E Hënë, 2 Nëntor 2026

Sulmuesi i U-21 të Maqedonisë, Ibrahimi i kënaqur në skuadrën e tij

Albania-Sport- Futbollisti tetovar Agim Ibrahimi që aktivizohet në ekipin "Red Bull Salzburg" të Austrisë, të mërkurën ka qëndruar në Maqedoni për shkak se ka qenë i ftuar nga ana e seleksionuesit Mirsad Jonuz për ndeshjet miqësore me Bullgarinë (1:0) dhe Shqipërinë (0:1). Pas përfundimit të këtyre dy përballjeve ai është kthyer në Tetovë, ku shfrytëzuam rastin për një intervistë me të.

Albania-Sport: Ishit sërish në Maqedoni, ku zhvilluat dy ndeshje miqësore?
Ibrahimi: Seleksionuesi i U-21, Mirsad Jonuz më ka ftuar për dy ndeshjet kontrolluese me Bullgarinë dhe Shqipërinë. Kundër të rinjve nga Shqipëria jam aktivizuar në pjesën e dytë dhe besoj se me inkuadrimin tim loja e Maqedonisë u hapë më shumë, duke krijuar raste më të mira për gol. Fati nuk e deshi, sepse pësuam një gol të papritur.

Albania-Sport: Shpresoni se së shpejti do të jeni pjesë e reprezentacionit A?
Ibrahimi: Po! Them kështu për shkak se shqiptarët kanë kapacitet që të jenë pjesë e këtij reprezentacioni. Ka shumë futbollistë shqiptarë që mundë të luajnë për këtë kombëtare.

Albania-Sport: Një sezon jo i plotë në "Red Bull Salzburg". Si po kaloni atje?
Ibrahimi: Të them të drejtën mirë. Pas largimit tim nga skuadra e Shkëndijës, arrita që për një kohë të shkurtër të ambientohem në mjedis të ri. Kam qenë pjesë e ekipit të parë, por nuk kam pasur mundësi të aktivizohem. Trajner të mi janë Xhovani Trapatoni dhe Lotar Mateus. Është vështir të jesh në formacionin bazë, pasi ka futbollist me përvojë, sic është gjermani Kristijan Zige. Në ekipin e dytë jam aktivizuar në të gjitha takimet. Kam pasur role të ndryshme në skuadër, ku kam luajtur si sulmues dhe gjysmësulmues. Deri tani kam shënuar 4 gola.

Albania-Sport: Të premten ktheheni në Salzburg. Cfarë planesh keni?
Ibrahimi: Do të vazhdoj të stërvitem me ekipin tim për ndeshjet e radhës në Kampionatin e Austrisë. Ndërkohë që kam oferta nga kampionati i Turqisë, Ukrainës dhe nga disa skuadra austriake, por për momentin nuk planifikoj të largohem Salzburgu.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›