Vendimi i Kolegjit, fiton numërimi i çdo vote
Kolegji Zgjedhor la të hapur garën mes Lulzim Bashës dhe Edi Ramës, pasi kërkoi mbrëmë që votat e kontestuara apo të hedhura gabimisht edhe në kutitë e pahapura tashmë të Tiranës, të numërohen dhe ti bashkëngjiten rezultatit që kohë më parë u shpall nga KQZ-ja dhe fitues ishte Lulzim Basha, me 81 vota përpara. Vendimi i mbrëmshëm nuk finalizon procesin e numërimit të votave, por kërkon vijimin e numërimit të çdo vote të hedhur për kandidatët, pavarësisht kutisë ndërsa ia ka dalë me elegancë të rrëzojë një ankesë të PS-së që lidhej me kredibilitetit e zgjedhjeve dhe që kishte të bënte me mospërputhje të numrit të votuesve me atë të votave.
Kolegji Zgjedhor nuk ka atakuar në princip apo cilësi Vendimin 709 të KQZ-së, por e ka relativizuar atë në sasi, duke zgjeruar kapacitetet përthithëse të këtij vendimi edhe ndaj votave të tjera që mund të ndodhen në 368 kuti që nuk ishin hapur për disa shkaqe, si: mungesa e kërkesës për hapjen e këtyre kutive, nuk kishte njoftime në procesverbale për praninë e votave të kontestuara, KQZ nuk arriti kuorumin për të vijuar me hedhjen në rezultat të votave të tjera të kontestuara.
Pra, deri tani Kolegji Zgjedhor veçse ka kërkuar që ti shkohet deri në fund procedurës së numërimit të votave të hedhura gabim për të gjitha kutitë e për të gjitha rastet. Pra, është pranuar pjesërisht një pjesë e kërkesës së PS-së, por nëpërmjet procedurës që përmbush këtë kërkesë të PS-së është përforcuar edhe më tej parimi i theksuar nga PD se çdo votë duhet të numërohet dhe është rrëzuar përfundimisht pretendimi i PS-së se votat e hedhura gabim janë vota të pavlefshme. Më tej, vendimet e Kolegjit nuk kanë atakuar asnjë procedurë të numërimit të votave qoftë nga administrata e niveleve të ulëta zgjedhore, qoftë nga KQZ-ja, duke shënuar një vlerësim të lartë për të gjithë procesin e zgjedhjeve në vend. Me këtë rast, e tërë balta që është hedhur mbi Gjykatën Zgjedhore dhe mbi procesin e numërimit të votave për Tiranën prej kandidatit për Bashkinë, Edi Rama, është pastruar duke e lënë të vetmuar letrën që ai ia nisi këtij Kolegji pak ditë më parë.
Partia Demokratike ka deklaruar se do të njohë çdo vendim dhe mbrëmë, në orët e vona, televizione të ndryshme transmetuan deklaratën e Bashës që e përshëndeste këtë vendim të Kolegjit Zgjedhor. Në fakt, ajo çfarë Kolegji ka vendosur tashmë nuk është asgjë më shumë se sa maxhoranca ka shprehur që ditën e fillimit të numërimit të votave. Por, ndërkaq, ajo çfarë Kolegji kërkoi mbrëmë është edhe një leksion i mirë për PS-në dhe kryetarin e saj, të cilët hartuan edhe një ankesë të falsifikuar lidhur me mosrakordimet e numrit të votuesve dhe numrit të votave. Edhe pse tashmë ajo është bërë e paqenë nga Kolegji, duhet theksuar fakti se përgjatë numërimit të rreth një milion fletëve të votimit në Tiranë (250 mijë votues me katër fletë votimit secili), mund të kishte gabime njerëzore që shkonin edhe në shmangie prej 300 e ca votash, por ndërkaq, mjafton të bësh rakordimet brenda qendrave të votimit mes gjithë votave dhe gjithë votuesve (dhe jo të të gjithë votuesve dhe një kuti votimi, siç është bërë), për të konstatuar se pretendimi i PS-së ishte thjesht një tjetër letër e hapur tashmë jo kundër Kolegjit, por kundër zgjedhjeve.
Kolegji ka bërë testin e të gjithë procesit. Ai mbrëmë nuk ka dhënë një emër fituesi dhe nuk na ka lënë që ta deklarojmë atë qoftë edhe me intuitë, por ia ka dalë që të japë nën një trysni të paparë politike, nën një presion ku çdo profesionalizëm edhe mund të deformohet sadopak, se procesi nuk mund të cenohet prej atyre që janë në fushën e garës.
Ndërkaq, edhe për disa ditë do të vazhdohet numërimi i votave të kontestuara në 368 kuti. Nuk do të marrë shumë kohë, pasi dokumentacioni zgjedhor është i mjaftueshëm për të krijuar lehtësi në gjetjen atyre votave për të cilat bën fjalë Kolegji dhe që mund të ishin numëruar një pjesë e tyre edhe para tri javësh, nëse anëtarët e KQZ-së të propozuar nga PS nuk do të kishin votuar kundër një kërkese të bërë nga PD për të vijuar me numërimin e votave të kontestuara. Vendimi i mbrëmshëm, ndërkaq, mbrojti edhe të drejtën kushtetuese të qytetarëve shqiptarë, ku çdo vullnet i tyre duhet të lexohet dhe çdo votë duhet të shkojë në adresën për ku ajo është nisur.
Po cilat janë shanset që rezultatit të ndryshojë apo të përmbyset? Probabiliteti në këtë rast jep pak garanci për një përfundim të sigurt dhe përafërsisht të saktë. Më shumë se përputhshmëria e shifrave që priten të ndryshojnë sërish, kemi në dorë tre indikatorë nga gara e Tiranës; Këshilli Bashkiak, shumica e cilësuar e minibashkive dhe këshillat e këtyre minibashkive janë fituar nga maxhoranca, pa llogaritur këtu edhe avantazhin aktual të Bashës me 81 vota. Kjo do të thotë se ka pasur një trend të sigurt për të ndryshuar qeverisjen e Tiranës.
