E Shtunë, 31 Tetor 2026

Këshilla e mjekëve për temperaturat e larta: Kujdes nga ambjentet e mbyllura


Në kushtet e temperaturave të larta mjekët këshillojnë jo vetëm mënjanimin dhe ekspozimin në diell në orët e pikut, por dhe mbrojtjen në  ambientet e mbyllura, pasi temperaturat e larta dhe lagështira krijojnë të ashtuquajturat goditje nga nxehtësia, me probleme në organizëm. Sipas specialistëve të shëndetit publik, "krahas goditjeve nga dielli për rastet e ekspozimit në rrezet direkte të diellit, ka dhe goditje nga nxehtësia në shtëpi, zyrë, ambiente ku jetohet dhe punohet, ku temperatura e madhe duke u bashkuar me lagështirën jep goditjen nga nxehtësia". Specialistet këshillojnë mbrojtje edhe në këto kushte, duke filluar nga rregullimi i temperaturës mes ambjentit të brendshëm dhe të jashtëm dhe në veçanti për ata që punojnë dhe jetojnë në mjedise me kondicioner. Gjatë ditës, dritaret mbahen të mbyllura, ndërsa ajrosja e shtëpisë është e rekomandueshme të bëhet në orët e para të mëngjesit ndërsa në shtëpi të mbahen veshje sa më të lehta. "Nuk duhet të ketë një diferencë të madhe të temperaturës të ambientit brenda, me atë jashtë", pohojnë specialistët, sipas të cilëve, në kushtet e përdorimit të kondicionerit nuk duhet të ketë një diferencë më shumë se pesë gradë me ambientin jashtë. Ndërsa këshillojnë evitimin e daljeve nga shtëpia në orët e nxehta të ditës 11:00-18.00, specialistët thonë se ata që janë të detyruar të dalin në orët e pikut apo të udhëtojnë me makinë duhet të mbajnë ujë me vete. Sipas tyre, gjatë ndalesave duhet të evitohet ngrënia e shpejtë apo konsumimi i pijeve alkoolike, me shumë sheqer apo kafeinë. "Mbi të gjitha mos parkoni në diell, e nëse do ta bëni një gjë të tillë, para se të niseni hapini dritaret për të ulur temperaturën e brendshme, ndërsa për ata që kanë kondicioner, temperatura në makinë nuk duhet mbajtur më pak se 25-27°", këshillojnë specialistët.


...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›