E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bekham bëhet operacion,kthehet pas 4-5 muajsh

FINLANDE- Devid Bekham është operuar të hënën pasdite në Finlandë në tendinën e Akilit dhe tashmë është e konfirmuar se do të mungojë në Botërorin e Afrikës së Jugut. Profesor Sakari Orava kreu me sukses operacionin në Turku, ndërsa vetë futbollisti ka një dëshirë të madhe për t’u rikthyer sërish në futboll. I gjithë operacioni zgjati afro një orë, ndërkohë që pas tij klubi i Milanit bëri të ditur nëpërmjet një komunikate zyrtare se pret një rikuperim të plotë të lojtarit. “Operacioni doli me sukses dhe tani presim një rikuperim të plotë të lojtarit, Bekham do të qëndrojë nën kujdesin e mjekëve për disa ditë në spitalin e Turkut në Finlandë, ndërsa të martën profesor Orava do të bëjë të ditur një prognozë mbi kohën e saktë të rikthimit”, shkrun klubi kuqezi. Gjithsesi, profesor Sakari Orava ka bërë të ditur tashmë se do të duhen të paktën 2 muaj që Bekham të rinisë të ecë normalisht, ndërsa mund ta godasë topin e parë vetëm pas 3 muajsh. “Në këtë mënyrë, do t’i duhen të paktën 4-5 muaj që të nisë të luajë, - ka thënë doktor Orava. – Nëse edhe pas operacionit tendina do të ketë probleme, atëherë mund të bëhet edhe një transplant nga një viç, për ta bërë zonën e dëmtuar më të fortë”, sqaroi mjeku. Këputja e tendinës së Akilit ndodhi pak minuta para përfundimit të ndeshjes Milan-Kievo dhe i ka kushtuar Botërorin mesfushorit anglez. Për Bekham ka qenë një dramë e vërtetë, pasi ëndrra e tij ishte të merrte pjesë në Afrikën e Jugut me kombëtaren. “Më vjen shumë keq për të, megjithatë unë do ta pres”, deklaroi dje tekniku i Anglisë Fabio Kapelo. Britaniku nuk i ka përmbajtur lotët në momentin e daljes nga fusha, i vetëdijshëm për atë që e priste. Në moshën 34-vjeçare, atij nuk i ka mbetur shumë për të luajtur. Milan-Kievo përfundoi me rezultatin 1-0 për skuadrën e Leonardos, me një gol të shënuar nga Klarens Sedorf në shtesë, që e çoi Milanin 1 pikë larg Interit. Por, mbrëmja u prish pikërisht nga dëmtimi i mesfushorit anglez.
(e.n/A.Latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›