E Diel, 1 Nëntor 2026

Ançeloti: Moxhi e De Santis, marrëdhënie e afërt

Në Gjykatën e Napolit vazhdon lufta e telefonatave të regjistruara për skandalin “Calciopoli”

Vetëm 48 orë pas triumfit në Premiership me çelsin, Karlo Ançeloti, i cili ka punuar në Itali me Parmën, Juventusin dhe Milanin, ka dhënë dëshminë e tij në Gjykatën e Napolit rreth skandalit “Calciopoli”. Ndaj pyetjeve të hetuesit Xhuzepe Narduçi, ai ka konfirmuar deklaratat që kishte dhënë në fillim të hetimeve, rreth faktit se ish-drejtuesi juventin, Luçiano Moxhi, kishte “një marrëdhënie mjaft të afërt” me gjyqtarin De Santis. “Ky është vetëm mendimi im”, nxitoi të nënvijëzonte Ançeloti duke shtuar se “si natyrë De Santis ishte i prirë që të afrohej shumë me të gjithë njerëzit”. Më tej ai foli edhe për një prej çështjeve më të diskutuara: akuzat se Moxhi hynte në dhomën e arbitrave duke influencuar në gjykimin e ndeshjeve. “Nuk e kam parë asnjëherë që të bënte diçka të tillë. Mbaj mend vetëm një episod që ma ka thënë Gatuzo, pas ndeshjes Milan-Juve të luajtur në ‘San Siro’”. Ai foli edhe për sezonin 2004-2005, kur drejtonte stolin e Milanit: “Më ishte krijuar ndjesia se ‘diçka’ na pengonte”. Pyetjes së hetuesit Narduçi, i cili i kërkoi të konfirmonte nëse kishte përdorur ndonjëherë shprehjen “torta ishte bërë gati”, Ançeloti iu përgjigj: “Nuk e kam përdorur kurrë… për kampionatin 1999-2000. Sezoni 2004-2005 ishte ndryshe: kishim ndjesinë se diçka punonte kundër nesh”.

Ndërkohë, në gjyqin “Calciopoli” vazhdon lufta e telefonatave të regjistruara. Si hetuesit Narduçi dhe Kapuano, ashtu edhe avokati mbrojtës i ish-përcaktuesit të gjyqtarëve, Paireto dhe avokatët mbrojtës të Moxhit kanë kërkuar transkriptimin e telefonatave të reja. Hetuesit kanë paraqitur një listë me 78 biseda të reja, avokatët e ish-zyrtarit të federatës 30, ndërsa avokatët e ish-drejtuesit të Juventusit 42-43 telefonata të reja, si edhe 8-9 kontakte nëpërmjet numrave fiks apo mesazheve në sekretarinë telefonike. “Zbardhja” e regjistrimeve i është besuar Roberto Portos, i cili ka kërkuar 60 ditë kohë në dispozicion. Transkriptimi i telefonatave do të nisë më 18 maj. Ndërkohë, prokuroria kërkoi edhe filmimet e emisionit “Matrix”, në të cilin Moxhi ka lëshuar “deklarata konfuze”, duke pranuar “për të parën herë se i kishte dhënë skeda telefonike zvicerane Bergamos, Pairetos dhe Pararestës”.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›