Onufri, çfarë debati polli?!
Përveç faktit politik, për të krijuar një ide se për çfarë ka nevojë harta e artit pamor shqiptar, duke iu referuar vetëm prurjeve në pikturë, Onufri i 2009-s i la jashtë krejt debatet se në ç’nivel është arti bashkëkohor shqiptar, apo qoftë dhe ngacmimet sporadike nëse krijuesit do mund të përballonin, fjala vjen, debate të një natyre jashtë artistike. Por, për ta përmbyllur këtë Onufër, ndoshta të vakët për këtë arsye, një takim lajmërohet jashtë Galerisë Kombëtare të Arteve, spostohet drejt godinës së Ministrisë së Kulturës - për të parë se në çfarë gjendje është arti bashkëkohor shqiptar; zhvillimet e ardhshme! Kjo duket më tepër si detyrë shtëpie sesa një tryezë për shkak të një derdhjeje natyrale të prurjeve në artet pamore, apo spikatje rrymash që shkaktojnë debate. Duhet qëndruar në qetësi sepse siç duken bathët kjo nuk ka gjasa të ndodhë ndonjëherë. Përderisa një shoqatë që merr përsipër të gjitha llojet e debateve dhe përfundon në salla me dy-tre vetë (kujtojmë rastin e sipërmarrjes gjatë ditëve të festivalit të filmit në Tiranë, pra tentativa për të organizuar një debat në TIFF dështoi). Gjithsesi ky debat ka një ogur, se shkaku është mbyllja e konkurrimit të Onufrit, ku çmimet janë ndarë, si dhe brezat me motivacione nga një juri (përjashto kritikun italian) që ende nuk njeh teknikat me të cilat mund të flasë dhe një pikturë si ajo që fitoi Enkeled Zonja.
Konferenca që pritet të zhvillohet sonte në mbrëmje thuhet se do të shërbejë për të bërë një reflektim, një analizë dhe vetë-kritikë për gjendjen e artit bashkëkohor në Shqipëri - por këtu qëndron edhe pikëpyetja e madhe se sërish ky debat mund të dështojë me sukses. Sepse përderisa Onufri qëndroi një muaj i hapur dhe të gjithë artistët e arteve pamore, as ata që morën pjesë, nuk guxuan të shprehin asnjë fjalë, as nuk lejuan qoftë të nxisin dhe ndonjë debat mediatik të natyrës “plagja ideore”, që shkaktoi një përkim ideor mbi “gomarin” e Edmond Gjikopullit - pra fenomeni u vetëpërjashtua pa mundur të diskutohet më gjatë, duke u shndërruar në një mllef mediatik. Diskutimi që pritet të synojë kjo konferencë, duke pretenduar ta ngrenë debatin në nivel kombëtar, rreth raporti art-ekonomi, do dukej e errët për të marrë dritën e duhur kjo situatë, sepse të gjithë janë në një mendje se mungon krejtësisht një infrastrukturë, një sistem, një mekanizëm që do të rregullonte lojën mes tregut dhe artistit. Kjo është e stërpërsëritur. Një gjë e tillë ndoshta do më parë një fuqi politike për ta vendosur, një mekanizëm që do ta ndërtonte Ministria e Kulturës dhe jo ta teorizonte një shoqatë - kjo do të bëhej e fuqishme nëse vetë artistët do ta kishin moralin më të fortë se interesat e tyre vetjake, apo grupimet sipas klaneve ku ca janë të Onufrit, apo ca të tjerë të Bienales dhe pala tjetër e të përjashtuarve nga të gjithë që shpesh kthehen tek Muzeu.
Sigurisht ashtu si çdo fushë tjetër e artit, fuqinë për të ndryshuar një mendësi gjithëshoqërore e ka edhe arti pamor. Dhe këtu nuk është e vështir, dhe as do mendje të madhe për të kuptuar pse na duhet roli i artit në shoqërinë civile, dhe as për të kuptuar ndikimin e ngjarjeve artistike në jetën ekonomike të një qyteti.
Debati është shterpë nëse jemi në fazën fillestare të krijimit, në atë të eksperimentit. Onufri e dëshmoi pak a shumë këtë ide, me paraqitjen e shumë punëve që krijonin kontrast artistik, ashtu siç edhe evidentoi politika e kuratorit për të dhënë dy çmimeve, midis të vjetërve dhe të rinjve duke përjashtuar brezin e mesëm.
Pra, ky debat që do të pritet të hapet nesër, do jetë diçka mbi kohën, apo mbi mendësinë tonë për të perceptuar artet pamore në fazën fillestar, pse krijohet, si krijohet apo për ta shndërruar në një mekanizëm të fuqishëm të një lëvizjeje që i ka munguar prej 20 vitesh Shqipërisë?! Kjo vështirë të ndodhë, përderisa nisma bëhet e një grupi dhe jo e një politike të tërë që duhet ta kenë në kokat e tyre krijuesit, si një fakt për të dëshmuar dhe jo për t’u strukur nga sindroma e frikës së trashëguar; për ta bërë debat, impakt social dhe kulturor.