Anëtarë të rinj, probleme të vjetra
Edhe pse ende nuk janë takuar për të mbajtur mbledhjen e parë, anëtarët e Këshillit Drejtues të Qendrës Kinematografike të Kosovës kanë filluar tashmë t’i shpalosin vizionet e tyre lidhur me mbarëvajtjen e këtij këshilli si dhe të kinematografisë në Kosovë.
Aktori Arben Zharku dhe regjisori Ilir Kabashi janë emëruar nga ministri i kulturës Memli Krasniqi si anëtarë të rinj të Këshillit Drejtues të QKK-së, duke u bazuar në nenin 30 të Ligjit për Kinematografi. Përpos tyre, në këtë këshill janë emëruar nga ministri Krasniqi edhe Haqif Mulliqi (përfaqësues nga MKRS), regjisori dhe montazheri Agron Vula dhe regjisori Arben Apolloni.
Duke folur për Express, aktori dhe producenti Arben Zharku tha se do të tentojë që industria e filmit të zhvillohet më shumë si dhe Kosova dhe filmi kosovar të ndërkombëtarizohet. Ai është i mendimit se është ftuar në këtë këshill duke pasur parasysh se si producent dhe si organizator i një festivali të teatrit dhe të filmit ka krijuar lidhje me botën ndërkombëtare të filmit si dhe me fondacione të ndryshme.
“Së pari duhet të takohemi dhe të diskutojmë ndërmjet veti. Ma merr mendja që do të ketë shumë punë për arsye se tendenca jonë është që industria e filmit të zhvillohet më shumë, Kosova dhe filmi kosovar të ndërkombëtarizohet më shumë dhe me siguri për këtë më kanë thirrur, për shkak të kontakteve dhe lidhjeve të mia që i kam me botën e filmit jashtë, me fondacione të ndryshme etj. Besoj se në këtë drejtim do ta jap kontributin tim”, tha Zharku.
Ndërkaq, anëtari tjetër i këtij këshilli, Ilir Kabashi, tha për Express se si anëtar i ri i bordit të QKK-së, nga pozita e regjisorit, do të përpiqet të bartë dëshirën dhe mundësinë në funksion të çuarjes përpara të filmit të Kosovës.
“Mbi bordin e QKK-së bien detyra të mëdha në kuptimin e avancimit të kinematografisë së Kosovës. Besoj që është një grup kompakt që pak a shumë kanë përvoja dhe janë emra në lëmin e tyre dhe do ta përçojë një frymë pozitive krejt në funksion të çuarjes përpara të filmit të Kosovës”, tha Kabashi.
Ajo që ka nxitur reagime dhe ankesa si nga Këshilli Drejtues i mëhershëm, si nga ky i tashmi por edhe nga njerëzit që merren me filmin ka qenë buxheti i kufizuar i QKK-së.
Lidhur me këtë Kabashi mendon se një prej detyrave të Këshillit të ri Drejtues do të ishte që të bëjë presion në mënyrë që të paktën të rritet buxheti.
Ndërkaq, Zharku mendon se Këshilli Drejtues i QKK-së nuk mund të përcaktojë se çka duhet bërë. Sipas tij, Këshilli mund të ofrojë politika të mira, në mënyrë që njerëzit të kenë mundësi të aplikojnë dhe të kenë qasje më të madhe në QKK. Ai thotë se duhet angazhuar që Kosova të ketë mundësi të lidhet me kooproduksione, në mënyrë që t’u krijohet mundësi regjisorëve dhe producentëve të huaj të vijnë dhe të xhirojnë filma në Kosovë.
“Deri tash nuk është bërë diçka në atë drejtim. Është mirë që një pjesë e buxhetit të orientohet në atë drejtim, të ndahet për projekte ndërkombëtare, që ekipa e Kosovës të lidhet me ekipe ndërkombëtare. Mirëpo, kjo varet prej atyre që aplikojnë. Këshilli Drejtues dhe drejtori i QKK-së krijojnë politika, krijojnë kushte, u japin mundësi producentëve që të aplikojnë dhe të kenë mundësi t’i realizojnë filmat e tyre”, tha Zharku. Ai shtoi se nëse krijohen politika të mira, rrethana të mira në QKK, atëherë potenciali është që të realizohen filma të mirë edhe të regjisorëve në Kosovë, por ndoshta edhe të regjisorëve ndërkombëtarë që kanë të bëjnë me Kosovën.
Në këtë pikë pajtohet edhe Kabashi. Ai thotë se bashkëpunimet me regjisorë dhe filmbërës të huaj janë të mirëseardhura, por është i mendimit se filmi i Kosovës është mirë të identifikohet edhe me filmbërës dhe regjisorë tanë, të cilët, sipas tij, nuk janë të paktë në numër.
“Ka nga ta që e njohin mirë këtë zanat dhe kanë mundësi. Mendoj se me pas mundësi dikush t’i promovojë këta regjisorë, ose ata që i kemi me emra dhe mbiemra. Gjithmonë duke kërkuar kritere dhe rezultate konkrete”, tha Kabashi.
Ai shtoi se ka ardhur koha që të promovohen vlerat dhe në këtë aspekt do të duhej që të kërkohen më shumë rezultate pikërisht nga ata që marrin projekte.