Reali, 13 milionë për divorcin Mou-Inter
Reali i Madridit është në pritje. Ndihen sirenat spanjolle për Zhoze Murinjon, i cili nuk e ka fshehur kurrë vullnetin për të drejtuar në La Liga, këtë herë si protagonist dhe jo si zëvendës. Sezoni i mrekullueshëm i Interit nën drejtimin e teknikut portugez, ka ringritur kuotat e luzitanit në shtëpinë madrilene. Sipas shtypit iberik, Florentino Perez është i gatshëm për gjithçka vetëm që të marrë në Bernabeu “Special One”. Por Murinjo ka një kontratë, që e lidh me klubin e Moratit të paktën deri në 2012-n dhe presidenti zikaltër nuk është i gatshëm të privohet nga strategu i një supersezoni.
Reali gati për gjithçka, kështu shkruajnë gazetat nga “As” tek “El Mundo Deportivo”. Klubi madrilen nuk do t’ia dijë për kostot, përqendrohet te kërkesat e merkatos nga Murinjo, i cili, sipas faqes së të përditshmes katalanase, po përjeton ditët e fundit si trajner i Interit dhe se që nga marsi e di që e ardhmja e tij është e lidhur me Realin. Portugezi i ka kërkuar presidentit Florentino Perez blerjen e një mesfushori qendre të nivelit të lartë, duke propozuar katër emra: Steven Xherrard të Liverpulit, Frenk Lampard e Mikael Balak të çelsit dhe Daniele De Rosin e Romës. Pëlqehet edhe Maikon, një tjetër i besuar i Murinjos, që mund të transferohet nga Italia në kryeqytetin spanjoll. Nëse Lampard është vështirë që të lëvizë, kapiteni i Liverpulit mund të shndërrohet në një mundësi reale të merkatos edhe për shkak të deficitit të “Reds”-ave. Po ashtu “Marca” risjell tri konfirmimet e para: Lasana Diarra (i kërkuar nga Murinjo te çelsi në 2005), Higuain dhe çuditërisht Kaka. Megjithatë, sipas “El Mundo Deportivo”, të shtunën në Bernabeu, menaxheri i Murinjos, Horge Mendes, ka takuar presidentin Perez, duke i konfirmuar vullnetin e klientit të tij për të lënë Interin, me gjithë tentativat e Moratit, që po bën gjithçka për ta bindur të qëndrojë te zikaltrit.
Gjithashtu mësohet se po zhvillohen tratativa mes palëve. “Kontrata ime është e thjeshtë: kam edhe dy vite, por ekziston një klauzolë, që më lejon të iki kur të dua”. Gazeta madrilene “As” risjell këtë frazë të thënë pak kohë më parë nga vetë tekniku portugez. “As” zbulon edhe kostot që do të çojnë në ardhjen e portugezit. Tetë milionë për klauzolën, e cila do t’i lejonte luzitanit të largohej nga Interi, më shumë se pesë milionë euro të tjerë, që do të shërbenin si kompensim për Manuel Pelegrinin, trajnerin aktual të "los blancos" për sezonin 2010-2011. Në total 13 milionë, përjashto këtu pagesën e Murinjos, i cili, siguron “As”, do të pranonte një reduktim të rrogës së tij. Në kërkim të portugezit mësohet se është edhe Mançester Siti, por Reali ka një avantazh neto. Por probleme për blerjen e Murinjos mund të dalin nga disa drejtues të Realit. Si drejtori i përgjithshëm i klubit, Horge Valdano, i cili ka frikë se mos do të ketë fuqi të limituara me "Special One" dhe mund të jetë në mbështetje të rikonfirmimit të Pelegrinit.
Edhe sipas bukmejkërsave anglezë, Murinjo kuotohet me 1.5 dhe 5.00 për qëndrimin edhe 1 vit tek Interi. Po nëse ikën Murinjo, kë do të marrë Interi. Gjithçka nis nga Rafa Benitez e Fabio Kapelo dhe vazhdon me Luçiano Spaletin dhe mbyllet me dy “ish” të mëdhenj, Sinisha Mihajloviç e Valter Zenga.
#