E Shtunë, 31 Tetor 2026

Andis Harasani: Nuk e djeg mandatin për shkak të Ramës

“PS nuk rrezikon mandatet për trillet e kryetarit”

Harasani paralajmëron hyrjen në Kuvend

Sekretari për Programin në Partinë Socialiste dhe deputeti i zgjedhur i saj në Tiranë, Andis Harasani, shprehet se nuk do të djegë mandatin e tij në rast se kreu i PS-së, Edi Rama, kërkon një gjë të tillë. Vetëm një ditë më parë nga deklarata e deputetit Ben Blushi, Harasani mbështet idenë se deputetët duhet të shkojnë në Kuvend. Në një intervistë televizive, Harasani tha më tej se nuk do të djegë mandatin e tij për trillet e kryetarit të PS-së, Edi Rama. “Sigurisht që jo, dhe i pari që s’do më kërkojë këtë gjë është Rama, pasi vetë ai s’po e djeg mandatin e kryetarit të bashkisë. Anëtarët e PS-së që akoma s’kanë bërë betimin e deputetit, s’duhet të djegin mandatin për trillet e kryetarit”, - deklaroi deputeti i PS-së, Andis Harasani. Sipas deputetit të PS-së, shumë nga deputetët e PS-së kanë të njëjtin mendim dhe sipas tij, ata i shprehin mendimet e tyre vetëm në kafene, por jo në forumet e PS-së. “Në këtë fazë që është PS s’kanë rëndësi numrat, pasi shumica e anëtarëve të PS-së, që akoma s’kanë bërë betimin e deputetit s’duhet të djegin mandatin për trillet e kryetarit. Shumë kandidatë për deputetë i thonë këto nëpër kafene dhe ende si thonë në asamble”, - tha më tej Harasani. Qëndrimi i anëtarëve të “Lëvizjes për Mendimin Ndryshe” në PS vjen pas deklaratave të vazhdueshme të ndërkombëtarëve drejtuar kësaj partie, për t’i dhënë fund bojkotit, në mënyrë që të bëhen pjesë e reformave integruese dhe e debatit politik.

Vetëm një ditë më parë, deputeti Ben Blushi tha në një emision televiziv se gjysma e deputetëve të PS-së duan të hyjnë në Kuvend. Madje, sipas Blushit, ata mbështetin tezat e tij për ndalimin e bojkotit si dhe i kanë kërkuar të bëjë më shuam presion që deputetët e PS-së të hyjnë në Kuvend. “Ky është mendimi i më shumë se gjysmës së grupit parlamentar, kolegë të mi, me të cilët flas shpesh dhe më thonë që ti po na shpëton dhe ne, duke folur dhe më kërkojnë të flas më shpesh, të bëj presion që të ndodhë sa më shpejt hyrja në Kuvend”, - tha Blushi në emision. Ai tha se ky presion nuk po vjen vetëm nga PS-ja, po nga një faktor tjetër dhe më i rëndësishëm që është ai evropian, ndërkombëtar. Ndërkaq, ai ka parashikuar se me këtë mënyrë se si Rama po e drejton partinë, ka gjasa të bojkotojë dhe zgjedhjet e ardhshme lokale, duke e cilësuar këtë si një katastrofë për Partinë Socialiste dhe si një rrugë pa kthim drejt shpërbërjes së saj si parti. Anëtari i kryesisë e ka cilësuar opozitën aktuale ambulante, e cila bëhet, sipas tij, tek kangjellat e Ministrisë së Jashtme apo në trotuar, gjë që ai s’e pranon dot.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›