E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ançeloti: Në sfidën ndaj Uest Hemit, asnjë yll pushim

LONDER- Trajneri i çelsit Karlo Ançeloti ka premtuar se nuk do të lërë pushim asnjë nga yjet e skuadrës në ndeshjen me Uest Hemin të shtunën, duke mos menduar kështu për superpërballjen me Interin ditën e martë. Objektivi kryesor për blutë e Londrës mbetet Champions League, por sipas teknikut italian, tepër i rëndësishëm mbetet edhe kreu i renditjes në Angli. “Dua të hedh në fushë skuadrën më të mirë, sepse luajmë një ndeshje mjaft të rëndësishme, kështu që nuk kam pse mendoj për ndeshjen ndaj Interit, - u shpreh Ançeloti. – Na duhet të rikthehemi në krye të Premier Ligës, kështu që më duhet të hedh në fushë formacionin më të mirë që kam”, shtoi ai. Ndaj Uest Hemit ndryshimi më i madh për çelsin është vendosja në portë e Ros Turnbull, i cili do të zëvendësojë Petr çehun dhe Hilarion, që janë të dëmtuar. çelsi është 2 pikë pas Mançester Junajtid, por ka një ndeshje më shumë për të luajtur. Sfida mes çelsit dhe Uest Hemit vendos përballë Ançelotit ish-nxënësin e tij te Parma Xhanfranko Xolën. “Pas rikthimit të Karlton Kol, Uest Hemi ka më shumë mundësi ta përfundojë sezonin mirë, - tha Ançeloti. – Shpresoj që ata të qëndrojnë në Premier Ligë, pasi miku im Xola ka bërë një punë mjaft të mirë këtë sezon. Ka një punë të vështirë, por ai nuk e humbi besimin te vetja”, shtoi trajneri i çelsit. Ançeloti e quajti normal presionin mbi skuadrën e tij, e cila kërkon ta mbyllë sezonin me trofe, pas 3 viteve dominim të Mançester Junajtid.
(e.n/A.Latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›