Jemi kthyer për hatër të publikut

Tetovë- Skuadra e Shkëndija'79 ka ndërprerë seancat stërvitore, për të rifilluar të mërkurën, kur futbollistët u dakorduan me kryesinë që t'i qasen stërvitjeve për ndeshjen e ardhshme kampionale. "Skuadra jonë nuk ka futbollistë të mjaftueshëm për të nxjerrë deri në fund një kampionat. Sic e dinë të gjithë ne kemi pasur ndërprerje të seancave stërvitore. Vendosëm që t'i kthehemi stërvitjeve për hatër të publikut të zjarrtë", u shpreh mbrojtësi Erhan Selimi.
Ai pas kthimit nga skuadra e Bashkimit në skuadrën e Shkëndijës zuri vend në formacionin bazë të ekipit. "Jam i përgatitur shumë mirë për takimin kundër Rabotnickit. Jo vetëm për këtë takim, por në të gjitha ndeshjet e ardhshme që do t'i zhvillojë Shkëndija do të jem i gatshëm cdo herë. Është momenti vendimtar që t'i ndihmohet skuadrës në këtë kohë të vështirë", përfundoi Selimi.
Stinorin e kaluar Shkëndija arriti që dy herë brenda një sezonit mposhti skuadrën e Rabotnickit. Në Strugë ishte rezultati 2-1, ndërsa edhe në Tetovë takimi pat përfunduar me të njëjtin rezultat.