E Diel, 1 Nëntor 2026

Komisioni i Ligjeve miraton 3 nga 7 kandidaturat e Topit për emërimet në Gjykata

14-06-2011 / Gazeta 55

Rikthehet beteja ndërmjet institucionit të presidentit dhe Kuvendit. Edhe kësaj radhe debati i hapur ndërmjet këtyre dy institucioneve lidhet me propozimet e kreut të shtetit për anëtarët të Gjykatës Kushtetuese dhe të Gjykatës së Lartë. Vetëm pak ditë pas gjykata kushtetuese u kërkoi këtyre institucioneve të akordojnë punën për emërimet në gjykata, dhe në respekt të kushtetutës, komisioni i ligjeve ka kaluar vetëm 3 nga 7 emra që ka sjellë kreu i shtetit për Gjykatën Kushtetuese dhe Gjykatën e Lartë. Kështu në mbledhjen e parë pas këtij vendimi komisioni i ligjeve kaloi me votat e mazhorancës kandidaturën e Fatmir Hoxhës për gjykatën kushtetuese, dhe i riktheu për shqyrtim kreut të shtetit tre emrat e tjerë. Po ashtu ky komision kaloi 2 kandidaturat e sjella nga kreu i shtetit për gjykatën e lartë Shkëlzen Selimi dhe Edmond Islamaj, ndërsa rrëzoi kandidaturën e Manjola Bejlerit, duke argumentuar këtë vendim me mos përmbushjen e kritereve për këtë post.
Katër emrat e kthyer mbrapsht nga ana e komisionit të ligjeve do t’i shkojnë sërish në tryezë kreut të shtetit për t’u rishqyrtuar emrat. Kësaj radhe kreu i shtetit nuk do të paraqesë katër emra por tre pasi kushtetuta parashikon që kreu i shtetit mund të bëjë vetëm tre propozime në të njëjtën kohë dhe jo katër siç ai solli në komision në vjeshtën e kaluar.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›