E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kombëtarja, barazimi historik dhe historia e barazimeve

Nga Dritan Lundra
Katër ditë, dy ndeshje, dy barazime, asnjë gol i shënuar dhe asnjë i pësuar. Me pak fjalë, dy ndeshje të skuadrës sonë kombëtare, të cilat nëse do të përjashtonim faktorin fushë dhe atë të fortësisë së ndryshme të kundërshtarëve, Slloveni dhe Bullgari, (të cilët natyrisht janë jo pak) ngjajnë shumë me njëra-tjetrën. Ngjajnë aq shumë, saqë do të ishte shumë e vështirë të bëje dallimet. Kjo përsa u përket statistikave dhe rezultatit, pasi në lojë ndryshimi ka qenë jo kaq pak i ndjeshëm. Megjithatë, kundër cdo lloj statistike, kundër cdo norme morale dhe profesionale të vlerësimit të një ndeshjeje futbolli, kronikat dhe pasqyrimi i tyre në katër ditë ka qenë shumë kontradiktor dhe shpesh pesimizmi apo dëshira për të errësuar gjithcka dhe euforia e momentit, apo dëshira për të treguar se gjithcka është rozë, kanë sjellë shumë pak realizëm dhe shumë konfuzion. Një kombëtare, ku të 11 futbollistët janë të mbaruar, pas katër ditësh po këta 11 futbollistë kthehen në heronj. Nga një ndeshje e turpshme, nga një sfidë skandaloze, ku të gjithë na paskëshin dalë hundëvarë dhe tmerrësisht të indinjuar nga skuadra kombëtare, dje po këta njerëz, po këta emra e po këto fytyra, u kthyen në heronj. Nga një barazim pa gola në fushën tonë kundër Sllovenisë dhe pa trajner në stol e me disa raste të humbura nga skuadra jonë, kalojmë në një tjetër barazim pa gola, por këtë herë në Bullgari. Nëse në rastin e parë hapet fjalori shqip-shqip e gjenden të gjitha fjalët më poshtëruese për skuadrën kombëtare, në rastin e dytë po ky fjalor hapet por, në inversin e katër ditëve më parë, gjenden të gjitha fjalët lavdëruese. Arrihet deri aty sa djemtë quhen heronj dhe barazimi historik, madje për pak arrihet deri aty saqë 28 marsi të propozohet edhe si një ditë feste kombëtare. Secili ka të drejtë të thotë atë që mendon, ndeshja e së mërkurës në Bullgari do të mbahet mend për shumë aspekte, por edhe për atë që mund të përbëjë një rast unikal në historinë e një ndeshjeje futbolli, atë që kuqezinjtë nuk gjuajmë asnjë top në kuadratin e portës bullgare. Pavarësisht këtij fakti, ata quhen heronj dhe barazimi historik. Nëse dikush mendon se në këtë shkrim jam kundër kombëtares apo dhe rrymës, gabohet. Nëse do të jepja një vlerësim krejtësisht modest për të dyja ndeshjet, por sidomos për atë të luajtur në Bullgari, kësaj kombëtareje do t'i jepja një vlerësim mesatar ose, më saktë, në nivelin që ka realisht kjo skuadër. Kundër Sllovenisë kemi zhvilluar një ndeshje normale, kundër një kundërshtari pak më të mirë se ne, kemi rrezikuar shumë më tepër se ai, por në fund një pikë e marrë mbase është edhe realisht ajo që kemi merituar. Në Bullgari kemi zhvilluar një pjesë të parë perfekt në konceptin e mënyrës së lojës. Kemi hyrë për një pikë, duke ditur se kundërshtari është më i fortë se ne, jemi mbrojtur mjaft mirë dhe kemi arritur aty ku donim. Në pjesën e dytë kemi duruar presionin e kundërshtarit, kemi ngrënë thonjtë, duke parë minutat që për dreq nuk kalonin fare, jemi djersitur deri në vërshëllimën përfundimtare të arbitrit e në fund mund dhe duhet t'i përcjellim komplimentet tona trajnerit Baric, por edhe futbollistëve. Kaq dhe vetëm kaq, sepse në fund të fundit nuk kemi bërë asgjë më shumë sesa kemi marrë një pikë ndaj një skuadre, e është e treta në grup. Nëse dikë mund ta sugjestionojë emri Stoickov, të mos harrojë se ai është në stol dhe jo në fushë e për më tepër ai nuk është e nuk ka qenë asnjëherë më i madh sesa Blohin apo Shevcenko. Vlerësojmë Bullgarinë dhe vazhdojmë ta quajmë si një gjigant të futbollit botëror (kujtojmë vendin e 4-t në finalet e USA 94), por harrojmë se që nga ajo ditë kanë kaluar 13 vjet dhe që nga ajo ditë Bullgaria nuk është më ajo që ishte. Në këto kushte, ta quash barazimin në Sofje si historik, më duket një term aq banal saqë më sjell një vështirësi shumë të madhe në këtë term. Nuk di si të vlerësoj termin historik, barazim historik apo histori e thjeshtë barazimesh jashtë. Kemi arritur 9 rezultate pozitive jashtë, por shtatë prej tyre fatkeqësisht ndaj ish-republikave sovjetike e mbase na duhet të themi rroftë perestrojka që shpërbeu BRSS-në. Nuk e di dhe natyrisht që nuk i imagjinoj dot titujt apo komentet nëse vërtet do të vijë një ditë që ne do të marrim një pikë ndaj gjigantëve të futbollit si Brazili, Anglia, Italia, Spanja apo Franca. Lashë jashtë Gjermaninë, pasi nëse vërtet ka një dicka që i përshtatet termit rezultat historik është barazimi 0-0 i vitit 1967. Larg qoftë të marrim një pikë, e cila një ditë edhe mund të na kualifikojë! Kur kemi harxhuar termin pikë historike për barazimin e së mërkurës në Bullgari, nuk gjej dot fjalë tjetër për të shkruar me superlativë. Megjithatë, fjalori shqip-shqip është ende në qarkullim e mbase një shfletim i tij mund të na sjellë terma të tjerë superlativë. Kualifikueset Euro 2008, Grupi G E mërkurë, 28 mars 2007 Bullgari-Shqipëri 0-0 Rumani-Luksemburg 3-0 Slloveni-Holandë 0-1 Renditja Ekipet P N F B H Holanda 14 6 4 2 Rumania 11 5 3 2 Bullgaria 9 5 2 3 Bjellorusia 7 5 2 1 2 Sllovenia 4 5 1 1 Shqipëria 3 5 0 3 2 Luksemburgu 0 5 0 0 5

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›