E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prifti: Karburantet pa cilësi dëmtojnë konsumatorët

Ministri kërkoi të merren masa për të eliminuar abuzimet

Shkarkohet drejtori i IQT-së, Ilir Kurti, emërohet Virgjil Joti

Me karburantet në tregun shqiptar shpeshherë abuzohet, por ai që dëmtohet është konsumatori i thjeshtë, po më e keqja është se ata që duhet të kontrollojnë pikat e tregtimit të karburanteve, që janë inspektorët e Inspektoratit Qendror Teknik të Naftës e Gazit (IQT), nuk ngurrojnë të bëhen palë me tregtarët dhe të fshehin abuzimin tyre. Një fakt të tillë e ka pohuar dje vetë ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës, Dritan Prifti, i cili ka qenë shumë i ashpër me inspektorët e IQT-së, duke i akuzuar se bashkëpunojnë me importuesit e karburanteve. Ministri Prifti ka pranuar se konsumatorët në vend po dëmtohen për shkak të cilësisë së dobët të karburanteve në treg, ndërsa inspektorët e Inspektoratit Qendror Teknik nuk kanë marrë masa ndaj kompanive të mëdha që operojnë në këtë treg. Ministri Prifti, gjatë një takimi të zhvilluar dje me punonjësit e kësaj administrate, akuzoi inspektorët për bashkëpunim me importuesit e karburanteve në tregun shqiptar. "Konsumatori ka probleme me cilësinë e karburantit që tregtohet në tregun shqiptar, por problemi nuk vjen nga importi, por nga abuzimet pasi futet në tregun tonë", - theksoi ministri Prifti. Kreu i METE-s ofroi mbështetjen e tij për të përmirësuar kuadrin ligjor në drejtim të ashpërsimit të masave ndaj gjithë importuesve, që prishin cilësinë e karburantit ose nuk zbatojnë rregullat. “Këto masa, - theksoi ministri i METE-s, - duhet të shkojnë nga gjoba, heqja e licencës e deri të mbyllja e aktivitetit, ndërsa i dha 3 muaj kohë Inspektoratit për ndryshimin e kësaj situate”. “Është absurd fakti që në vitin 2008 u vendosën vetëm 60 gjoba për shkelje nga kompanitë nga inspektorët në terren, që janë peshq të vegjël dhe nuk është gjobitur asnjë nga kompanitë e mëdha që kanë shkelur ligjet", - ka këmbëngulur Prifti në abuzimet e kryera nga IQK-ja. Nga ana tjetër ai ngriti problemin e gjobave të paarkëtuara që kapin shifrën e 27 milionë lekëve. Ministri Prifti tha se nga inspektimet e bëra rezulton se asnjë nga pikat e karburanteve në vend nuk ka një shenjë të importuesit, çka e konsideroi një shkelje, nga e cila importuesit vendas kanë përfituar. "Nëse pikat e karburantit do t'i kishin vendosur shenjën e importuesit të karburantit, vetë kompania nga është importuar karburanti nuk do të lejonte prishjen e cilësisë së karburantit", - deklaroi ministri Prifti. Ai kërkoi që në ndryshimet ligjore të përfshihet vendosja e një numri jeshil në të gjitha pikat e tregtimit të karburanteve, në mënyrë që konsumatori të ketë mundësi që të ankohet për çdo abuzim. Gjithashtu, ministri Prifti kërkoi vendosjen e barrikadave që në port për karburantet pa cilësi nga inspektorët. "Në METE do të ngrihet një strukturë e posaçme, që do të kontrollojë tregun e karburantit", - deklaroi Prifti, duke shtuar se "do të shtohen edhe laboratorët lëvizës në rrethe për bërjen e analizave për të rritur edhe intensitetin e punës".

Sipas Priftit, mosfunksionimi i tregut të karburanteve po ndikon dhe në procesin e integrimit, pasi nuk po zbatohen standardet evropiane, që i konsideroi si kusht për këtë proces. Ministri kërkoi që organet e mbikëqyrjes së tregut duhet të garantojnë cilësinë për konsumatorët përmes sigurisë së produkteve. Prifti nënvizoi se keqmenaxhimi i këtyre institucioneve apo korrupsioni në to pengojnë zhvillimin e mëtejshëm. Nisur nga ky shkak ministri Prifti ka shkarkuar nga detyra drejtorin z. Ilir Kurti dhe ka emëruar kreun e ri, z. Virgjil Joti. Sipas tij, fakti që brenda një viti janë vendosur vetëm 60 gjoba, të cilat u referohen vetëm kompanive të vogla, lë për të dyshuar.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›