E Diel, 1 Nëntor 2026

“Franku V” leksione estetike nga Kumbaro

• “Ka njerëz që nga pasuria nuk kanë asgjë, veç frikës se do ta humbasin” (Didero). “Franku V”, kjo histori makbethiane e dramaturgut gjerman Frirdich Durrenmat, u shfaq premierë mbrëmjen e së premtes në skenën e Teatrit Kombëtar.

 Një vepër tipike e luftës për pushtet e para, e rivënë në skenë pas 17 vjetësh nga regjisori Arben Kumbaro. Por “Franku V” nuk flet thjesht për një bankë, por për një sistem shoqëror, për një shtet gangsterësh, i cili do që të reagojë në mënyrë “demokratike”. Regjisori Kumbaro, jo më kot i mëshon idesë: Nuk ka demokraci për gangsterë, sepse Durrenmati paraqet në mënyrë simbolike raportet e individit me shtetin, ato midis botës materiale dhe asaj shpirtërore. Megjithëse e shkruar në vitet ‘60, u përzgjodh nga Teatri Kombëtar si premiera që çeli këtë vit sezonin e ri artistik, sepse përmban një forcë të madhe politike, poetike po aq edhe estetike në komunikimin e saj me realitetin e shoqërisë shqiptare. Eshtë një vepër që i flet realitetit të çdo kohe dhe çdo vendi. Ndaj regjisorin me vënien në skenë të kësaj komedie tragjike e ka munduar shqetësimi e ndërgjegjes qytetare sot “A mund të lulëzojë demokracia në një shtet gangsterësh?!”. Durrenmat me “Franku V”, tallet me gangsterët bankierë që nëpërkëmbin vlerat njerëzore duke ndërtuar me mjeshtëri karikaturat e tyre. Aq sa boshti ku vërtitet gjithë kjo odise është vetëm paraja, si gjenerator i veprimit dramatik. Po aq edhe grotesku është një nga elementët kryesor artistik që e gjen lehtë në këtë vepër, sikurse dhe komiken e dramatiken, elemente të farsës e të bufonadës, të sureales e absurdit. E në atë ngrehinë banke gangsterësh, kryhen gjithfarë funksionesh. Shndërrimi i saj, herë në ambient shtëpie, herë në sallë lokali, herë në sallë mbledhjesh, arenë luftimesh me armë e me hajdutë, vjen mjaft origjinale, falë skenografisë së realizuar me kujdes nga Genc Shkodrani i njohur për realizmin e shumë skenografive në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit. Një dekor monumental, element shumë i rëndësishëm në veprën e dramaturgut gjerman Fridrich Durrenmat që vlen për t’u vënë në dukje. Bashkëngjitur saj, vijnë edhe kostumet të realizuara nga stilistja Anila Zajmi. E stafit të aktorëve, që kësaj here renditeshin të shumtë në numër, (Fatos Sela, Luiza Xhuvani,Yllka Mujo, Roland Trebicka, Bujar Asqeriu, Neritan Liçaj, Mehdi Malkaj, Naum Shundi, Vangjel Toçe, Saimir Braho, Olta Dako, Marko Bitraku, Sokol Angjeli, Mario Deda) nuk iu është dashur vetëm të dialogonin, të aktronin, recitonin, këndonin e kërcenit, e të gjitha këto brenda një banke. E të gjitha pjesët janë kënduar live, sipas kompozimit muzikor të Endri Sinës dhe orkestra në skenë e drejtuar nga Marjan Deda. Ndërkaq lëvizjet koreografike të aktorëve janë përshtatur nga koreografi Gjergj Prevazi në mëse dy orë shfaqje. Por të gjitha këto elemente, si dekori i skenës, përzgjedhja e loja e aktorëve, kostumografia, gjetjet regjisoriale të përfshirë në "Franku V", vijnë nën drejtimin e regjisorit Arben Kumbaro, i cili më këtë shfaqje jep leksione estetike për teatrin. Leksione se të tilla shfaqje duhet të kenë vend gjithmonë në skenat kombëtare.

Rikthimi i “Franku V”

“Franku V” është cilësuar nga kritika botërore si versioni modern i “Rikardit III” dhe përpjekje alternative e veprës së Brehtit “Opera për tre grosh”. Tek Brehti gangsterët janë borgjezë, ndërsa te Durrenmat borgjezët janë gangsterë. Kritikë të ndryshëm e kanë cilësuar këtë vepër si: komedi-muzikore, tragjikomedi, tragjedi groteske, grotesk–kriminal. “Franku i V” dëshmon vitalitetin dhe humanizmin e penës së Durrenmatit, zgjuarsinë dhe kurajon qytetare me të cilat ai gjykon realitetin e përditshëm. Ndërsa në Shqipëri ka ardhur për herë të parë nga i njëjti regjisor, në vitin 1990, në skenën e teatrit “Migjeni” në Shkodër. Vepër e cila u shfaq vetëm pesë herë, sepse përkoi me demonstratat e parë në vend. Ndërsa tashmë do të shfaqet çdo fundjavë përgjatë muajit mars.

Dramaturgu

Durrenmat si një nga kolosët e dramaturgjisë moderne gjermanofone të shekullit XX-të e rimori këtë temë me synimin për të reflektuar ndryshimet sociale që kishin ndodhur në Evropën e pas luftës së dytë botërore si pasojë e lulëzimit të konceptit liberal perëndimor të kapitalizmit josocial. Situata është shumë e ngjashme sot me ndryshimet që ndodhën në Evropën Lindore pas viteve ‘90-të. Kjo pjesë është vënë me shumë sukses në këto vende pikërisht si metaforë e një shteti banditësh me veladonin e kuq dhe ideologji të majtë.
 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›