Edhe të humburit duhet të kenë emra
Asnjë i rënë, i vrarë ose i zhdukur nuk guxon të mbetet i harruar dhe pa emër, kanë thënë të martën përfaqësues nga Fondi për të Drejtën Humanitare i Kosovës, gjatë një takimi me familjarët dhe të afërmit e personave të rënë, të vrarë dhe të zhdukur, gjatë viteve 1998-1999, nga komunat Gjilan, Dardanë, Viti e Artanë.
Përfaqësuesi i Fondit për të Drejtën Humanitare, Bekim Blakaj ka thënë se qëllim i këtij takimi është verifikimi përfundimtar i të dhënave, për të rënët, të vrarët apo të zhdukurit e këtyre katër komunave, ngase më pas do të publikohen edhe një libër që këta persona të dihen dhe të kujtohen nga gjeneratat e ardhshme, andaj shënimet duhet të jenë të sakta.
Blakaj ka thënë se të vrarët, të rënët dhe të zhdukurit, nuk janë vetëm numra, por ata kanë familje dhe emrat e tyre duhet të shkruhen, ruhen e kujtohen, sepse kështu tregojmë se ata janë persona të rëndësishëm për ne dhe janë pjesë e historisë dhe e së ardhmes sonë.
“Bazuar në të dhënat e deritashme që ka grumbulluar Fondi për të Drejtën Humanitare i Kosovës dhe në një regjistër të Kryqit të Kuq si dhe dëshmitë dhe deklaratat e familjarëve, te të afërmve tjerë, ose edhe dëshmitarëve okularë, në komunat e lindjes, Gjilan, Viti, Dardanë e Artanë, rezultojnë të vrarë, të rënë ose të zhdukur, gjatë periudhës së luftës, 264 shqiptarë, 88 serbë, një boshnjak dhe 2 të tjerë që nuk iu dihet përkatësia etnike. Deri në vitin 2000, ky numër është rritur në 303 shqiptarë dhe 302 serbë”, ka thënë Blakaj.