E Shtunë, 31 Tetor 2026

Josipovic takon Turk: Të lihen mënjanë dallimet e kohës së luftës

ZAGREB- Presidenti i Kroacisë, Ivo Josipovic ka deklaruar në një takim me presidentin slloven Danilo Turk se është koha që vendet e Ballkanit t'i lënë mënjanë dallimet e kohës së luftës.
Gjatë një vizite në Slloveni, Josipovic tha se liderët aktualë në rajon "nuk duhet t’i lënë probleme të pazgjidhura brezit të ri".
Këto komente u bënë një javë para samitit të vecantë që do të organizohet për Ballkanin Perëndimor në Slloveni më 20 mars. Takimi synon përshpejtimin e integrimit të vendeve në Bashkimin Evropian. Kryesisht lideret kroate dhe sllovene i referohen problemeve mes Serbisë dhe Kroacisë, dy vende që kanë padi ndaj njëri- tjetrit në Gjykatën e Hagës.

Vitin e shkuar një marrëveshje kufitare mes Kroacisë dhe Sllovenisë u zgjidh pas dy dekadash armiqësi. Tashmë këto dy vende që i zgjidhën problemet mes tyre një vit më parë do organizojnë një mini-samit BE-Ballkan për të përmirësuar gjithë situatën në rajon.
Megjithatë një hije ekziston në lidhje me këtë takim për personat pjesëmarrës. Presidenti serb Boris Tadic e ka bërë të qartë se në këtë samit Kosova nuk duhet të paraqitet si shtet më vete, ndërsa autoritetet kosovare janë ftuar si liderë të një shteti të pavarur. Nuk dihet nëse Tadic do të marrë pjesë në samitin e Sllovenisë për Ballkanin perëndimor.
(e.n/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›