviasve madje ta përdorin edhe ujin e shiut! Duke qenë që i privatizoi
resurset e ujit dhe rrjetin e furnizimit me ujë në Bolivi, Bechtel e ngriti
çmimin e furnizimit me ujë për 100% sa që qytetarët e varfër të Bolivisë më të
hyra mujore prej 60 dollarësh u ballafaquan me fatura të ujit prej 20-25
dollarë. Ata thjeshtë nuk kishin para për ta paguar atë. Dhe kështu mbesnin pa
ujë. U deshën demonstrata afatgjata të qytetarëve atje, me çrast u vranë disa
demonstrues e u plagosën e arrestuan me qindra të tjerë deri sa qeveria e
Bolivisë u detyrua ta anulojë kontratën me Bechtel. Bechtel e nisi procedurën
gjyqësore kundër Bolivisë për humbje profitesh në vlerë prej 25 milionë
dollarë. Rasti vazhdon të mbetet i hapur në gjykatën e Bankës Botërore. Në
vitin 2004 qeveria e Rumanisë ia kishte dhënë kontratën për ndërtimin e autoudhës
së Transilvanisë Bechtelit. Më 2005 Rumania vendosi ta rinegociojë kontratën me
Bechtelin pasi që punët kishin filluar. Në vitin 2009, pas pesë viteve, punët
ende vazhdojnë me vetëm 42 kilometra rrugë të ndërtuara dhe me një kosto të
deritahsme prej 1 miliardë dollarësh.
Po ne si do ta paguajmë rrugën? Ky është
misteri tjetër. Sipas Fatmir Limajt Bechtel ka ofruar ndihmë edhe në marrjen e
kredive për rrugën duke rekomanduar institucione financiare të cilat do të
kishin qenë të interesuara për të na dhënë kredi për rrugën. Ky, një aspekt
tjetër i dashamirësisë dhe vullnetit të mirë të Bechtel. Për shkak se kreditë
vështirë se do të jenë të volitshme, e veçanërisht në këtë kohë kur kriza
financiare vazhdon ta jehojë nëpër botë, dhe kur Kosova si shtet gjendet
përballë një krize të thellë ekonomike. Këta parametra merren parasysh nga
bankat dhe e ndikojnë çmimin e kredisë. Sado e shtrenjtë që të jenë ato në fund
të gjitha do ti paguajmë ne.