Andi Lila: Jemi Tirana, s' na duhet ndihma e gjyqtarëve
Zv/kapiteni i Tiranës dhe mbrojtësi i kombëtares, ndjehet fajtor për atë karton të verdhë të marë në sekondat e fundit të ndeshjes, çka e detyron lojtarin të mos aktivizohet në ndeshjen me Skënderbeun
Kanë qenë sekondat e fundit të ndeshjes, më konkretisht minuta e 93-të e derbit të së hënës mes Dinamos e Tiranës, kur Andi Lila, mbrojtësi bardheblu shkaktoi një ndërhyrje të gabuar, që u ndëshkua me karton të verdhë nga kryesori Jemini. Për momentin asnjë nuk u kujtua se Andi Lila, me këtë ndëshkim, plotësoi numrin e kartonëve të verdhë dhe do të jetë i detyruar që superndeshjen e së enjtes kundër Skënderbeut, të mos e luajë. Mbrojtësi irritohet dhe nis t’i kërkojë llogari kryesorit Jemini pasi e di mjaft mirë situatën, por kartoni i verdhë është diçka që nuk zhbëhet më. Parë këtë situatë, Lila u kërkon falje të gjithë shokëve të skuadrës dhe tifozërisë së Tiranës, që do t’i duhet ta përballojë Skënderbeun pa njeriun më të mirë në mbrojtje. “Më vjen keq për kartonin e verdhë. Sinqerisht nuk besoj se ndërhyrja ishte aq e rëndë, për më tepër se po mbaronte edhe koha e lojës, por gjyqtari më ndëshkoi dhe për pasojë nuk do luaj kundër Skënderbeut. Dua t’i kërkoj falje tifozëve që nuk do të jem kundër korçarëve, por kam shumë besim te shokët e skuadrës dhe e di shumë mirë që ata do ta përballojnë këtë 90 minutësh me sukses,” deklaroi mbrojtësi bardheblu, autori i golit të fitores në derbin kundër Dinamos falë penalltisë të shndërruar në gol në minutën e 35-të të takimit.
Gjithashtu, Lila nuk është aspak dakort me akuzat e trajnerit të Dinamos, Ilir Daja “gjykim i dyshimtë”, apo sulmuesit Elis Bakaj “Tirana ka blerë gjyqtarët”, që kanë hamendësuar, sipas tij, se Tirana ka qenë e favorizuar në ndeshjen e së hënës nga gjykimi i tre arbitrave. “Ne e merituam 100% fitoren dhe nuk jam dakort me fjalët e Dajës sepse ne e përgatitëm mirë ndeshjen dhe arritëm të fitonim. Ishim përgatitur për të luajtur kundër Skënderbeut, por ndodhi që luajtëm kundër Dinamos dhe derbi është një ndeshje e madhe. Edhe Bakaj kur flet në këtë mënyrë të ngre nervat sepse ai duhet te flasë në mënyrë më të matur sepse ai është një shembull për të gjithë. Bakaj duhet ta dijë se Tirana nuk është shitur kurrë dhe nuk ka blerë kurrë arbitrat".
Në përfundim të deklaratës së tij, Lila bën një parashikim edhe për ndeshjen me Skënderbeun. Sipas tij, do të jetë një ndeshje plot emocione dhe spektakël. “Kundër Skënderbeut, Tirana do të bëjë maksimumin sepse na nevojitet kjo fitore. Korçarët kanë vërtet një ekip të mirë, porn e jemi Tirana dhe zbresim në fushë vetëm për fitore. Nëse arrijmë të marrim tre pikët në këtë ndeshje, atëherë mund ta them me plot gojën se jemi plotësisht në luftë për titullin kampion,” ka përfunduar deklaratën e tij mbrojtësi i Tiranës, Andi Lila.