Ançeloti: “Kujdes nga Sevilja”

Ky është mesazhi që qarkullon në Milanelo e rreth saj katër ditë nga Superkupa e Europës kundër andaluzianëve. Njeriu që e përsërit më shpesh këtë është trajneri i Milanit, Karlo Anceloti, i kënaqur pa masë nga fitorja kundër Xhenoas në javën e parë të kampionatit italian. Tekniku kuqezi është duke projektuar strategjinë e skuadrës për objektivin e parë sezonal të Milanit. "Kundër spanjollëve nuk do të jetë një garë e lehtë, - pranoi Anceloti, - ata janë një skuadër të mësuar për të luajtur në finale, kanë një kolektiv optimal me eksperiencë dhe kualitete. Për momentin është një nga formacionet më të mira të Europës". Anceloti e komplimentoi Seviljen për modelin ekonomik që ndjek. "Ka bërë gjëra të mëdha pa pasur lojtarë të nivelit të lartë, duke dëshmuar se sa e rëndësishme është kur punon me qetësi dhe pa presion". Në të njëjtën linjë me trajnerin e tij ishte dhe Ronaldo. Sulmuesi brazilian, i cili shpreson të jetë të paktën në bankinë të premten në Montekarlo, tha: "Janë një skuadër e re dhe me futbollistë të talentuar. Lojtari më i rëndësishëm është Kanute". Të dielën Masimo Ambrozini doli nga fusha në minutën e 38-të të pjesës së dytë, i zëvendësuar nga Gorkuf, pas një problemi me gjurin e majtë. Ekzaminimet dolën negative dhe mesfushori do të jetë i gatshëm përe ndeshjen kundër Seviljes. Për të provuar të ngrejë, kush e di, si kapiten, Superkupën e Europës.