E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ligji i SHISH, Klosi: Disa nene cënojnë jetën private

TIRANE- Një nga pikat shumë të debatuara të prjekt/ligjit për shërbimin informatik shtetëror , është neni 7 i këtij drafti ku përcaktohet detyrat konkrete të punonjësve të këtij shërbimi. Në draftin e ri, punonjësve të SHISH u jepen kompetenca të gjera deri në të drejtën e tyre për të siguruar informacion jo vetëm nga institucionet por dhe nga persona fizikë dhe juridikë. Madje drafti detyron këta persona të përmbushin detyrat e punonjësve të SHISH.

Neni 7, në nenin 13 paragrafi i katërt ndrshohet si vijon: Punonjësit e Shërbimit Informativ Shtetëror për përmbushjen e detyrave në funksion të sigurimit kombëtar kërkojnë informacion nga autoritetet shtetërore, qëndrore ose lokale e nga personat fizikë e juridikë përfshirë dhe shfrytëzimin e regjistrave, bazave të të dhënave, dokumentacionit zyrtar etj. Drejtuesit dhe punonjësit e autoriteteve shtetërore, personat juridikë dhe fizikë përmbushin kërkesat e punonjësve të autorizuar nga drejtori i SHISH. Në këto raste punonjësit e SHISH duhet të identifikohen duke paraqitur dokumentin zyrtar të identifikimit dhe autorizimin përkatës.

Për ish shefin e Shërbimit Informativ Kombëtar , Fatos Klosi ky është një cënim i lirisë së individit ndërsa thotë se me anë të këtij drafti Shërbimit Informativ Shtetëror lejohet të hyjë dhe në jetën personale të individit.
“Të kërkojë është gjysma e punës por që pala tjetër të ketë detyrimin të japë përgjigje, kjo më duket e tepërt. Kjo gjë është komoditet por bie në kundërshtim me të gjitha parimet. Ky ligj lejon ndërhyrjet e SHISH në problemet edhe personale të njerzve, sepse aty thuhet për probleme të sigurisë kombëtare, por koncepti i sigurisë kombëtare është aq i gjërë sa cdo gjë mund të quhet pjesë e sigurisë kombëtare.” theksoi Klosi.

Në një intervistë për Neës24 Klosi pranon se dhe vetë ka tentuar të fusë këtë nen në ligjet e atëhershme por ishin agjensitë partnere që nuk e lejuan , pikërisht për rrezikun që bart në lirinë e individit zbatimi i një neni të tillë.
(e.n/News24/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›