E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zgjedhjet, stinë e vështirë në Maqedoni

EMIN AZEMI

Përfundimi i procesit zgjedhor në Maqedoni ka certifikuar vetëm fituesit dhe humbësit, por jo dhe aktorët e ardhshëm të piramidës qeverisëse. Raporti momental i forcave që u formalizua nga zgjedhjet sërish i jep të drejtë partisë së deritanishme në pushtet të marrë mandatin qeverisës, por kjo nuk është kurrfarë garancie se kështu edhe do të ndodhë, nëse për një hap të tillë nuk vendos edhe partia fituese shqiptare.
Kontinuiteti i parlamentarizmit dhe i bashkëqeverisjes mbi baza të preferencave edhe etnike, ka krijuar tashmë një traditë, por edhe një përgjegjësi për sfida të reja që vijnë pikërisht nga kjo metodologji politiko-institucionale. Që tani mund të vërehet një nervozë më e shtuar e opinionit publik shqiptar kundruall aktorëve politikë që pretendojnë sërish ta marrin pushtetin.  Duke kërkuar ndërprerjen e kontinuitetit të bashkëqeverisjes vazale me kryeministrat maqedonas, por edhe duke këmbëngulur në një ridizajnim të kualitetit dhe kapacitetit përfaqësues në institucionet e shtetit, publiku shqiptar me të drejtë tani është më kritik se kurdoherë më parë. Dhënia e votave për partinë fituese nuk është kurrfarë amnistie për krerët e saj nga obligimi madhor që tash e tutje në Maqedoni të bëhet një përkufizim i qartë midis interesave ditore politike dhe objektivave afatgjata kombëtare të shqiptarëve në Maqedoni. Sepse jo rrallë, tek ne interesat ditore politike janë paketuar me ambalazhe bajat të, gjoja, objektivave kombëtare.
Numrat shtojnë edhe ambiciet. Kështu mund të përkthehet edhe ambicia e opozitës për të rritur eficiencën e saj politike në parlamentin e ardhshëm. Një opozitë e fuqishme do të thotë djersitje pa fund për pushtetin. Nëse i referohemi situatës momentale, e krijuar menjëherë pas zgjedhjeve, del se vetëm LSDM po vjen në stinën e ardhshme politike me ambicie të shtuara politike, gjë që krijon jo pak komplikime në rrafshin e debatit dhe komunikimit politik. Kjo forcë politike do të provojë me gjithë forcën e veprimit parlamentar të aktakojë kredibilitetin institucional e politik të partisë së Gruevskit.
Sa janë të përgatitura partitë shqiptare të përvijojnë strategjitë e tyre politike në këtë ballafaqim të fortë në mes të dy blloqeve të mëdha politike maqedonase? A do të pranojnë ato të bëhen material harxhues i këtij sanduiçi që të zë frymën, apo do të refuzojnë rolin inferior të sehirxhinjve? Kauza politike e opozitës së ardhshme maqedonase do të ndërlidhet drejtpërdrejt me fatet fondamentale të Maqedonisë, edhe si identitet, edhe si ardhmëri, edhe si konfiguracion gjeostrategjik.
Maqedonia si shtet ka kohë që funksionon mbi bazat e antagonizmave politikë e etnikë. Përderisa Marrëveshja e Ohrit arriti të amortizojë në masë të ndjeshme antagonizmat etnikë, janë antagonizmat politikë ata që do ta trandin nga themelet këtë shtet. Kësaj radhe antagonizmi do të jetë në mes të vetë maqedonasve, por kjo assesi nuk u jep të drejtë politikanëve shqiptarë të ndjehen komodë. Përkundrazi, mobilizimi i tyre politik do të duhej të orientohej në dy linja angazhimi e para, në drejtim të konsolidimit të brendshëm për të projektuar dekalogun e interesave fondamentale kombëtare dhe, e dyta, për të ridizajnuar dhe fokusuar fuqinë politike brenda një blloku të madh e të pandashëm politik.
Shqiptarët nuk kanë llogari dhe interes që pafundësisht të paguajnë faturat e mosmarrëveshjeve të brendshme maqedonase. Stina e ardhshme politike do të duhej të ridimensiononte pikërisht krijimin e koordinatave në mes të qëllimit për të kontribuuar bashkërisht në zhvillimin e politikave eurointegruese të Maqedonisë dhe të interesave mbipartiake dhe afatgjata kombëtare të shqiptarëve në kontinuitetin e (bashkë)qeverisjeve.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›