E Shtunë, 31 Tetor 2026

Analizohen organizatorët

Një pjesë e policëve të Kosovës, rritjen e rrogave për të cilat kishin luftuar mund mos ta marrin më 1 mars. Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Kosovës ka filluar një hetim lidhur me organizatorët e protestës së Njësive Speciale të Policisë. Ndonëse, hetimi ende nuk është publikuar, disa policë që kanë qenë pjesë e organizimit të protestës mund të bëhen kurbanë.

Ata mund të largohen ose dënohen nga Drejtoria e Përgjithshme. Burime të gaztës Express brenda Policisë së Kosovës thonë se Inspektorati i Policisë ka filluar hetimet dhe shkaqet që kanë sjellë deri te kjo protestë.

Baki Kelani, zëdhënës i Policisë së Kosovës është më i kujdesshëm në përdorimin e termave. Ajo thotë se këtu bëhet fjalë vetëm për një analizë të asaj ngjarjeje, asgjë më tepër.

“Unë nuk mund të konfirmoj tani se është duke u bërë ndonjë hetim, por mund të konfirmoj se është duke u analizuar e gjithë ajo se çfarë ka ndodhur”, vlerëson ai.
Sipas tij, Policia e Kosovës që nga fillimi ka përcjellë me vëmendje zhvillimin e protestës dhe kërkesat e policëve. Ai thekson se protestat e policëve janë të lejuara me ligj, pavarësisht a i takojnë asaj rrugore apo të njësive speciale.

“Nuk dihet se cilat do të jenë rezultatet, është duke u bërë një analizë. Është normale që në Polici raportohen gjërat dhe funksionon zinxhiri komandues. Cili ka qenë shkaku që ka shpënë deri te kjo protestë, në mënyrë që të mësojmë nga çdo gjë”, shton Kelani.

Ndërsa, Shaban Tasholli, nga Sindikata e Policisë së Kosovës, nuk di asgjë lidhur me këto hetime. Ai thotë se greva dhe protestat nuk janë organizuar nga Sindikata. Sipas tij, kjo sindikatë gjithmonë ka respektuar ligjet që përcaktojnë qartë mënyrën e protestave.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›