E Shtunë, 31 Tetor 2026

Perez kthehet te Reali: Do jemi skuadra më e mirë e shekullit

Florentino Perez kthehet zyrtarisht. Pasi ka humbur në zgjedhjet e Realit të Madridit në vitin 1995 dhe mposhti dy herë Lorenco Sanz (në vitin 2000 dhe 2004), tashmë ai fiton pa konkurruar: afati i fundit për kandidatët ishte mesnata e 31 majit, por për postin më të lartë në klubin "merengue" nuk u paraqit asnjë alternativë tjetër. Perez fiton mandatin e 31-të të historisë së klubit (24 presidentë në total) dhe të tretin personal. Inxhinieri ishte larguar më 27 shkurt 2006, periudhë kur dha dorëheqjen, sepse Reali po mbyllte sezonin e tretë radhazi pa fituar asnjë trofe, ecuri negative që nuk ndodhte prej 50 vitesh. Por, nuk ishte e thënë që situata të përmirësohej: edhe pse trofetë erdhën (dy tituj kampionë dhe një Superkupë spanjolle), problemet në fushë (me tre trajnerë të ndërruar) dhe jashtë saj (padi penale e civile, akuza për Asamble të trukuar, skandale financiare) nuk munguan. Dje rreth orës 13:00, Perez hyri në "Santiago Bernabeu" i shoqëruar nga kryebashkiaku i Madridit, Alberto Ruiz Galardon, dhe u ngjit plot optimizëm në platenë e montuar në tribunën qendrore. Detyra e tij është të rikthejë lavdinë e skuadrës, të blejë yje dhe të punojë me marketingun. Asgjë nga këto nuk e tremb njeriun që ndërtoi skuadrën "Galaktike". "Dëshirojmë ta ngremë Realin në vendin që i takon dhe të luftojmë që ajo të jetë skuadra më e mirë e shekullit të 21-të", deklaroi "Don Florentino". "Objektivi është që klubi ynë të jetë lider në aspektin sportiv, por edhe në aspektet ekonomiko-sociale". Më tej nuk kishte si të mungonte as shigjetimi ndaj paraardhësit Ramon Kalderon: "E kam për nder të drejtoj institucionin sportiv më të rëndësishëm në botë, por kjo është edhe një përgjegjësi e madhe. Do të punojmë me të gjitha forcat që të rikuperojmë ëndrrat, qëndrueshmërinë dhe kohën e humbur". Në pritje të lojtarëve të mëdhenj që do të afrohen te Reali, Perez ka zgjidhur disa prej ngërçeve. Maurisio Pelegrini, kiliani i cili prej gjashtë vitesh punon te Vijareali do të jetë trajneri i ri. Ashtu si pritej, Zinedin Zidan emërohet këshilltar i presidentit, ndërkohë që Horge Valdano rikthehet në detyrën si drejtor i përgjithshëm. Bordi drejtues emëroi Migel Pardezan si drejtor sportiv, por ende nuk është e qartë nëse mendimi i tij do të ketë peshë në transferimet e futbollistëve.

Madrilenët

Kaka ose Ibrahimoviç, blerja e parë në "Bernabeu"

Pas rikonstruktimit të klubit dhe emërimit të drejtuesve të rinj, tashmë Florentino Perez do t‘i përkushtohet afrimit të yjeve te Reali i Madridit. Sipas zërave të pakonfirmuar zyrtarisht, presidenti i klubit po mendon që brenda kësaj jave të prezantojë blerjen e parë të madhe, të epokës së dytë "Galaktike". Bëhet fjalë për brazilianin e Milanit, Kaka. Javën e kaluar, pasi ka siguruar shërbimet e trajnerit Ançeloti, Roman Abramoviç ka tentuar të gjejë akordin për fantazistin. Por, gjatë takimit me babanë-menaxher të 27-vjeçarit, oferta e Çelsit është refuzuar. Sipas gazetës "Times", Kaka preferon të transferohet te Reali i Madridit i drejtuar nga Perez. I pyetur rreth kësaj çështjeje, lojtari deklaroi: "Unë po nisem? Sigurisht, do të bashkohem me Kombëtaren në Brazil. Gjithsesi, nuk kam thënë as që do të largohem nga Milani, as që do të qëndroj. Për merkaton nuk flas më".

Presidenti i ri i madrilenëve synon të blejë edhe pesë-gjashtë lojtarë, mes të cilëve përfliten Kristiano Ronaldo, Ksabi Alonso, David Silva e Albiol. Por, nëse afrimi i Kakasë dështon, vëmendja e Perez do të kthehet nga Zlatan Ibrahimoviç. Në "Bernabeu" po e shqyrtojnë seriozisht idenë për të ofruar 40 milionë euro dhe kartonin e holandezit Uesli Shnajder për sulmuesin e Interit. E ardhmja e suedezit është lidhur edhe me Barcelonën, ku për të ulur çmimin prej 70 milionë eurosh, katalanët duken të gatshëm të paguajnë 30 milionë euro dhe sulmuesin Samuel Eto‘o.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›