Marsejë, me Deshamp Cana rrezikon vendin
Lorik Cana nuk shihet më si i paprekshëm tek Olimpiku i Marsejës. Emërimi i trajnerit Didië Deshamp për sezonin e ardhshëm mund ta shtyjë kapitenin e nënkampionëve të Francës të largohet. Lojtari i Kombëtares shqiptare nuk e ka fshehur dëshirën për t‘u transferuar në Premiershipin anglez ose në Bundesligën gjermane, pas interesimit nga Arsenali, Liverpuli, Evertoni dhe Bajerni i Mynihut. Por, për momentin ai mbetet pjesë e marsejezëve, ndërkohë që "L‘Equipe" zbulon se Cana nuk vlerësohet si lojtar i domosdoshëm nga Deshamp. Drejtuesi i ri i stolit mendon se Olimpiku duhet të përforcohet në mbrojtje dhe mesfushë, dy repartet më problematike. Për më tepër, kuqeziu nuk do të jetë pjesë e listës së "vogël" të fituesit të Botërorit 1998 dhe Euro 2000, që duket se preferon Luço Gonzalez dhe Alu Diarra.