E Diel, 1 Nëntor 2026

Anemi nga hekuri te fëmijët, si ta trajtosh

• Pakësimi i hekurit në lindje, sëmundjet parazitore, mungesa e hekurit në ushqime, janë disa nga shkaqet që çojnë në shfaqjen e anemisë nga hekurit te fëmijët.

AIDA MALAJ

Në një intervistë për "Panorama", mjeku hematolog, Sotiraq Lako, shpjegon se si shfaqet dhe si mund të trajtohet kjo formë anemie te fëmijët:
Çfarë është anemia nga mungesa e hekurit?
Kjo është një anemi që karakterizohet nga ulja e të gjithë treguesve të serisë së kuqe (MCV, MCH, MCHC, por rritje të RDW) dhe në strishon e gjakut periferik paraqiten eritrocite hipokrome, mikrocitare. Shkaku është defekt në sintezën e Hemit (mungon Fe), ndryshe nga Talasemia ku defekti është në vargjet e globinës.
Cilat janë shkaqet që çojnë në deficitin e hekurit tek fëmijët?
Shkaqet e deficitit të hekurit tek fëmijët janë nga më të ndryshme. Shkak i parë mendohet të jetë pakësimi i hekurit të përgjithshëm të trupit në lindje. Në lindje sasia e hekurit në organizmin e fëmijës është rreth 78 ml/kg (65-90 ml/kg), prej të cilës 60 ml/kg është në përbërje të hemoglobinës. Një lidhje lineare ekziston midis peshës së trupit dhe sasisë totale të hekurit. Fëmijët e lindur në kufijtë e sipërm të peshës kanë 80% më shumë hekur se fëmijët e lindur në kufijtë e poshtëm të saj.  Tek fëmijët prematurë (e lindur para kohe) sasia totale e hekurit është akoma më e vogël. Deficiti i hekurit është më i madh tek binjakët, sepse ata kanë tendencë të kenë peshë më të vogël dhe nga ana tjetër ka kalim të gjakut nga një placentë në tjetrën. Shkak tjetër është varësia e fëmijës ndaj qumështit të lopës pa suplement hekuri. Jo vetëm se qumështi i lopës është i varfër me hekur, por ai mund të shkaktojë humbje gastrointestinale të gjakut. Shkak tjetër janë humbjet e gjakut gjatë fëmijërisë. Humbjet okulte të gjakut (të padukshme, pa një lesion anatomik të dukshëm) janë vërejtur tek një sërë fëmijësh që zhvillojnë anemi ferriprive. Procesi është i lidhur me një prekje difuze të zorrëve, me enteropati me humbje proteinash dhe me pakësim të thithjes të disa substancave ushqimore. Akoma nuk dihet nëse ky sindrom intestinal është shkak apo pasojë e deficitit të hekurit. Shkak për shfaqjen e kësaj anemie bëhet dhe mungesa e hekurit në ushqime. Eshtë më e rrallë së shkaqet e mësipërme dhe është matur se duhen mesatarisht 8 vjet që një njeri normal që nuk merr hekurit në ushqim të zhvillojë anemi. Më tepër mungesa e hekurit në ushqime ndihmon në zhvillimin e anemisë nga shkaqet e mësipërme. Por shkak për shfaqjen e anemisë bëhen dhe parazitët, sidomos Ancylostoma duodenale (Necator americanus). Çdo parazit në këtë rast mund të shkaktojë një humbje gjaku prej 0.05 ml/ditë. Tek femrat mund të zhvillohen deri në 100 parazitë (5 ml gjak/ditë) dhe tek meshkujt deri në 250 (12.5 ml gjak/ditë).
Anemia te fëmijët e porsalindur mund të vijë si pasojë e anemisë të shfaqur te nëna?
Pakësimi i rezervave të hekurit  tek nëna shtatzënë, ndikon pak ose aspak në rezervat totale të hekurit në organizmin e fëmijës. Nuk ka diferenca në vlerën e hemoglobinës të fëmijëve të lindur nga nëna me anemi në lindje, nga ata  të lindur nga nëna që nuk kanë qenë anemike (në lindje ose më vonë). Suplementi i hekurit gjatë shtatzënisë nuk ka efekt mbi një anemi ferriprive që mund të zhvillohet tek fëmija pas lindjes. Rezervat e hekurit tek nëna nuk kanë lidhje me rezervat e hekurit tek fetusi.
Në procesin e lindjes tek 50% e rasteve (grave shtatzëna), një sasi gjaku fetal kalon tek nëna dhe ky mund të luhatet nga 0.5 -40 ml dhe në 1% të rasteve në sasi të mëdha deri 80 ml.(që mund të shkaktojë anemi tek i porsalinduri).
Si ndikon dieta në aneminë e shkaktuar nga mungesa e hekurit?
Depozitat e hekurit tek fëmija i porsalindur mund të harxhohen për një periudhë 2-6 muaj për shkak të rritjes së shpejtë. Në këtë periudhë një fëmijë i lindur në normë mund të absorbojë 0.4-0.6 mg/ditë nga dieta. Për të arritur këtë nivel absorbimi duhet që marrja e hekurit të bëhet në dozën 1 mg/kg/ditë për fëmijët e lindur në normë dhe 2 mg/kg/ditë për fëmijët e lindur prematurë, me një dozë maksimale ditore prej 15 mg hekur. Këto sasi hekuri nuk mund të arrihen pa u përdorur hekur suplementar tek ushqimet. Nga viti i parë deri në moshën 6 vjeç sasia e hekurit rekomandohet 15 mg/ditë, nga mosha 6 vjeç deri në moshën 11 vjeç rekomandohet 10 mg/ditë dhe gjatë pubertetit 18 mg/ditë. Qumështi i nënës dhe i lopës kanë sasi të paktë hekuri (rreth 1 mg/litër). Qumështi i nënës është më i vlefshëm, sepse 49% e hekurit që gjendet në qumështin e nënës absorbohet (përthithet), në krahasim me 10% të hekurit në qumështin e fëmijës. Fëmijët që marrin qumështin e nënës në 6 muajt e parë të jetës kanë një nivel ferritinemie (depove të hekurit) më të lartë se ata që ushqehen me qumështin e lopës dhe rrjedhimisht mundësia për zhvillimin e anemisë është më e vogël. Aktualisht përdoren qumësht për fëmijët që përmbajnë hekur shtesë. Disa nga këto lloje qumështi përmbajnë 10-12 mg/litër ferri sulfat që thithet deri në masën 4 %. Cerealet me shtesa hekuri janë një burim tjetër për marrjen e hekurit. Këto përmbajnë 0.45 mg/gr hekur që thithet në masën 45. 3-6 lugë gjelle me të tilla cereali sigurojnë 3-6 mg hekur dhe dy marrje të tilla në ditë do të sigurojnë nevojat ditore për hekur tek shumica e fëmijëve.

trajtimi
Hapi i parë i trajtimit është eliminimi i shkakut. Së dyti rekomandohet trajtimi me preparate hekuri. Për fëmijët përdoren solucione me Fe dhe dozat
ndryshojnë në vartësi të përmbajtjes së tij dhe të peshës së fëmijës. Zakonisht preferohet
1.5-3 mg/kg/ditë hekur elementar e ndarë në
2-3 marrje. Preferohet përsëri rritja graduale deri në arritjen e dozës së plotë pas disa ditësh. Duhet të kihet gjithmonë parasysh se po u shfaq anemia, ajo nuk korrigjohet nga doza fiziologjike e hekurit që gjendet në ushqime të ndryshme (mish, shpretka, fasule etj).

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›