Ndihma e dytë ndërkombëtare për Greqinë – një fond që po luhet politikisht prej partive greke
Kriza e thellë ekonomike e Greqisë po detyron vendet anëtare të Bashkimit Europian që të programojnë një valë të re ndihmash për shtetin fqinj. Por kriza greke po përfshin gjithnjë e më shumë edhe politikën e saj të brendshme. E majta në pushtet pasi ka akuzuar të djathtën si përgjegjëse kryesore të krizës vazhdon ende sot të përbaltë, sipas tyre politikën populiste të liderit të qendrës së djathtë Antonis Samaras. Ndërkaq sipas sondazheve të kryera (të shtunën e kaluar) Demokracia e Re, partia opozitare në Greqi ka arritur në 31% të preferencave ndërsa e majta greke (Pasok) arrin në një nivel të ulët 27%. Por humbja merr një përmasë më të madhe po të konsiderojmë se e majta është aktualisht partia në pushtet. Në fakt brenda një muaji e majta greke ka humbur pesë pikë. Fakti tjetër i rëndësishëm është se për herë të parë pas zgjedhjeve, që u zhvilluan në shtetin helen në vitin 2009, lideri i Demokracisë së Re, Antonis Samaras, ka kaluar për nga popullariteti personal kryeministrin Papandreu. Por e majta në pushtet nuk dorëzohet dhe nëpërmjet disa analistëve grekë po të së majtës, thekson se Samaras po luan me kartën e rrezikshme të populizmit: ka qenë kundër planit të kursimit që ka kërkuar BE dhe FMN duke kërkuar që të ulen taksat në një moment kur vendi duhet të privatizojë, pra të shesë për të paguar një borxh publik që është sa 150% e GDP. Theksojnë përsëri, disa burime greke gjithnjë të së majtës, se sipas tyre, presidenti i Eurogrupit Jean-Claude Juncker, Zhoze Barroso, presidenti i komisionit të Bashkimit Europian dhe kryeministri francez Francois Fillon kanë ftuar Antonis Samaras përgjatë disa takimeve të zhvilluar gjatë javës që të mbështesë planin e kursimit prej 6,8 miliardësh për vitin 2011 deri në vitin 2015 për të evituar krizën serioze të vendit dhe se në këto takime, Samaras mund të jetë shprehur se reduktimi i taksave do të bëhet vetëm për qëllime zgjedhore, dhe se ata nuk duhet të shqetësohen sepse pasi të ketë marrë pushtetin në të vërtetë nuk ka për t’i ulur taksat. Qëllimi i këtyre zërave është se pas kësaj krize, më e madhja e pasluftës për Greqinë, Samaras, përfaqësues i qendrës së djathtë dhe i partisë më të madhe të opozitës, duhet të bashkohet me Papandreun. Në të kundërt mund të gjendet përpara një vendi të shkatërruar.
Nga ana tjetër zgjidhja e krizës greke është në interes të vetë Greqisë por edhe të vendeve të tjera. Më të shqetësuara duken se janë bankat por edhe Gjermania duket se nuk ka zgjidhje tjetër veç asaj që të ndihmojë vendet e Eurozonës në mënyrë që vetë këto vende mos të pengojnë ekonominë gjermane. Në këtë linjë është shprehur edhe kancelarja gjermane Angela Merkel në një mesazh video, duke vënë në dukje se: “nëse nuk ndërhyjmë në mënyrën e drejtë, gjë që edhe mund të ndodhë, por që gjithsesi është saktësisht ajo që duam të evitojmë. Dhe për këtë nënvizojmë se nuk mund të lejojmë një falimentim të pakontrolluar të një vendi dhe që duhet të kuptojmë si mund të rrisim kompetivitetin e Vendeve në vështirësi dhe t’i japim mundësinë për të reduktuar deficitin. Duhet të evitojmë që të bëjmë diçka që mund të vërë në rrezik rritjen globale, dhe si rrjedhojë atë të Gjermanisë”. Pozicioni i Gjermanisë konsolidohet akoma dhe më shumë nga ministri i Financave të Gjermanisë Volfang Shauble sipas të cilit rreziqet do të jenë më të mëdha në rast të ristrukturimit të Greqisë. Kërkesat e Gjermanisë për një përfshirje të investitorëve privatë në krizën greke nuk është përkrahur shumë në ditët e shkuara nga Banka Qendrore Europiane, që gjithsesi ka përjashtuar vullnetin e vetë bankave, duke qenë kështu në një linjë të përafërt me atë franceze. Sidoqoftë instituti i Frankfurtit ka komunikuar se në rast ristrukturimi të deficitit grek, nuk do të pranojë më bono greke si garanci. Fjalëve të autoriteteve të Gjermanisë kanë marrë përgjigjen nga Jurgen Stark, anëtar i Komitetit ekzekutiv dhe shef i ekonomistëve të Bankës Qendrore Europiane i cili ka nënvizuar se: “Është e nevojshme t’i japim fund diskutimeve sterile dhe duhet t’i dedikohemi problemeve të vërteta” d.m.th - “të vihet në zbatim programi i vendosur nga Greqia”. Por të premten e kaluar, Ministri Shauble ndërsa bisedonte me anëtarët e Parlamentit, përpara një diskutimi mbi aprovimin e një kontributi të mundshëm gjerman për një paketë të dytë ndihmash për Greqinë, ka shtuar se është e vështirë të llogaritet në mënyrë të saktë ndihma për të cilën ka akoma nevojë Greqia, por që gjithsesi Greqia nuk ka gjasa që të kthehet në tregjet financiare në vitin 2012. Situata është me të vërtetë e ndërlikuar, dhe burime pranë bashkimit Europian njoftojnë se Ministrat e 17 vendeve të Eurogrupit do të mblidhen sot (të martën) në Bruksel për të vendosur mbi ndërhyrje të reja në favor të Greqisë. Më tej, sipas gazetës gjermane Der Spiegel përgjegjësit e zonës euro duan të përfshijnë kreditorët privatë të Greqisë për të marrë pjesë me 20-35 miliardë euro për një paketë ndihmash. Gjithmonë sipas revistës, po del në pah një kompromis mes Gjermanisë, që ka insistuar në përfshirjen e bankave, siguracioneve dhe partnerëve. Tensioni është i lartë si brenda dhe jashtë Greqisë. Tashmë pritet mbledhja e jashtëzakonshme e Eurogrupit për të përcaktuar mënyrën, kohën dhe shifrat e planit të dytë për ndihmën e Greqise.