E Shtunë, 31 Tetor 2026

Publikohet progresraporti për Shqipërinë

15/10/2009  BE: Zgjedhjet e qershorit përmbushën shumicën e standardeve

Shqipëria ka arritur të përmbushë shumicën e standardeve evropiane në zgjedhjet e përgjithshme të 28 qershorit. Komisioneri për Zgjerimin në Komisionin Evropian ka lexuar dje në Bruksel progresraportin për Shqipërinë, Malin e Zi, Bosnjë-Hercegovinën, Serbinë dhe Kosovën. Sipas asaj çka thuhet në raport, rezulton se panorama e përgjithshme e marrëdhënieve Shqipëri–BE është inkurajuese dhe zbatimi i marrëveshjes së MSA-së po ecën me ritmet e duhura.

Sipas raportit të Komisionit Evropian, Shqipëria ka vazhduar të përparojë në trajtimin e kritereve politike, sipas partneritetit evropian. Raporti shprehet se zgjedhjet e qershorit përmbushën shumicën e standardeve të kërkuara nga BE-ja, si dhe vlerësohet roli i vendit tonë për stabilitetin në Ballkan “Shqipëria ka vazhduar të përparojë për sa i përket trajtimit të kritereve politike sipas partneritetit evropian. Zgjedhjet parlamentare të qershorit 2009 përmbushën shumicën e standardeve evropiane, por duhen bërë përpjekje të mëtejshme për të trajtuar problemet që u identifikuan. Shqipëria paraqiti kërkesën për anëtarësim në BE në prill 2009. Ajo duhet të përparojë më shumë, sidomos për sa i përket shtetit të së drejtës dhe luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Pavarësia e institucioneve shtetërore, sidomos e atyre të gjyqësorit, duhet të përforcohet më tej. Shqipëria ka vazhduar të luajë një rol konstruktiv në ruajtjen e stabilitetit rajonal dhe nxitjen e marrëdhënieve të mira me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor dhe vendet fqinje anëtare të BE-së”, - thuhet në raportin e BE-së. Gjithashtu me nota pozitive raporti shprehet dhe për sa i përket kritereve ekonomike të vendit. Sipas vlerësimit të vëzhguesve evropianë, ekonomia shqiptare ka treguar nivel të qëndrueshëm, sidomos përgjatë vitit 2008, rritje e cila u frenua nga kriza ekonomike në vitin 2009. Gjithsesi, raporti vë në dukje dhe defektet që ende vazhdojnë të vihen re në vendosjen e shtetit të së drejtës, infrastrukturën apo informalitetin. “Megjithatë, problemet qe lidhen me shtetin e së drejtës, niveli i dobët i infrastrukturës dhe ekonomia informale në shkallë të lartë mbeten sfida për zhvillimin ekonomik dhe klimën e biznesit. Ristrukturimi dhe privatizimi i sektorit energjetik eci përpara, por mungesa e sigurisë në furnizimin me energji vazhdon të pengojë zhvillimin ekonomik. Në mënyrë që ekonomia t’u bëjë ballë presioneve konkurruese dhe forcave të tregut të BE-së, Shqipëria duhet të reformojë dhe fuqizojë sistemin e saj ligjor, si dhe të trajtojë mangësitë në infrastrukturë”, - thuhet në raportin e Komisionit Evropian.

Kriteret politike

Sipas raportit, kriteret politike në Shqipëri gjatë kësaj kohe kanë pësuar ecje përpara, duke veçuar më së shumti zgjedhjet e qershorit 2009. “Shqipëria ka vazhduar të përparojë për sa i përket trajtimit të kritereve politike sipas partneritetit evropian. Zgjedhjet parlamentare të qershorit 2009 përmbushën shumicën e standardeve evropiane, por duhen bërë përpjekje të mëtejshme për të trajtuar problemet që u identifikuan. Shqipëria paraqiti kërkesën për anëtarësim në BE në prill 2009. Ajo duhet të përparojë më shumë, sidomos për sa i përket shtetit të së drejtës dhe luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Pavarësia e institucioneve shtetërore, sidomos e atyre të gjyqësorit, duhet të përforcohet më tej.”

Shqipëria ka vazhduar të luajë një rol konstruktiv në ruajtjen e stabilitetit rajonal dhe nxitjen e marrëdhënieve të mira me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor dhe vendet fqinje anëtare të BE-së.

Kriteret ekonomike

Ekonomia shqiptare ka bërë hapa të mëtejshëm përpara drejt një ekonomie tregu funksionuese. Në mënyrë që të jetë e aftë t’u bëjë ballë presioneve konkurruese në një periudhe afatmesme dhe forcave të tregut brenda BE-së, Shqipëria duhet të reformojë dhe fuqizojë sistemin e saj ligjor, si dhe të trajtojë mangësitë në infrastrukturë dhe kapital njerëzor. Gjatë gjithë vitit 2008 rritja ekonomike vazhdoi të përshpejtohej, por u ngadalësua në vitin 2009 për shkak të ndikimit të krizës ekonomike, e cila rezultoi në rënien e eksporteve, dërgesave të emigrantëve dhe të kredisë. Ndërkohë që deficiti buxhetor u rrit, kryesisht për shkak të veprave të mëdha publike në infrastrukturën rrugore.

Problemet

Raporti vlerëson se Shqipëria ka ende rrugë për të bërë, sidomos në aspektet që kanë të bëjnë me shtetin e së drejtës, infrastrukturën apo klimën e biznesit. “Megjithatë, problemet që lidhen me shtetin e së drejtës, niveli i dobët i infrastrukturës dhe ekonomia informale në shkallë të lartë mbeten sfida për zhvillimin ekonomik dhe klimën e biznesit. Ristrukturimi dhe privatizimi i sektorit energjetik eci përpara, por mungesa e sigurisë në furnizimin me energji vazhdon të pengojë zhvillimin ekonomik. Në mënyrë që ekonomia t’u bëjë ballë presioneve konkurruese dhe forcave të tregut të BE-së, Shqipëria duhet të reformojë dhe fuqizojë sistemin e saj ligjor, si dhe të trajtojë mangësitë në infrastrukturë dhe kapital njerëzor.”

Standardet evropiane

Në lidhje me standardet evropiane raporti vëren se Shqipëria ka bërë mjaft përparime në legjislacion, por duhen shtuar përpjekjet për zbatimin e tyre. “Shqipëria ka përparuar me përafrimin e legjislacionit, politikave dhe kapaciteteve të saj me standardet evropiane. Tani i duhet të shtojë përpjekjet e saj për zbatimin e këtyre ligjeve dhe politikave. Në fusha si lëvizja e lirë e mallrave, politikat e energjisë dhe të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme ka vazhduar progresi i shënuar vitet e mëparshme.

Përparimet kanë qenë të kufizuara në fusha të tjera, si: e drejta e pronësisë intelektuale, politikat audiovizuale, bujqësia dhe kontrollet veterinare/fitosanitare. Gjithashtu janë të nevojshme rezultate të prekshme në luftën kundër krimit të organizuar, trafikut të drogës dhe pastrimit të parave.”

Qëndrimi i Kryeministrit

“Progresraporti ka vlerësimin e tij më objektiv”

Kryeministri Sali Berisha ka deklaruar se progresraporti i Komisionit Europian për Shqipërinë vlerëson arritjet në të gjitha fushat, por evidenton edhe mangësitë dhe problemet që duhet të trajtohen. Pasi ka marrë dokumentin nga kreu i delegacionit të KE-së në Tiranë, ambasadori Helmuth Lohan, Berisha tha se vendi kaloi një provë shumë të rëndësishme para partnerëve dhe Komisionit Evropian, prova e zgjedhjeve. “Raporti ka vlerësimin e tij më objektiv, sigurisht të bazuar edhe në raportet e institucioneve ndërkombëtare për zgjedhjet. Theksoj se zgjedhjet kanë qenë një provë fondamentale, por dhe një qëllim madhor i përpjekjeve të mia dhe të qeverisë. Kur bëj fjalë për funksionimin e demokracisë, jam absolutisht i vetëdijshëm se kjo demokraci ka nevoja të mëdha për përmirësime, për përsosje dhe konsolidim të mëtejshëm”, - tha ai. Berisha garantoi ambasadorin Lohan se qeveria mbetet e vendosur të punojë në mënyrën më serioze për adresimin e të gjitha problemeve të ngritura nga institucionet ndërkombëtare, për përmirësimin e mëtejshëm të procesit zgjedhor. Nga ana e tij ambasadori Lohan u shpreh se kupton dhe e vlerëson rëndësinë që Kryeministri i jep progresraportit. “Përmbledhja e përgjithshme është që marrëdhëniet Shqipëri–BE janë marrëdhënie inkurajuese”, - tha Lohan.

Deklarata e Dades

“Grosruk mbron Berishën njësoj si më ’96-n”

Deputetja socialiste Arta Dade komentoi dje deklaratën e zëvendëspresidentit të Asamblesë Parlamentare të OSBE-së Volfgang Grosruk. “Grosruk njihet prej vitesh, edhe kur Sali Berisha ka qenë në ditët e tij më të këqija, siç ishin zgjedhjet e vitit 1996. Zoti Grosruk, duke shkelur të gjitha standardet, edhe të organizatës që përfaqëson, por edhe standardet për organizimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme edhe të vendit të tij, Austrisë, ka përshëndetur zgjedhjet e 1996, duke i quajtur konform standardeve, zgjedhje për të cilat Shqipëria ka hyrë në të gjitha faqet e historisë evropiane si vendi që ka dhunuar zgjedhjet”, - vuri në dukje Dade gjatë fjalës së saj lidhur me një çështje të tillë. Por Dade shkoi më tej, duke lëshuar akuza të drejtpërdrejta ndaj diplomatit Grosruk. “Sali Berisha bëri të njëjtën gjë edhe me zgjedhjet e fundit, më 28 qershor dhe sigurisht solli në skenë mikun e tij të vjetër, me të cilin personalisht kam pasur debate edhe në Asamblenë Parlamentare, kur ai ka dalë në krah të Sali Berishës, kur vetë Sali Berisha ka sulmuar institucionet në Shqipëri. Pra, kemi të bëjmë me një personalitet që flet në emër të Asamblesë Parlamentare të OSBE, por sigurisht unë nuk do të doja të besoja që mjaft miq të Sali Berishës janë të lidhur edhe me afera të ndryshme ekonomike në Shqipëri”, - theksoi Dade.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›