E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ançeloti te Çelsi, priten Riberi dhe Vija

Ka mbërritur përpara parashikimeve njoftimi zyrtar nga faqja e Çelsit, duke shuar çdo hipoteze për ndërhyrje të Realit të Madridit në mes të tratativave: Karlo Ançeloti është trajneri i ri i klubit londinez. Ish-tekniku i Milanit ka firmosur një kontratë 3-vjeçare (deri në 2012). "Unë mendoj se tani është koha për ndryshim". Trajneri i ri i "Blues" debuton me një intervistë në faqen zyrtare të Çelsit. "Është intervista ime e parë në anglisht dhe për mua nuk është e lehtë", thotë Ançeloti, me një anglishte jo perfekte, por në mënyrë substanciale korrekte dhe të kuptueshme. "Dëshiroj të përmirësoj, dëshiroj të mësoj. Kur të fillojmë sezonin, do të jem në gjendje të flas më mirë. Është e rëndësishme të komunikoj me skuadrën, me stafin dhe me gjithë personalin e klubit", thotë ish-trajneri i Milanit. "Për mua Milani ka qenë një eksperiencë e madhe. Kam luajtur atje për 5 vjet si lojtar, pastaj 8 vjet si trajner. Tani është momenti për të ndryshuar faqe", shton ai. "Presioni te Çelsi nuk ndryshon, pasi një skuadër e madhe dëshiron të fitojë gjithmonë", shprehet Ançeloti, duke u përgatitur për aventurën e re. "Champions League dhuron ndjenja të mrekullueshme. E kam fituar dy herë si lojtar dhe dy herë si trajner i Milanit më 2003 e më 2007, pohon ai. Çelsi ka një rekord të madh në këtë turne, me 5 gjysmëfinale në 6 vjet. Tani duhet ta fitojmë, kështu shpresoj". Në mëngjesin e djeshëm, Ançeloti ka rrëfyer se, një natë më parë kishte ngrënë darkën e fundit me Galianin dhe me trajnerin e ri të Milanit, Leonardon. Ndërkohë, Çelsi, pas marrjes së trajnerit të ri, bëhet gati të shpenzojë në merkato, për t‘i vënë trajnerit të ri në dispozicion lojtarët e nevojshëm për t‘u rikthyer te triumfet në kampionat dhe për të fituar Champions League. Xhon Terri i ka kërkuar Roman Abramoviçit të fusë duart në portofol dhe të jetë i gatshëm për të shpenzuar. Dhe emrat e preferuar të kapitenit janë ato të Frenk Riberisë të Bajern Mynih (rreth 52 milionë euro) dhe David Vijas të Valencias (rreth 30 milionë). "E di që po bëhen tratativa me Riberinë dhe Vijan, ka thënë ai për ‘Daily Mail‘, dhe nëse mendon që lojtarë të tillë të mëdhenj dëshirojnë të vijnë këtu, kjo do të thotë se, jemi një skuadër e madhe dhe se jemi gati për të fituar sërish. Me ta mund të jemi pretendentë për Premier League, edhe pse do të duhet të harrojmë njerëz si Drogba, Ashli Kol e Xho Kol, të cilët po diskutojnë për rinovimin e kontratës". Sipas "The Sun", ardhja e trajnerit të ri mund të pasohet me largimet e Malouda, Kalou e Deko, ndërsa përveç Riberisë e Vijas, pëlqehen edhe Zhirkov, Adebajor, Tevez e Aguero. Në të vërtetë, beniamini i Abramoviçit quhet Kaka. Madje, bosi rus ka provuar ta blejë atë nga Milani javën e kaluar, kur ka takuar personalisht babanë-menaxher të kampionit Bosko Leite, por oferta e tij u refuzua.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›