Anceloti beson te përmbysja në përballjen kundër Interit
LONDER- Trajneri i çelsit Karlo Ançeloti do të ketë një mision të vështirë të martën në mbrëmje, pasi përveçse të përmbysë humbjen 2-1 në Milano ndaj Interit, i duhet të largojë njëherë e mirë hijen e Zhoze Murinjos nga “Stemford Brixh”. Portugezi është trajneri më i suksesshëm në historinë e çelsit, pasi ka fituar 2 tituj kampionë dhe 3 Kupa, ndërsa pas gjithë këtyre viteve, londinezët kanë mbetur thuajse e njëjta skuadër. “Murinjo do të rikthehet dhe mendoj se për të do të jetë një mbrëmje speciale, - deklaroi Ançeloti. – Mendoj gjithashtu se tifozët do t’i dhurojnë atij një pritje të veçantë, sepse e meriton. Por, ndeshja do të jetë diçka tjetër. Futbollistët nuk janë të përfshirë në gjithë këtë. Mendoj se lojtarët e çelsit dhe të Interit janë të fokusuar vetëm te ndeshja, që është shumë e rëndësishme”, shtoi tekniku italian. Ançeloti është ndeshur vitin e shkuar me Murinjon në kampionatin italian, por sipas tij, do të jenë futbollistët dhe jo trajnerët ata që do të bëjnë diferencën. “Si unë, edhe Zhoze, kemi fituar shumë tituj, kemi fituar edhe Champions League, kështu që nuk mendoj se do të ketë ndonjë ndikim të madh”, u shpreh Ançeloti. Pika e dobët e çelsit për këtë takim është porta, pasi si portieri i parë Petër çeh, ashtu edhe i dyti Hilario, do të mungojnë. Në vend të tyre do të luajë portieri i tretë Ros Tërnbull.
(e.n/A.Latifi/BalkanWeb)
(e.n/A.Latifi/BalkanWeb)