Ançeloti: "Kombëtarja është një ëndërr”

Karlo Anceloti, pas fitores bindëse të Kombëtares italiane të Donadonit me Skocinë (2-0), i bën komplimente kolegut të tij, por nuk e përgënjeshtron "pasionin" e tij për bluzën "Azzurra".
"Donadoni është një mik, nuk jemi sqaruar pasi nuk ka nevojë të sqarohemi. Të gjithë teknikët kanë ëndërr të stërvisin Kombëtaren dhe secili ka të drejtë të ketë ëndrra. Roberto ka qenë një kampion i madh, një profesionist i madh, por mbi të gjitha një mik. Mendoj se ka të gjitha karakteristikat për të drejtuar mirë Kombëtaren. Me Skocinë skuadra më pëlqeu, bëri një ndeshje të bukur duke fituar tri pikë të rëndësishme", - tha Anceloti. Ai shtoi se nuk ka ndërmend të drejtojë hëpërhë kombëtaren italiane: "Unë kam dëshirë të qëndroj te Milani".
Roma-Milan
Të shtunën do të përballen në "Olimpico" për kampionat, por Roma dhe Milani janë duke sfiduar njëri-tjetrin dhe në fushën e merkatos. Objektivi është një: mbrojtësi i Bajer Leverkuzenit, Huan. Braziliani 28-vjecar është nën kontratë deri në fund të vitit 2009, por për t'u liruar duhen paguar 7 milionë euro.
Ronaldinjo
Sekreti i fundit i Ronaldinjos është destinacioni i ri i tij. Ku do të shkojë? C'do të bëjë? Fenomeni i Barcës është në një tjetër hap të madh të karrierës së tij. Destinacioni quhet Milan? Dinjo: "E ka thënë presidenti Berluskoni dhe jo unë. Duhet të mendoj vetëm për të luajtur, për të tjerat mendon vëllai im".
Rajkard
Trajneri holandez i Barcelonës, Frenk Rajkar, i mbyll portën Milanit: "Të gjithë lojtarët tanë më të rëndësishëm do të qëndrojnë edhe sezonin tjetër. Ronaldinjo, Eto'o, Mesi dhe Deko duhet ta respektojnë kontratën. E njëjta gjë vlen edhe për mua, do të qëndroj te Barca. Përgënjështroj cdo ofertë nga Milani".
Maradona
Frikë e re për Diego Armando Maradonën. "Këmba e artë" (Pibe de Oro) është shtruar në klinikën "Gumes", në Buenos Aires, për shkak të problemeve kardiake. Miti argjentinas, për fat, nuk rrezikon jetën, por megjithatë po vuan pasojat e një jete jo të rregullt. Konsumimi i cigareve të shumta provokoi edhe rëndimin e shëndetit të tij.
Inter
Presidenti i zikaltërve, miliarderi Masimo Morati, i është rikthyer pistës së mbrojtësit brazilian të Bajernit të Mynihut, Lusio. Edhe Juventusi është duke ndjekur sulmuesin e Verderit, Kloze, e ndërkohë bardhezinjtë janë në gjurmët e Huntelar të Ajakist, por edhe të mbrojtësit të Benfikës, Luisao.
Zikaltërit
Pasi janë skualifikuar në Ligën e Kampioneve, Interi po mendon për rindërtimin e mbrojtjes. Samuel nuk dihet nëse do të largohet, por pritet Mesto i Rexhinës, ndërsa për në qendër të saj, në balotazh janë Falkone-Danieli. Në sulm pritet lamtumira e Rekobës dhe Krespos dhe priten Toni, Suzao, Henri e Kasano.
Van der Meyde
Pas eksperiencës së dështuar italiane me Interin, holandezi Andi Van Der Mejde nuk po ia del dot edhe në Angli. Ish-anësori i Ajaksit, tashmë te Evertoni, deklaroi për "Daily Record": "Mister Mojes nuk duhet të gënjejë. Nuk është e vërtetë që jam i dëmtuar, më ka përjashtuar nga formacioni për zgjedhje teknike".
Morientes
Valencia humbet Fernando Morientes në prag të cerekfinaleve të Ligës së Kampioneve kundër Celsit. Qendërsulmuesi spanjoll vuan një dëmtim në shpatullën e djathtë të pësuar gjatë ndeshjes ndërkombëtare të Kombëtares spanjolle me Islandën. Ish-sulmuesi i Realit të Madridit do të qëndrojë jashtë fushe përreth një muaj.
Kahn
Nuk do të jetë Oliver Kahn ai që do të mbrojë portën e Bajernit të Mynihut në ndeshjen cerekfinale të Ligës së Kampioneve kundër Milanit. Portieri me përvojë të madhe ndërkombëtare është skualifikuar nga UEFA pas ndeshjes me Realin e Madridit, pasi kreu sjellje jo korrekte gjatë kontrollit anti-doping.